Për prof. dr. Shahin Kadarenë e mjekësisë sonë

Nov 19, 2021 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA PROF. DR. ISUF KALOIsuf Kalo

Një çast mbeta pa frymë. Një lëmsh më shtrëngoi kraharorin. Pash befas në kompjuter lajmin e ndarjes nga jeta të mikut dhe kolegut tim të shquar Shahin Kadaresë. Përpëlita sytë dhe e lexova lajmin e hidhur e të papritur disa herë. Nuk ishte krejt i papritur për mua. E dija që së fundi ishte i sëmurë rëndë. Por ishte e pabesueshme. Sepse ne mjekët prandaj mbajmë veshur bluzën e bardhë të shpresës, që ajo të ndjellë mrekullinë ose ta shtyjnë në pafundësi të keqen. Shahin Kadarenë e kam njohur që në vitet kur të dy ishim studentë në Fakultetin e Mjekësisë.

Unë isha një vit më përpara tij. Ai pat ardhur nga gjimnazi i Gjirokastrës dhe me sa më kujtohet kishte ardhur në Universitetin e Tiranës njëkohësisht me Viktor Zhustin, me të cilin ishin shokë të ngushtë. Shahini për mjek dhe Viktori për aktor. Qenë si dy pole në profesionet e tyre, por ata bashkoheshin dhe plotësonin njëri-tjetrin me mënyrat e ndryshme të komunikimit dhe të humorit. Viktori shpërthyes, gazmor, deklamativ. Shahini i heshtur, në dukje i përmbajtur, por me humor të hollë “anglez”. Të dy u bënë profesionistë dhe intelektualë të shkëlqyer.

MJEK I PASIONUAR

Shahini shkëlqeu në specialitetin e Onkologjisë kundër kancerit. U bë një nga specialistët tanë më të zëshëm në këtë fushë me kontribute të mëdha në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ishte ndër të rrallët, në mos i vetmi në gjithë historinë e mjekësisë sonë, që kërkimi i tij shkencor në mbrojtje të gradës shkencore “Kandidat i Shkencave Mjekësore” u vlerësua se meritonte një gradë edhe më të lartë duke i akorduar atij direkt gradën e “Doktorit të Shkencave Mjekësore”. Pas saj edhe titullin pedagogjik “Profesor”. Udhëheqësi e mentori i tij shkencor i atij punimi ishte profesor Pëllumb Bitri, një emër i madh i mjekësisë sonë, ai njihej për sqimën dhe kërkesat e larta deri në cinizëm ndaj nivelit profesional të bashkëpunëtorëve të tij.

Kur unë isha student, ai m’u drejtua njëherë me ironi “ti aty me bluzë të bardhë si të Maksim Gorkit”. E gjithë klasa qeshi. I druhesha pas kësaj gjithmonë ironisë së tij. Por shumë vite më pas u bëmë me të kolegë dhe miq. Atëherë, kurioz për vlerësimin superlativ e ekscepsional të tij ndaj disertacionit të Shahinit e pyeta profesor Bitrin se me çfarë e kishte magjepsur dhe tjetërsuar atë ditë që u tregua aq entuziast?. “Kishte punim të shkëlqyer, mjaft origjinal dhe po aq me interes shkencor, më tha. Nuk pata besuar se do realizohej ndonjëherë te ne me atë nivel të lartë”. Pastaj shtoi: “Shahini është i paqortueshëm si person në seriozitetin e asaj që bën.

Është i pakrahasueshëm në integritetin e tij. Ai ka shumë vlera brenda vetes që nuk i tregon”, përfundoi ai. Dhe, në fakt, Shahini shkroi dhe botoi më pas libra artikuj dhe referate shkencore në revista e buletine shkencore të vendit e të huaja të shumta me subjekt Onkologjinë, sidomos në fushën e Citologjisë Morfologjike. Ato i përkasin tashmë fondit shkencor në dispozicion të mjekësisë sonë në tërësi.

GENE TË FSHEHURA LETRARE

Të them të drejtën, e pata zili kolegun tim. E kisha zili, edhe pse kishte vëlla Ismail Kadarenë e madh. Genet e gjenialietit të tij nuk mund të mos qenë prezent edhe te vëllai më i vogël. Gjithmonë më është dukur e çuditshme se si Shahini mundi të ruajë dinjitetin, vlerat intelektuale e profesionale pa zhurmë, pa reklamë, pa mburrje, qetësisht në heshtje. Si mundi të rritej e të jepte fruta ai nën hijen aq të gjerë madhështore me dimensione planetare të vëllait të madh, pa përfituar dhe pa e keqpërdorur afërsinë dhe famën e tij? Me ose pa ndërgjegje, ai mund ta ketë kyçur brenda vetes tërheqin ndaj artit letrar. Dikur më pati rënë në dorë një libër i vogël i tij për kancerin, e vulgarizuar e shkruar enkas prej tij për të informuar të sëmurët dhe publikun e gjerë me njohuritë dhe misteret e kancerit.

Një libër të ngjashëm pata shkruar disa vite më parë edhe unë për sëmundjen e Diabetit. Sëmundja e kancerit është më e trishtuar e më pesimiste se sa Diabeti, por Shahini e pati përshkruar me një delikatesë dhe ngrohtësi njerëzore prekëse dhe me një gjuhë letrare të ngrohtë impresionuese sa të dukej e pabesueshme që përmbajtja e atij libri që fliste për një sëmundje aq dramatike, të ishte aq tërheqëse sa nuk e lëshoje nga dora pa e mbaruar. Ndihej që kishte rrahje zemre në të. Atëherë, për herë të parë mendova se talenti i të vëllait të madh nuk mungonte as tek ai, por (me apo pa koshiencë) qëndronte i fshehur dhe mbeti i tillë brenda tij përgjithnjë.

AMBASADOR PA SALLTANETE

Vite më vonë pa filluar ende ndryshimi i sistemit tonë politiko-shoqëror Shahini, që nuk ishte mburrur ndonjëherë në CV e tij se kishte vëlla Ismailin, iu desh të provonte sulme dhe margjinalizim për shkak të qëndrimeve dhe prononcimeve kontestatore të vëllait ndaj Ramiz Alisë, i cili ishte asokohe ende në pushtet. Disa kolegë të politizuar, militantë partiak u shmangeshin takimeve dhe bisedave me të. Në një nga ato ditë e pashë tek po ecte në këmbë vetëm, i zymtë në rrugën e spitalit në trotuarin pranë ish-konviktit Nr. 2 të studentëve të Mjekësisë. Unë qëllova të isha duke ecur në trotuarin përballë. M’u duk që kinse bëri sikur nuk më pa. Kalova rrugën dhe u bashkova me të.

“Si je? – i thashë. Nuk më pe?”. “Të pashë – më tha, por ik të mos gjesh belanë”. “Mos lër nam – i thashë. Ti as ke ngarë, as ke vrarë njeri”. Ai tundi kokën. “Nuk mjafton kjo -tha- kur ke pas shpine ca zuzarë”. Përkundrazi, gjatë përmbysjes së regjimit të mëparshëm në vitin 1997, Shahini pasi ishte përfshirë dhe kishte kontribuuar në zhvillimet demokratike të vendit, u emërua ambasador në Suedi, por me mandat edhe për vendet e tjera skandinave. Detyrë e papritur për të. Unë asokohe punoja si ekspert në OBSH (Organizatën Botërore të Shëndetësisë për Europën me seli në Kopenhagën. Nuk e kishim imagjinuar se do të takoheshim atje.

Shahini erdhi disa herë mysafir tek unë nga Suedia bashkë me të shoqen, Lanën, në Kopenhagën dhe po ashtu unë me time shoqe, Desin, i vizituam ata në Stokholm ku kaluam një natë të paharruar si miq të tyre. Patëm, mundësi të takoheshim edhe disa herë të tjera në fshatin Eket të Suedisë ku im bir që pati kryer studimet në atë shtet kishte një shtëpi të vogël fshati atje. Bisedat mes nesh atje qenë tejet të këndshme. Kur Shahini dilte nga indiferenca, zymtësia ose shpërfillja sipërfaqësore ndaj ambientit që e rrethonte ai bëhej vetvetja me çiltërsi dhe humor të pashoq. Më pas një gotë me verën e tij të preferuar Mouton Cadet humori i tij shpërthente dhe Shahini i mbyllur befas sikur çlirohej dhe dhuronte një humor të rrallë për nga finesa. Një mbrëmje të paharruar të Vitit të Ri e kaluam së bashku në Eketin e mbuluar me dëborë. Me të, përveç Lanës, erdhi edhe Gresa e Ismailit së bashku me të shoqin dhe vajzën e tyre. Kaluam një mbrëmje me hare të papërsëritshme. Shahini ishte sherbeti i saj.

Stokholmi ishte rreth tri orë me makinë larg prej Eketit, por Shahini sapo e kishte mësuar të voziste makinën dhe ngiste shumë ngadalë. E bënte rrugën për 5 a 6 orë. “Mjerë kjo goxha veturë për shoferin që ka”, e ngacmoja unë. Ai qeshte. “Nuk thua shyqyr dhe kaq – përgjigjej ai”. “Prit kur të na bëhesh tani Konica i Skandinavisë”, e ngacmova një herë tjetër. “Çfarë thua? Mezi po pres ta heq qafe këtë petkë. Nuk është për mua”, m’u përgjigj i vendosur ai. Dhe bëri atë gjestin që do të thotë ‘Larg qoftë’. Ambasadori Shahin Kadare nuk ishte fans i veshjes firmato, as frekuentues i restoranteve e hoteleve luksoze, as i festimeve të shtrenjta. Ishte pa lakmi për famë e karizëm, pa sqime formaliste, pa vanitet për paraqitjen dhe rregullat protokollare, por me intelekt, kulture autentike selektive dhe sy të mprehtë për zhvillimet politike dhe sjelljen e politikanëve.

Kostumi i ambasadorit atij i rrinte i shtrënguar dhe e pengonte në natyrshmërinë dhe moskapardisjen e tij. “Portokalli” shqiptare në Kopenhagën Një herë e pashë Shahinin më të decepsionuar se kurrë ndonjëherë me detyrën që i kishin ngarkuar. Ishte planifikuar një takim i Kryeministrit tonë të atëhershëm me Kryeministrin danez në Kopenhagën. Takimi qe caktuar pas dite në orën 17:00. Sipas protokollit, danezët kishin ftuar si miq me shpenzimet e tyre në palën shqiptare gjithsej 5 persona, përfshi Kryeministrin. Shahini kishte ardhur posaçërisht nga Stokholmi në Kopenhagën që t’i priste. Por aksidentalisht avioni që duhej të vinte nga Roma u vonua dhe Kryeministri ynë me eskortën e që e shoqëronte arriti shumë më vonë sesa ora e paracaktuar.

Nga ana protokollare, ky ishte skandal që ia vështirësonte detyrën çdo ambasadori me palën daneze. Kryeministrin ynë në vend të pesë personave çuditërisht e shoqëronin 9 të tillë, mes të cilëve një fotograf, një gazetare dhe një operator TV, për të cilët nuk ishte rezervuar as hotel, as u ishin dhënë me vete paratë e dietave që u takonin. Shahinit në atë orë të vonë të natës iu kërkua që t’i sistemonte personat e tepërt, ndërkohë që ai nuk kishte asnjë fond në ambasadë në dispozicion për këtë qëllim.

I dëshpëruar më mori në telefon dhe u takuam afër mesnatës në hotelin SAS në qendër të Kopenhagës. Ai ishte pikë e vrerë. “Ore, këta o janë budallenj, o janë maskarenj”, tha i revoltuar. “Kërkojnë hotel dhe ushqim për të paftuar dhe nuk sjellin as nuk japin para. Thonë vetëm bëje. Vrit veten po deshe”. Unë mora në telefon time shoqe dhe ramë dakord që ata tre të medias të vinin miq në shtëpinë time atë natë. Shahini i lehtësuar më falënderoi. Ai me vështirësi i kapërdinte situata të tilla dhe përgjithësisht kontaktet me politikanët e asaj kohe të të gjithë spektrumeve.

Ata i dukeshin larg nivelit kulturor, por edhe të temperamentit të tij. Ndonëse i përmbajtur në dukje, në brendësi ai ziente ndaj servilizmit, sjelljeve vulgare provinciale dhe në përgjithësi ndaj nivelit të ulët intelektual e kulturor. Mendjen dhe zemrën e kishte te mjekësia dhe veçanërisht tek onkologjia, te lufta kundër kancerit, së cilës i kishte përkushtuar pasionin dhe jetën e tij. Mezi priste të rikthehej aty.

BALTA MË E ËMBËL SE MJALTA

Sapo u kthye pas mbarimit të misionit në Shqipëri, Shahini e flaku kostumin e diplomatit dhe veshi atë të mjekut. Madje, nuk deshi të kishte më të bënte fare me institucionet shtetërore. Nuk ia duronte atyre ngadalësinë, korrupsionin, arrogancën dhe prepotencën burokratike. Pati ëndërruar të ishte profesionist i lirë dhe mundësia për këtë tashmë ekzistonte. Ndodhi që atë kohë unë, ndonëse ende isha me detyrë në OBSH në Kopenhagën, erdha për një vizitë të shkurtër disa ditore në Shqipëri. U takuam me mall. Ai më tregoi planin e tij. Kishte marrë me qira një apartament të vogël në pallatin e Shallvareve përballë lokalit “Tajvan”. Aty ngriti me forcat dhe shpenzimet e veta një laborator për Citologjinë Onkologjike ku vazhdoi të jepte një kontribut shumë të çmuar në diagnostikën e kancerit deri në fund të jetës.

Më ftoi ta vizitoja atë, ndonëse nuk e kishte pajisur plotësisht. Por ishte plot energji dhe padurim për t’u kthyer te dashuria e tij profesionale. Më ftoi edhe për drekë. “Ore, gjirokastrit çka ndodhur me ty? Po më habit”, i thashë për ta ngacmuar. “Pa protokoll -tha- do të shpie te një restorant i vogël, por që i gatuan fasulet në mënyrë ekcepsionale”. Dhe më çoi me makinë që e ngiste ai vetë diku te rruga “Muhamet Gjollesha”. Përballë lokalit e parkoi makinën anash trotuarit. Zbritëm të dy, por pasi bëmë pak hapa pamë që lokali ishte i mbyllur përgjithnjë. “Sa keq, tha, se vërtet bën gatim të mrekullueshëm”. “Ore, mos e dije që ishte i mbyllur”, e ngacmova unë përsëri. Qeshëm dhe u kthyem për te makina. Por çuditërisht në ato pak çaste një makinë tjetër ishte parkuar në mënyrë të kundërligjshme paralelisht me tonën, çka e bënte të pamundur të lëviznim prej andej. “Bjeri fort burisë që të vijë ta lëviz”, i thashë.

“Ai ka të ngjarë që po na sheh, por aq i bën”, tha i përmbajtur ai. Unë u çudita. “Në Danimarkë po të guxojë dikush të bëjë këtë i gjuajnë me shkelma makinës fajtore”, thashë unë. “Po, tha Shahini, por këtu or mik nuk të gjuajnë me shkelma, por me …plumba”… Kam qeshur më pas sa herë e kujtoja këtë episod. Ishte tipik reagimi plot realizëm e pjekuri i këtij intelektuali që e njihte Shqipërinë dhe njerëzit e saj me rrënjë, më thellë sesa arritën që ta njihnin atë vetë ata. Lamtumirë mik e koleg i çmuar! Nuk mundem të shkruaj dot sot më shumë për ty, Shahin. Do lë kujtesën që të flasë më pas heshturazi, më gjatë. Në Kopenhagenin që e pëlqeje aq shumë, tani është ende vjeshtë. Gjethet e blerta të pemëve janë zverdhur, tharë, kuqërruar dhe po bien heshturazi trishtueshëm në trotuare dhe parqe një nga një. Gjethe që do biem një ditë jemi të gjithë ne. Por ti ishe edhe pemë me trung të palëkundshëm dhe rrënjë të thella. Falë tyre munde që t’i dhuroje fruta të çmuara mjekësisë, onkologjisë dhe shoqërisë sonë. Faleminderit mik e koleg i dashur. Jemi me fat që të patëm e të njohëm. Nuk do të harrojmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura