Përplasen dy të rinj me motor, rëndë

Aug 31, 2012 | 14:13
SHPËRNDAJE

GJIROKASTER – Përgjaket autostrada Gjirokastër-Kakavijë. Dy të rinj kanë ngelur të lënduar rëndë, teksa udhëtonin me një motoçikletë. Ka qenë ora 12:45 e të enjtes kur ka ndodhur aksidenti në afërsi të kthesës së fshatit Sofratikë, disa kilometra larg Kakavijës. Motoçikleta me targa greke YYO 326, që drejtohej nga Dritan Katiraj, 32 vjeç nga Tepelena, me drejtim lëvizje nga Gjirokastra në Kakavijë, është përplasur me një automjet tip “Mercedez-Benz” kamionçinë, me targa GJ 5835 A, që drejtohej nga Zaim Basha, 50 vjeç nga Lazarati, me drejtim lëvizje nga fshati Sofratikë për të dalë në rrugën kryesore e mandej për në Gjirokastër. Dalja e Bashës në rrugën kryesore ka qëlluar fatale për drejtuesin e motoçikletës dhe pasagjeren e tij Era Demiraj, 19 vjeçe nga Elbasani. Përplasja e motoçikletës me kamioçinën, ka sjellë pasoja në shëndetin e Katirajt dhe Demirajt, të cilët u dërguan në spitalin e Gjirokastrës me shpejtësi për të marrë ndihmën e parë. Gjendja e të lënduarve ka qenë mjaft kritike, pasi kishin goditje në organet jetike dhe në kokë e kësisoj nevojitej një ndërhyrje më e specializuar, çka u mundësua falë dërgimit të tyre me helikopter drejt kryeqytetit në Spitalin Ushtarak. Grupi hetimor në vendngjarje ka kryer veprimet e para hetimore duke marrë deklarimet nga ana e dëshmitarëve në vendngjarje dhe më pas analizoi se shkaku paraprak i aksidentit është shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga të dy drejtuesit e mjeteve motorike, ndërkohë që po vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Drejtuesi i kamionçinës, lazaratasi Zaim Basha, është arrestuar për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.               p.n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura