Pensionet private, a ka shpresë për zgjidhje?!

Oct 10, 2015 | 12:04
SHPËRNDAJE

avni-ponariAVNI PONARI

   Në Shqipëri tregu i pensioneve private vullnetare është tejet i vogël, aktualisht zë vetëm 0.05% të GDP-së, ose 0.07% të të gjithë të ardhurave nga sigurimet private. Primet bruto nga pensionet private vullnetare llogariten në 4.9 milionë euro dhe deri në fund të marsit të këtij viti numëronte 9,700 individë të përfshirë në skemë.
Për të paraqitur mundësitë për rritjen e këtij tregu, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me mbështetjen e Bankës Botërore zhvilloi një takim, ku të pranishëm ishin edhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar dhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë e drejtues të fondeve të pensioneve private të tri shoqërive private, që e ofrojnë këtë produkt në tregun e sigurimeve në Shqipëri.

Një takim i gjerë, me ide plot, por pak shpresë për zgjidhje konkrete! Pse e them këtë?
Në skemën e vjetër të pensioneve shtetërore raporti ishte 1.1 kontribues me 1 përfitues, ku realisht duhet të ishte 4-6 kontribues dhe 1 përfitues, pasi 45% e kësaj skeme paguhet nga buxheti i shtetit (nga taksat tona si qytetarë), e përkthyer në shifra do të thotë që 74 miliardë lekë çdo vit paguhen nga shteti, pasi kjo skemë është jofunksionale. Iniciativa e qeverisë për rimodelimin dhe përmirësimin e kësaj skeme është pa dyshim një hap i drejtë për të shkuar drejt një standardi europian, ku secili duhet të kontribuojë për veten dhe jo për tjetrin. Me skemën e vjetër qytetarët dhe punëdhënësit paguajnë 21.6% (kontributet e punëdhënësit dhe punëmarrësit ndahen në dy kolona, por derdhen në një llogari, që në fund të fundit është kosto e kompanive) për kontribute për pension, kontribute të cilat shpërndahen për të gjithë shoqërinë dhe dihet që nuk shkojnë direkt tek ai që i paguan kontributet.

Për të shpëtuar nga kjo skemë, reforma e re e qeverisë parashikon forcimin e tri shtyllave: kontributin e detyruar, kontributin vullnetar dhe skemën private. Autoritetet po shohin mundësinë për ndërhyrje në legjislacion për të krijuar hapësira për zgjerimin e mbulimit, por deri më tani ende asgjë konkrete nuk është bërë. Edhe në takimin e djeshëm, të pranishmit folën për një sërë problematikash, për rëndësinë e përfundimit të ndryshimeve fiskale në mënyrë që të nxitet kursimi për pensione private, apo siç edhe theksoi zonja Tahseen Sayed, menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, zbatimi i reformave të rëndësishme të qeverisë për pensionet publike dhe përmirësimi më tej për zgjerimin e mbulimit të pensioneve private.

Por çfarë konkretisht do të bëhet për fillimin e ideimit dhe hartimin ligjor të këtyre reformave e më tej për t’u zbatuar? Si do të zgjerohen konkretisht pensionet private? Çfarë po bëhet me tri shtyllat që u propozuan për skemën e re të pensioneve?
I vetmi që preku më konkretisht këtë problematikë ishte ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i cili theksoi nevojën e krijimit të shtyllës së tretë të skemës së pensioneve. Pra, hartimi i një ligji, ku pensionet private të bëhen të detyruara, pasi dihet fort mirë që fondet private të pensioneve vullnetare nuk po funksionojnë aq mirë, megjithëse ka gati 10 vjet që janë hapur.

Çdo punëdhënës apo punëmarrës që do të lexonte këtë shkrim do të thoshte: E pse duhet të paguaj ca para më tepër?! JO! Nuk është fjala për të rritur përqindjen aktuale që është e detyrueshme me ligj, 21.6%, (që mbase ka akoma hapësirë për t’u rishikuar), që paguhet aktualisht për kontributin e pensioneve, por nga kjo shifër një pjesë t’u kalojë shoqërive private të pensioneve. Qoftë edhe 1.6% e këtij kontributi që derdhen në shtet të kalonte në administrimin e shoqërive private të sigurimeve, do të ishte një lehtësim dhe një mundësi më e mirë për të pasur një të ardhur shtesë, një pension privat për të gjithë kontribuesit qoftë të detyruar, qoftë vullnetarë, sepse ky kontribut do të jetë një investim për vetë ata, të cilët në kohën e daljes në pension do ta marrin në formën e një pensioni të dytë privat me nivele shumë më të larta se në shtet, duke filluar nga mosha 60-vjeçare.

Sepse kështu është në të gjithë botën, nuk është asgjë e re për Shqipërinë, por këtu te ne mungon iniciativa dhe dikush thotë që mungon aftësia mbikëqyrëse e tyre. Nëse është kështu të reformojmë institucionin mbikëqyrës, por t’u japim mundësinë punëmarrësve shqiptarë që të kenë edhe një alternativë tjetër për ato para që paguajnë si kontribute për sigurimet shoqërore.
Pra, heqja e një përqindjeje sado të vogël nga administrimi shtetëror i kontributeve të qytetarëve për pensionet dhe kalimi te shoqëritë private, do të “justifikonte” lindjen e pensioneve private si një alternativë zhvillimi dhe nga ana tjetër si një alternativë që ekziston kudo në botë…

Ndryshe me skemën ekzistuese pensionet private nuk kanë asnjë vlerë, sepse paralelisht me ato, madje me një avantazh më të madh, janë shoqëritë e sigurimit të jetës, në të cilat ke të siguruar edhe jetën, por edhe mund të marrësh një pension mujor përsëri me sigurim jete dhe ku çdo person e zgjedh vetë shumën që do ta sigurojë jetën e tij dhe mënyrën se si do ta marrë këtë investim. Ai mund të zgjedhë që në moshën e daljes në pension këtë kontribut ta marrë si një kuotë mujore, pra si një pension privat, për shembull 500 euro në muaj (në varësi të shumës që ka kontribuar ndër vite).

Që kompanitë të përligjin operimin e shoqërive private të pensioneve në tregun e sigurimeve duhet që qeveria të ndërhyjë me rregullimin e legjislacionit në këtë fushë. Nga ana tjetër, kjo nuk sjell asnjë kosto shtesë as për punëdhënësin, as për punëmarrësin dhe as për vetë shtetin. Pse? Sepse punëdhënësi dhe punëmarrësi do të paguajnë të njëjtën kuotë të kontributit të pensioneve, por nga ana tjetër ka dhe një alternativë zhvillimi të tregut financiar. Sado e vogël të jetë kjo shumë, që do jetë e detyrueshme, ajo do krijojë në një formë apo tjetër dëshirën për të rritur investimin individual dhe do të edukojë te shqiptarët frymën e investimeve sado të vogla në interes të tyre dhe të rritjes së të ardhurave të tyre.

Duke marrë parasysh kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, do të ishte e drejtë që 3%-5% e kontributit të përgjithshëm të përcaktohet si një kontribut i detyrueshëm privat. Kjo skemë është më funksionalja momentalisht, pasi në Shqipëri afro 80% e GDP-së përbëhet nga taksat e vjelura nga sektori privat, ndaj duhet që sektori privat të vlerësohet shumë më shumë nga çfarë është aktualisht. Së dyti, kjo skemë do të ndihmonte më mirë ekonominë e vendit, duke bërë që paratë e qytetarëve shqiptarë të investohen në instrumente financiare afatgjatë 5-10-vjeçarë (obligacionet). Së treti, kjo skemë dhe kjo nismë ligjore duhet të jetë në kuadër të reformave dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë europian. Reformat si në çdo fushë tjetër, duhet të jenë edhe në fushën e sigurimeve shoqërore, si një kusht i domosdoshëm për anëtarësimin në familjen europiane.

Sistemet private të pensioneve u japin zgjidhje mjaft problemeve që dikton koha: a- Zgjidhin kontradiktën e brezave, duke e bërë brezin e ri më të interesuar për t’u siguruar e për të derdhur kontribute. b- Zgjidhin problemet e shtrembërimit të tregut të punës, i cili zë rreth 32% të informalitetit, si në rastin e evazionit të zi, ashtu edhe të atij gri, mjaft shqetësuese sot, pasi lidhet shumë mirë masa e kontributit me atë të përfitimit. c- Ofrojnë përfitime në kushte më të favorshme moshe e vjetërsie në punë, duke e caktuar vetë kohën e pensionit dhe masën e tij. d-Ofrojnë përfitime më të larta se skemat e solidaritetit, që në kushte të barabarta janë shumëfish i tyre. e-Ofrojnë zgjidhje për një jetesë normale, atëherë kur ti vetë nuk mund të punosh dhe fëmijët nuk mund të të mbajnë dot me të ardhura.

Shqipëria ka nevojë të hedhë tani themelet e një sistemi të diversifikuar pensionesh, ku rëndësi kritike kanë si pensionet publike, ashtu edhe ato private, për të kontribuar në sigurinë financiare të vendit. Pjesë kyçe e këtij sistemi janë sipërmarrjet private, e veçanërisht industria e sigurimeve private, e cila ka nevojë të rigjenerohet dhe të mbështetet nga shteti, e jo të hartohen ligje tejet të rënduara në kurriz të këtyre sipërmarrjeve!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura