Deputetja e PD akuza Olta Xhaçkës: Keni ndërtuar bujtina dhe privatizuar llixhat në Kolonjë! Përgjigjet ligjvënësja e PS: Broçkulla! Është herezi të dalësh këtu dhe…

Apr 29, 2024 | 20:00
SHPËRNDAJE

Deputetja e Partisë Demokratike për qarkun Korçë, Sorina Koti ka akuzuar kolegen e saj socialiste, Olta Xhaçka se kanë privatizuar llixhat e Kolonjës dhe kanë ndërtuar bujtina private.

olta xhacka

Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e PD u shpreh se pasuritë e zonës së Ersekës nuk po përdoren për qytetarët, por për qeveritarët.

Si përgjigje deputetja Xhaçka tha se këto nuk janë të vërteta, duke theksuar se “të dalësh këtu e të kesh paturpësinë që investimet qofshin private qenkan në dëm të qytetarëve të Kolonjës, është herezi”.

Replikat:

Sorina Koti: Si deputete e qarkut Korçë do flas për Kolonjën. Shkoj shpesh atje dhe është një nga bashkitë që për fat të keq është nga zonat më të varfra. Po vuan më së shumti emigracionin e lartë. Në Kolonja ka vetëm të moshuar dhe pak të rinj që përpiqen të mbijetojnë në varfërinë ekstreme. Pasuritë e zonës janë për qeveritarët e saj, jo për banorët. Këtë ma thonë sa herë shkoj. Çfarë ka bërë sot deputetja  e PS, zonja Xhaçka për Kolonjën, sepse është deputete e zonës dhe unë e shoh që Erseka varfërohet sa herë shkoj atje.

Edhe rruga Korçë-Ersekë sa u ndërtua, u rrëzua. Si mund të ndërtosh në atë zonë aq të bukur dhe mos të përfitojnë qytetarët, por të përfitojnë këta qeveritare si zonja deputete dhe kryebashkiaku Isai që kanë ndërtuar bujtina private, kanë privatizuar llixhat e Leskovikut se në fund të fundit këtu pasuri nuk mundet të përfitojnë vetëm pushtetarët, por gjithë zona.

Olta Xhaçka: Unë mendoj se do vërtet guxim të vish e të flasësh broçkulla, jo si të jesh deputete e Korçës, por si të jesh turiste e zonës. Për turistët kemi shumë respekt, i trajtojmë mirë, në Kolonjë, në çdo trevë. Të dalësh këtu e të kesh paturpësinë që investimet qofshin private qenkan në dëm të qytetarëve të Kolonjës, është herezi. Që të thuash se ka investitorë, njerëz që duan të kontribuojnë në ekonominë e asaj zone, dhe ky qenka mëkat, nuk di si t’ia vë emrin kësaj. Kolonja ka parë një rivitalizim si asnjë zonë tjetër. Zonja po ta përfaqësonte atë, do e dinte. Zonjë unë të ftoj të vish ta shohësh Kolonjën për atë që është, do të mirëpresim në shumë bujtinat që po hapen në atë zonë. Do e bëjmë shumë të mirëqenë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura