Pezullohet testimi edhe për mjekët

Feb 27, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

Pezullohet testimi edhe për mjekët. Pas vendimit të dy ditëve më parë të Gjykatës së Apelit Administrativ, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të ngrijë procedurat për testimin e mjekëve.

Protesta e mjekeve

Sipas ministrit Beqaj, do të respektohet vendimi i Gjykatës dhe do të pritet shqyrtimi në themel i çështjes. Verdikti i Gjyqësorit për infermierët do të jetë ai i cili do të përcaktojë edhe fatin e testimit të mjekëve.

Pra, deri sa gjykata të thotë fjalën e fundit, Ministria e Shëndetë- sisë do të pezullojë edhe procesin e planifikuar të testimit të mjekëve në detyrë. Beqaj tha se nisma do të mbrohet në Gjykatë, ku do të parashtrohen të gjitha argumentet se përse është e nevojshme kryerja e testimit.

“Sot, (dje) kemi njoftuar që nuk ka testim të shtunë dhe të diel, deri në një urdhër të dytë dhe po punojmë për t’u përgatitur dhe për të ballafaquar në Gjykatë argumentet tona, se përse ne mendojmë që testimi është i nevojshëm dhe i ligjshëm për t’u kryer”, tha Beqaj.

Dy ditë më parë u vendos që të pezullohet provimi për infermierët i parashikuar për të nisur këtë të shtunë. Ndërkohë, vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit për bllokim të procesit testues të infermierëve nuk i ka ndalur protestat e bluzave të bardha.

Edhe përgjatë ditës së djeshme, nga ora 11:00 deri në orën 12:00 mjekët dhe infermierët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet kanë ndërprerë shërbimin. Ata thanë se do të vijojnë me grevën derisa Ministria e Shëndetësisë të angazhohet seriozisht për plotësimin e kërkesave që ata kanë paraqitur, ku përveç anulimit të nismës për testimin e tyre, ata kanë kërkuar përmirësim të kushteve në punë dhe rritje të pagës me të paktën 15%.

Të martën një përfaqësi e bluzave të bardha depozitoi në Kuvend një peticion të firmosur nga 8 mijë mjekë dhe infermierë në të gjithë vendin. Ministri Beqaj e ka cilë- suar të nevojshëm testimin e bluzave të bardha. Gjatë seancës së djeshme në Parlament, kreu i Shëndetësisë solli edhe një herë në vëmendje të dhënat për mjekët, farmacistët dhe dentistët pas përfundimit të ciklit 5-vjeçar të programit për edukimin në vazhdim.

Beqaj tha se 36% e trupës mjekësore nuk ka marrë kreditet e duhura. Kjo nënkupton që këta mjekë janë të paaftë, pasi në pesë vite nuk i kanë thelluar njohuritë e tyre e nuk janë përditësuar me të rejat më të fundit nga shkenca e mjekë- sisë. Deri më 15 tetor, ata do të kenë mundësi ta rikuperojnë rezultatin. Nëse nuk rezultojnë kalues në provimin që do të kryejnë, ata do të humbasin vendin e punës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura