Pensionet, kompensimet nga viti ’93 për ushqime dhe drita

Mar 6, 2017 | 16:00
SHPËRNDAJE

NE Rreth 1650 lekë në muaj shtesë marrin pensionistët në formë kompensimi për ndryshimin e çmimit të bukës dhe energjisë elektrike.  Për shumëkënd kjo vlerë mund të cilësohet simbolike, por është pikërisht ajo çfarë qeveritë vit pas viti kanë ofruar për familjet pensioniste si “bonus” për të justifikuar politikat e tyre. Kjo vlerë, e cila tërhiqet bashkë me pensionin, nuk është e njëjtë për të gjithë.

pensioniste1

Ka kategori, të cilat marrin më pak, kjo në varësi të disa kritereve të përcaktuara më herët. Argumenti më i mirë për ta treguar këtë është vendimi i 2015-s. Kur Qeveria vendosi të heqë fashën për konsumin e energjisë deri në 300 kw/orë, barra më e rëndë u mbeti pensionistëve. Për ta zbutur disi këtë ndikim u mendua që për të moshuarit dhe disa kategori të tjera në nevojë të ofrohej shpërblim ekstra, në formën e rimbursimit në masën 648 lekë në muaj. Por, nga kjo vendimmarrje nuk përfituan të gjithë, por vetëm 85 mijë pensionistë.

Çka mbetet e njëjtë për pjesën dërrmuese të tyre janë disa kompensime fikse, që në total shkojnë rreth 914 lekë në muaj. “Pensionisti, krahas të ardhurave nga pensioni, do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, si 150 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike të pensionistit”, bëhet me dije nga ISSH.

PENSIONET MINIMALE

Për pensionet e ulëta kompensimi shkon deri në 1650 lekë në muaj, që është një shumatore e disa vendimeve të miratuara vit pas viti. Nga të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, mësohet se kjo shtesë aplikohet për 167 mijë pensione në qytet dhe 145 mijë pensione fshati. Prej fillimit të këtij muaji ka nisur të zbatohet edhe vendimi i qeverisë për indeksimin me 3 për qind të pensioneve. Kjo do të reflektohet në masën e pensioneve.

“Pas datës 1.3.2017, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të qytetit me datë fillimi deri më 31.12.2014, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 164 lekë në muaj, të ardhurat maksimale arrijnë 26 528 lekë në muaj, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit nuk mund të jenë më të vogla se 9 802 lekë në muaj, ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e parakohshme, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 164 lekë në muaj”, thuhet në vendim.

Kjo vlen për pensionet e lidhura deri më 31 dhjetor të 2014-s, pasi me reformimin e skemës nuk ka tavan. Masa e përfitimet prej 1 janarit 2015 kushtëzohet nga vitet kontributive. “E ardhura minimale nuk mund të jetë më e vogël se masa e pensionit social, e cila nga 6858 lekë bëhet 7,064 lekë në muaj, ndërsa e ardhura maksimale varet nga paga dhe zgjatja e periudhës së sigurimit dhe, si pasojë, nuk ka kufizim në lartësinë e saj”, thuhet në relacionin e qeverisë për rritjen e pensioneve.

PËRFITUESIT

Nga vendimi i qeverisë për indeksimin me 3% të pensioneve përfitojnë 647 mijë persona, nga të cilët rreth 629 mijë marrin aktualisht pensione, por edhe rreth 18 mijë persona që do të shtohen në skemën e pensioneve dhe të përfitimeve të tjera deri në fund të këtij viti. Ndryshe nga dy vitet e kaluara, këtë vit për herë të parë është përllogaritur një indeks i veçantë çmimesh, sipas shportës së grupmallrave dhe shërbimeve të nevojshme për pensionistët.

kompensim pensionsite

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura