PDIU kërkesë Kuvendit: Ngrini komision të posaçëm për tragjedinë çame

Jan 14, 2017 | 16:25
SHPËRNDAJE

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për Tragjedinë Çame.

Mesila Doda.

Në këtë nismë kërkohet që të ngrihet një komision i cili të zbardhë faktet dhe rrethanat për masakrën që ndodhi mbi shqiptarët e Çamërisë në vitin 1944. Në një konferencë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, deputetja e PDIU-së Mesila Doda u shpreh se do të zbardhet masakra që ndodhi mbi shqiptarët e Çamërisë në vitin 1944-të.

“Nisma e PDIU-së është depozituar që në datën 20 dhjetor të 2016-s. Kjo nismë ka të bëjë me ngritjen e një Komisioni të Posaçëm në Kuvendin e Shqipërisë, për evidentimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të shpërnguljes me dhunë dhe masakrës mbi shqiptarët e Çamërisë në vitin 1944-të. Bëhet fjalë për një moment të historisë sonë, i cili nuk është zbardhur kurrë tërësisht. Ne nuk jemi njohur me përmasat e asaj tragjedie dhe për mënyrën se si erdhi.

Kërkesa e PDIU-së ka për qëllim zbardhjen e këtyre fakteve dhe rrethanave. Ka patur edhe komisione të tjera të cilat kanë qënë me karakter historik, por në Kuvendin e Shqipërisë, është hera e parë që një nismë e tillë merr jetë.

Kjo nismë vjen edhe si kërkesë jo vetëm e popullsisë çame në Shqipëri, por edhe si kërkesë e të gjithë shqiptarëve.

Nga ana tjetër nuk është plotësuar kurrë nga ana e shtetit shqiptar një dosje parlamentare, në të cilën të kemi të depozituara përmasat e tragjedisë, por edhe faktet që kanë sjellë këtë genocid”, – u shpreh znj. Mesila Doda.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura