Për vetingun, largimet nga KED dhe klithmat e Edi Ramës

Feb 2, 2017 | 13:18
SHPËRNDAJE

EDUARD HALIMI*halimi

VETINGU DHE LARGIMET

Pyetjes retorike nëse duhet të kalojnë vetingun njerëzit e drejtësisë i përgjigjen pozitivisht besoj të gjithë ata që pyeten në çdo sondazh.

Nuk kam pikë dyshimi se njëlloj do t’i përgjigjeshin pyetjes për vetingun e çdo politikani dhe zyrtari në vend, pavarësisht nëse ka ose jo gjyqtarë të ndershëm, zyrtarë, apo njerëz të përfshirë në politikë që nuk janë të korruptuar. Nëse do të pyeteshin për t’i hequr të gjithë, përsëri numri i atyre që do të hezitonin në ndonjë pyetësor do të ishte tmerrësisht i vogël, madje edhe nëse do t’i pyesnim nëse duhej t’i burgosnim apo t’i varnim në litar të gjithë këtë kategori, numri i atyre që do të përgjigjeshin negativisht kam frikë të them sa i vogël do të ishte.

Propaganda, populizmi dhe përgjithësimi kanë të gjithë këto efekte, të cilat njihen prej shekujsh në njerëzim. Por çdo njeri i arsyeshëm e kupton se zgjidhje të tilla nuk janë racionale, e aq më pak të dobishme për qëllimin e mirë për një sistem drejtësie të përgjegjshëm të pakorruptuar dhe pa dyshim të pavarur nga kryeministri i radhës.

Vetingu, i konceptuar si një proces me tre komponentë, pavarësisht se është eksperimental për disa kontinente, (përfshi dhe kontinentin tonë) shmang përgjithësimin, kalon nëpërmjet një karantine të plotë çdo njeri të drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë, të pasurisë, të aftësisë dhe lidhjeve me krimin e organizuar. Unë nuk e di se sa do t’i rezistonte Parlamenti dhe qeveria të paktën komponentit të tretë, ku 1/4 e tij rrinë me sytë nga TV kur do të dalin titrat me emrin e tij të lidhur me krimin, por le të mos dalim sot nga çështja e drejtësisë. Ajo që besoj bien dakord të gjithë është që vetingu të mos ketë duart e politikës brenda, sepse do të afektojë më shumë korrupsion dhe jo zgjidhje.

Për ne është shumë e qartë, por dua ta bëj të qartë edhe një herë për publikun dhe palën tjetër: Vetingu nuk duhet të bëhet nga institucionet e Kryeministrit, pavarësisht kush është ai (aq më pak ky), por duhet të bëhet nga Komisioni Kushtetutës i vetingut. Kjo është kaq racionale për çdo njeri të arsyeshëm. Në thelb, Gjykata Kushtetuese në arsyetimin e vendimit të saj konfirmoi pikërisht këtë shqetësim të opozitës dhe qëndrim të Komisionit të Venecias që institucionet qeveritare, nuk mund të mbledhin informacione vetë për njerëzit e drejtësisë, në mënyrë të njëanshme (pasi do të jenë selektive), por duhet ta kryejnë këtë proces nën varësinë e institucioneve të vetingut. Klithma e fundit e Ramës nuk është se lë shpresë për një proces kushtetutes, kur ai medemek e dinte se sa shumë do të iknin nga sytë këmbët sipas informacioneve që ai kishte, por le të presim.

Unë besoj që çdo qytetar racional do të presë me kureshtje dhe qëllimmirë çdo rast individual të gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët do të kalojnë ose jo vetingun. Fatkeqësisht do të duhet të presim nga 5-9 vjet përfundimin e procesit pas këmbënguljes së Edi Ramës për ta mbajtur sa më gjatë procesin, edhe pse opozita dhe “Venecia” kërkuan që afati të ishte më i shkurtër.

LARGIMET NGA KED

Ditën e parë të hyrjes në fuqi të vetingut, sipas mediave, kanë dhënë dorëheqjen 5 gjyqtarë (2 prej të cilëve, njërit i mbaron mandati dhe tjetri del në pension) dhe një prokuror, i cili po ashtu dilte në pension pas disa javësh. Pritshmëritë e propagandës ishin të mëdha, përfshi edhe ndonjë delirant që bërtiste se 150 do të iknin sapo të hynte ligji në fuqi. Nuk di të them nëse ishte propaganda e tepërt, presioni i tepërt, shtylla e turpit që kërcënonin gjyqtarët e prokurorët me kuç e maç, që nuk sollën rezultatin e imagjinuar nga makineria e propagandës, por di të them se si çdo gjë me tepri, edhe ato të gjitha sipër ndikuan absolutisht. Ndaj tani të presim me këmbë në tokë rezultatin për secilin në procesin e vetingut.

Për shkak të përvojës 22-vjeçare si jurist, por edhe të punës sime si avokat deri në 2005 e më pas në detyra ekzekutive, njoh një pjesë të mirë të gjyqtarëve dhe më pak të prokurorëve të vendit. Nuk dua të zgjatem këtu se çfarë mendoj, sa janë të korruptuar dhe sa të ndershëm, as sa u shkarkuan në atë kohë, sa u proceduan etj., pasi të shohim nga e tashmja dhe e ardhmja, që është vetingu.

Por sot dua të ndalem te 2 largimet nga KED. Unë nuk i kam pyetur se përse u larguan, por jam i bindur se 2 anëtarët e larguar nga KED, zonja Fana dhe zoti Kristo, nuk kishin të bënim fare me përgjithësimin që iu bë në media dhe propagandën e qeverisë. Gjykata Kushtetuese dha një shpjegim shterues për z.Kristo dhe Gjykata e Lartë publikoi letrën e znj.Fana.

Për shkak se i njoh të dy në këta 22 vjet të profesionit, qëndrimi im është subjektiv. Por ama është e vërtetë se Mirela ka hyrë në sistemin e drejtësisë 25 e kusur vjet më parë si një studente e ekselencës, pa asnjë lidhje me politikën. Ka qenë në kohën më të madhe gjyqtare e së drejtës civile dhe familjare, seksion ku rastet e ryshfetit në drejtësi janë minimale dhe kur për Mirelën nuk është dëgjuar, shkruar ose parë në gjithë karrierën e saj, as edhe një rresht, fjalë apo germe për ta akuzuar për korrupsion. Mediat pranë qeverisë u turrën për t’ia nxirë figurën me “super” pasurinë, edhe pse askush nuk tha se ajo është bashkëshortja e një prej avokatëve më të suksesshëm që ka vendi, që normalisht jeton mirë. E kam njohur shumë mirë Neshat Fanën, kohës kur isha avokat, dhe nuk kam parë avokat që të punojë aq shumë orë, me aq shumë punë dhe me aq shumë profesionalizëm. Dhe po kaq një tatimpagues super i rregullt në atë kohë, kur vetëm 4% të avokatëve ishin regjistruar në Tatime dhe 96% punonin në të zezë. Pa dyshim që ka avokatë shumë më të pasur se ai dhe pa dyshim më pak të pasur se ai, por avokatë “të varfër” nuk është se ka shumë, ndaj një shtëpi më shumë apo më pak nuk çudisin askënd.

Sa për Ladin (Vladimir Kriston), nuk besoj se ka jurist në Shqipëri që të më thotë se ai nuk është ndonjë nga gjyqtarët më profesionistë dhe më të ndershëm të këtij vendi. Askush nuk ka shkruar as edhe një rresht, as edhe një fjalë, as edhe një germe për korrupsion për Ladin, në të gjitha detyrat që ai ka mbajtur në këto 30 e kusur vjet. Thonë që dora nuk vihet në zjarr as për vëllain, por Ladi pa dyshim që përbën ndoshta një përjashtim. Unë mund të rendis pa fund vendime, të cilat kanë qenë kundër PD-së në karrierën e tyre dhe mua nuk më kanë pëlqyer aspak, por ama kjo nuk më pengon të them se të dy të larguarit dhe të sulmuarit nga Rama, nuk kanë të bëjnë fare me përgjithësimin se u larguan nga frika e vetingut dhe se janë gjyqtarë profesionistë e të ndershëm.

KED DHE KLITHMAT E RAMËS

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) në momentin e draftit të shtatorit 2014 (versioni i parë i superekspertëve të nivelit super të lartë të Ramës) kishte shumë kompetenca dhe ishte nukli i qeverisjes së ardhshme të gjyqësorit. Mënyra si ishte kompozuar, ku të gjithë i emëronte Edi Rama me kritere selektive, diku më i vjetri në moshë, e diku më i vjetri në profesion, u kontestua fort nga opozita. Ne i bëmë të qartë palës tjetër, Komisionit të Venecias dhe miqve ndërkombëtarë se kjo ishte e papranueshme. Formula që ata zgjodhën ishte shorti, si një mekanizëm që zgjidhte njërin prej problemeve, kapjen politike të drejtësisë. Dhe kështu ndodhi. Rama i pakënaqur me zgjidhjen i hoqi disa kompetenca KED dhe sot ajo ka kompetenca simbolike pothuajse, siç janë renditja e kandidatëve për në GJK dhe atyre për inspektor të përgjithshëm.

Por pse u mërzit Rama dhe gjithë ushtria e tij politike dhe mediatike me shortin? Motiv për t’u mërzitur kishte opozita, sepse shortin, sipas Kushtetutës, duhet ta hidhte Presidenti i Republikës dhe jo bashkëkryetari i maxhorancës. Por, edhe pse opozita nuk ishte dakord dhe për këtë arsye besoj nuk mori pjesë në shortin e hedhur nga Ilir Meta, ai që ulëriti ishte Rama dhe gjithë ushtria e pushtetarëve.

Arsyeja është e thjeshtë. Gjithë reformën Rama e ka menduar si një investim në “bankën e favoreve” të Paolo Coehlios: unë të bëj një nder, investoj në karrierën tënde dhe ti je i detyruar të më shërbesh sepse je fund e krye investimi im.

Kjo filozofi e konceptimit të drejtësisë për ta pasur nën vete nuk funksionon te shorti, as për emrat që zgjidhen dhe as që ata që zgjidhen të ta dinë për nder që u zgjodhën. Atyre u ra “bixha” (gogla) dhe nuk ia dinë për nder askujt në detyrën që kanë marrë, as opozitës dhe as qeverisë. Unë jam i vetëdijshme se gogla nuk është zgjidhje për reformën, për cilësinë e kandidatëve jo e jo, por si opozitar jam i qetë se kundërshtari politik nuk e kap.

Arsyeja tjetër është trembja e njerëzve të tjerë të drejtësisë që do të kandidojnë në institucionet e tjera të drejtësisë, KLGJ, KLP, SPAK etj. Po kandiduat dhe fituat pa lejen time, unë ju telendis. Por pak gjasa ka që sërish trembja dhe intimidimi të jenë elemente suksesi në Reformën në Drejtësi në 2017, siç ishte dita e shumëpritur e hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut.

Se sa gjyqtarë e prokurorë do të rrinë dhe sa do të ikin nga KED apo nga i gjithë sistemi i drejtësisë, të gjithë duhet të presim analizën individuale të secilit prej tyre nga Komisioni Kushtetues i vetingut me mbikëqyrjen e OMN-së. Por ajo që mund të them me siguri është se ata që do të dalin me sukses nga karantina e drejtësisë, vetingu, do të krijojnë institucione, të cilat do të vetëqeverisin drejtësinë, pavarësisht kush është kryeministri apo ministri i radhës në drejtësi, pasi ata nuk do të kenë mundësi as t’i inspektojnë, disiplinojnë apo promovojnë gjyqtarët e prokurorët.

Gjithçka do ta bëjë qeveria e drejtësisë e përbërë nga rreth 22 gjyqtarë e prokurorë, të cilët do të vendosin vetë se kush do të emërohet, shkarkohet, apo promovohet. A do të jetë ky mekanizëm për të luftuar korporatizmin në drejtësi, si një problem po kaq i madh sa korrupsioni? Le ta shohim në vijim nëse kjo çështje e ngritur kaq fort nga opozita 1 vit më parë do të rezultojë e vërtetë, por ama ajo që mund të them në fund si opozitar është se klithma e Ramës ka të bëjë me pamundësinë e kapjes politike të drejtësisë nëse nuk fut duart, siç ndodhi me KED, dhe për këtë mjafton sot si provë.

*Deputet, PD

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura