Përplasja në Komision, gati shkarkimi i kreut të AMF

Mar 3, 2017 | 12:08
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ekonomisë do t’i propozojë Kuvendit në seancën e ardhshme shkarkimin e kryetares së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkeleda Shehi.

Pas shkresës për shkarkimin e kreut të AMF-së, të depozituar në Kuvend nga Bordi i Monitorimit, Komisioni i Ekonomisë zhvilloi dje një seancë dëgjimore me kryetarin e bordit të monitorimit, Pajtim Melani dhe kryetaren e AMF-së, Enkeleda Shehi.

Seanca dëgjimore u shoqërua me debate të ashpra, ku kryetari i bordit, Paltim Melani, tha se Shehi ka shkelur rezolutën e Kuvendit, ka kryer emërime nepotike, ka vonuar qëllimisht firmosjen e vendimeve dhe ka demonstruar mungesë etike zyrtare në komunikim.

shehi_2017_03_02_1818_1488475726Kryetarja e AMF-së, shkeljet e pretenduara nga bordi i cilësoi mediokre, të orkestruara nga kryetari i bordit, Pajtim Melani, dhe kryetari i komisionit, Erjon Braçe.

DEBATI

Kryetari i Bordit të Monitorimit të AMF-së, Pajtim Melani, akuzoi kryetaren e AMFsë për shkelje ligji, duke mos firmosur vendimin për zbatimin e rregullores dhe për emërime nepotike. “Vendimi nuk është firmosur brenda afatit ligjor dhe kjo është shkelje e ligjit. Është shkelje e hapur e ligjit, sepse ne funksionojmë si organ kolegjial dhe vendimet e një organi kolegjial kur merren 4 me 1 firmosen dhe kundërfirmosen. Gjithashtu, në pozicionin e këshilltares së drejtorit ekzekutiv është emëruar një zonjë, e cila vinte nga këshilli mbikëqyrës i një shoqërie sigurimi”, tha Melani.

Drejtoresha e AMF-së i cilë- soi akuzat e bordit mediokre, pasi nuk ka shkelje financiare. “Vendimi i bordit për shkarkimin tim është i paligjshëm, absurd, i gabuar dhe për më tepër qesharak. Në vendimin e bordit nuk ka asnjë shkelje financiare, abuzime e shkelje të ligjit. Po ju kërkohet të shkarkoni drejtuesen e këtij institucioni, sepse nuk ka firmosur jo më datë 3, por në datë 7, një rregullore që për mua dhe ekspertët ligjorë të Autoritetit është komplet e paligjshme”, tha Shehi.

Kryetari i bordit foli edhe për mungesën e etikës së Shehit në mbledhjet e bordit. “Një pikë tjetër është komunikimi joetik dhe jozyrtar. Nuk mundesh as të përplasësh tavolinën në mbledhjen e bordit dhe as të imponosh vendimmarrjen e anëtarëve të bordit, ku në çdo rast vendimi i bordit ka qenë i pavarur, pa asnjë ndikim politik apo të një institucioni tjetër”, tha Melani. Kreu i AMF-së, Enkeleda Shehi, akuzoi bordin se ndaj saj po vepron si në gjyqet e diktaturës, ku po akuzohet nga anëtarët pa shkollim.

“Ky bord nuk është i aftë të gjykojë për profesionalizmin tim, aq më tepër që të tre anëtarët e këtij bordi nuk vijnë nga fushat që mbikëqyr AMF-ja. Vendimi për shkarkim është i miratuar nga një bord mediokër, i firmosur nga një kryetar me një anëtarësim mediokër dhe një zv.drejtoreshë që kam dyshimet e mia nëse ka shkollim apo jo, por me këtë le të merren organet kompetente. Për ta bërë edhe një herë paralelizmin, po më duket sikur jemi këtu në gjyqet e kohës së diktaturës, ku katër persona injorantë akuzonin elitën shqiptare”, tha Shehi.

Ajo akuzoi edhe kryetarin e komisionit, Braçe, se orkestroi kërkesën për shkarkim. “Për të mos krijuar konflikt institucional, e firmosa vendimin për miratimin e kësaj rregulloreje, duke shprehur edhe votën time kundër. Por, pikërisht, kjo e prishi planin e kryetarit të bordit, të komanduar dhe dirigjuar nga ju”, tha Shehi. Kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, iu përgjigj.

“Personalisht nga unë? Ju lutem shumë, ta kursenit opinionin dhe t’i referoheni vendimit që ka marrë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Opinione këtu për mua nuk mund të bëni. Nuk lejoj që asnjë në këtë komision të vijë dhe të merret me thashetheme, çdo gjë të bazohet mbi shkresa. Nëse ke ndonjë shkresë kundër meje, vazhdojeni atë që keni nisur, nëse nuk keni, kursejeni opinionin tuaj. Dhe atë për gjyqin e komunizmit merreni mbrapsht”, u shpreh Braçe.

Letra e Bordit, arsyet e shkarkimit

Bordi i Monitorit ka renditur një sërë arsyesh për shkarkimin e kryetares së AMF-së, Enkeleda Shehi. Referuar shkresës zyrtare, bordi shprehet se kryetarja e AMF-së, Shehi, pengon funksionimin e mbledhjeve nëpërmjet komunikimit të dhunshëm dhe veprimeve të jashtëligjshme.

“Në mënyrë sistematike, Enkeleda Shehi pengon funksionimin normal të mbledhjes së bordit nëpërmjet adoptimit të një sjelljeje joetike dhe jozyrtare, të shoqëruar me komunikim të dhunshëm verbal dhe fjalor të pahijshëm”, thuhet në letër. Bordi akuzon drejtoreshën e AMF-së edhe për mosfirmosje dhe mospublikime të vendimeve të marra gjatë mbledhjeve, për t’i kthyer ato në qëllimisht të pazbatueshme.

“Mosfirmosja, mosprotokollimi dhe mospublikimi i një vendimi të ligjshëm të Bordit të Autoritetit e ka kthyer në të pazbatueshëm vendimin dhe në këtë mënyrë, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, duke abuzuar me pushtetin ekzekutiv, nuk firmos vendimin dhe për pasojë pengon protokollimin dhe publikimin në faqen zyrtare nga personat përgjegjës”, thuhet në letër.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura