Pedagogët: S’i duam pagat nga tarifat e studentëve, ndryshoni Ligjin e Arsimit

Feb 13, 2018 | 8:32
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Vonesa e pagave duket se ishte vetëm maja e një ajsbergu të madh shqetësimesh, që i mundon prej kohësh pedagogët e që kanë sjellë mosfunksionim të universitetit. Kalimi i pagave e madje edhe ndjesa e ministres së Arsimit nuk i ka qetësuar akademikët. Problemi, thuhet të jetë shumë më i madh se kaq.

pedagoget
Gjatë takimit të Forumit për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare

Bëhet fjalë për një bllokim total, që ka sjellë ligji i arsimit të lartë. Bordet e administrimit të financave, shumica e të cilëve të komanduar nga pushteti, sipas pedagogëve, ka cenuar rëndë autonominë financiare.

E pa të, s’mund të ketë as liri akademike. Kështu, dhjetëra pedagogë, pjesë e Forumit për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare, të mbledhur një ditë më parë në ambientet e Fakultetit të Histori-Filologjisë, ranë dakord për nisjen e një organizimi për gjithë situatën e krijuar ndaj profesorëve, duke zgjedhur edhe përfaqësinë në dialogun me Ministrinë e Arsimit.

“TË NDRYSHOHET LIGJI”

Ligji i ri i Arsimit të Lartë, i hyrë në fuqi prej më shumë se dy vitesh, vijon të kontestohet në qarqet akademike. Duke marrë shkas nga incidenti i fundit, ardhur si pasojë e moskomportimit të mirë që solli ky ligj në universitete, Mark Marku, koordinatori i Forumit të Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare, kërkoi ndryshimin e tij.

“Një ligj nuk është si piramidat e Egjiptit, që ndërtohen dhe nuk shemben më. Kështu që një ligj, në qoftë se nuk funksionon, mund të ndryshohet. Hajde të hyjmë në negocim”. Vonesa e akteve ligjore, sipas pedagogëve e ka bërë të pazbatueshëm këtë ligj. Edhe pedagogu Kastriot Gjika e sheh fajtorin te dokumenti i kontestuar që në krye të herës e madje, edhe pasi mori “OK” në Kuvend.

“Gjërat kanë ardhur duke u degraduar. Shkaku është ai ligji për arsimin e lartë, i cili u miratua në atë variant, përkundër dëshirës dhe vullnetit të pedagogëve.” Për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike, akademikët kërkojnë negocime me Ministrinë e Arsimit e, madje, ndërhyrjen e menjëhershme të Kryeministrit. “Ne s’jemi këtu për ultimatum, por për të bërë një grup negociatorësh, që të negociojnë me Kryeministrin për ta ndryshuar ligjin e arsimit të lartë, për t’i kërkuar të shkarkojë anëtarët e tjerë të bordit”, tha pedagogu Agron Gjekmarkaj.

“SOT PA RROGA, NESËR PA GODINA”

Shkelja më e rëndë, sipas akademikëve të UT-së, është mbulimi i pjesshëm i rrogave nga ministria. “Qeveria nuk na i mbulon neve pagat e plota të 12 muajve. Ka 3-4 vjet, që ne 3 muaj ua marrin studentëve. Kjo është shkelje me të dyja këmbët”, vuri në dukje pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë, Fabian Topollaj.

“I refuzojmë në qoftë se na jepen prej studentëve.” Ishte kjo fjalia e thënë njëzëri nga të gjithë pedagogët e pranishëm në takimin e një dite më parë. Por, gjithsesi, çështja e pagave duket se kaloi në plan të dytë. Gjithë shqetësimi i pedagogëve është menaxhimi i universitetit.

E për këtë drejtojnë gishtin e akuzës nga Bordi i Administrimit dhe administruesit. “Shohim që Bordi i Administrimit dhe administratori sillen si opozitë me rektorin dhe pjesën tjetër të trupës akademike, me një lloj arrogance, që nuk ka qenë e zakontë në Universitetin e Tiranës”, thekson Gjekmarkaj. Pedagogu i gazetarisë Mark Marku, theksoi se ky takim nuk është thjesht një reagim për pagat, por edhe për gjendjen jo të mirë dhe kushtet e papërshtatshme të punës në universitete.

“Nuk ka kohë të heshtim. Këtë radhë na lanë pa rroga, nesër mund të na marrin ambientet e universitetit dhe të na çojnë në ndonjë magazinë. Vonesa e pagave është gjëja më pak problematike, është tregues i mosfunksionimit të universitetit. Shqetësimi ynë është bllokimi i universitetit nga strukturat menaxhuese, nga qeveria dhe presioni, që bëhet pa pushim mbi trupën akademike.”

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura