Përballja e fortë në gjyq/ Vrau gruan gjyqtare, dy fëmijët i lihen në kujdestari…

Sep 5, 2018 | 19:37
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Gjykata e Tiranës ka vendosur t’ia njohë motrës së Fildes Hafizit kujdestarinë e dy fëmijëve të gjyqtares së ndjerë, e cila u vra barbarisht nga ish-i shoqi në gushtin e vitit 2017. Vendimi është dhënë pas një procesi të gjatë gjyqësor nga ana e gjyqtares Farie Bundo në Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës.

fildes

Që prej fundit të vitit të shkuar, procesi për kujdestarinë e dy prindërve ka qenë mjaft i debatuar në Gjykatën e Tiranës. Nga njëra anë ka qenë vëllai i Fadil Kasemit që ka pretenduar të marrë kujdestarinë e fëmijëve, dhe nga ana tjetër motra e Fildes Hafizit.

Në disa seanca gjyqësore, prezent ka qenë edhe vetë Fadil Kasemi, si palë e tretë, i cili është përballur në tetor të vitit 2017 me ish-kunatën e tij. Ai madje nuk u tërhoq në atë përballje dhe kërkoi që të merrte kujdestarinë e fëmijëve vëllai i tij. “Kam edhe unë motra e vëllezër plot”, pati reaguar në sallën e gjyqit.

NGJARJA

Fildes Hafizi u ekzekutua nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi, pranë shtëpisë ku banonte në Tiranë. Ajo po kthehej në shtëpi, kur ish-i shoqi iu shfaq befas dhe e qëlloi me armë zjarri. Më pas, ai tentoi të largohej nga vendngjarja duke ndalur një drejtues furgoni, por u prangos nga Policia.

Ngjarja është cilësuar si e paralajmëruar, pasi rreth një vit para saj, Fadil Kasemi kishte kërcënuar me armë ish-bashkëshorten te “Shkëmbi i Kavajës”. Në atë kohë, gjyqtarja arriti ta bindte Kasemin që të mos e qëllonte. Gjatë kësaj kohe, ajo ka bërë të gjitha përpjekjet që të transferohej si gjyqtare diku afër Tiranës për shkak se ndihej e kërcënuar, por kërkesa e saj u hodh poshtë nga KLD-ja, e cila e caktoi në Shkodër, rrethi më i largët që ajo kishte kërkuar.

PROCESI

Nga ana tjetër, Fadil Kasemi po gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, gjyqtares Fildes Hafizi. Kur është mbushur një vit që nga vrasja që tronditi vendin, Kasemi ende nuk ka shfaqur pendesë. Ai po lufton me të gjitha mjetet ligjore që të sigurojë gjykimin e shkurtuar, i cili, sipas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, nuk garantohet më për krimet në familje.

Në këto kushte, Fadil Kasemi rrezikon burgim të përjetshëm, aq më tepër që ekspertiza mjeko-ligjore e ka nxjerrë të përgjegjshëm në momentin kur është kryer vrasja. Megjithatë, procesi gjyqësor i tij është në ngërç. Herën e fundit është kërkuar përjashtimi i gjyqtarit Sandër Simoni nga trupa gjykuese, pasi sipas mbrojtjes ai mund të jetë i njëanshëm për shkak të njohjes që ka pasur me viktimën. Mirëpo, i njëjti argument mund të përdoret me çdo trupë gjykuese për të zvarritur procesin. Sandër Simoni, i cili është edhe kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, e ka dhënë dorëheqjen tashmë nga çështja.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura