PD: Po kërcënohen anëtarët e PD. Mesazhet: Po mbështetët Kapllanajn, 1 mijë euro bën një kallëp tritoli

Jun 5, 2015 | 12:48
SHPËRNDAJE

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një deklaratë për mediat të premten, denoncoi dhunën që ushtrohet ndaj anëtarëve të PD-së në rrethe, sipas tij, nga ana e banditëve të mazhorancës. Afrimi i datës së zgjedhjeve ka sjellë rritje të agresivitetit të bandave kriminale që janë në shërbim të Ramës dhe Metës, tha ai.

“Denoncimet për këto akte vijnë nga Puka në Mallakastër. Kështu, mbrëmë janë kërcënuar me jetë familjarët e kryetarit të komunës Gjegjan në Pukë, njëkohësisht kryetar i shtabit të Partisë Demokratike në atë zonë Ndue Cara.

Shkak është bërë denoncimi që z. Cara i ka bërë pikërisht fenomeneve të shitblerjes së votës, kërcënimeve verbale dhe fizike si edhe presioneve për largimin nga puna që përfaqësuesit e Ramës dhe Metës po kryejnë në atë zonë.

Po mbrëmë në Mallakastër është kërcënuar Gentian Maçaj, anëtar i shtabit të kandidatit të djathtë Agron Kapllanaj.

“ Po mbështet Agron Kapllanajn. 1 mijë euro bën një kallëp tritoli dhe të hedhim në ajër….”

Ky ka qenë mesazhi i bandës së pushtetit që pastaj vazhdon me sharje banale.

Ndërkohë policia e bandës  as nuk ka pranuar të marrë kallëzimin me pretekstin se ka kaluar afati”,- tha ne deklarate Paloka.

Sipas tij, “e gjithë kjo klimë e frymëzuar direkt nga Rama dhe Meta tregon qartazi se mafja po përdor të gjitha mënyrat kriminale për të mbajtur pushtetin e saj”.

Partia Demokratike i bën herë thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare që merren me monitorimin e zgjedhjeve, si edhe përfaqësive të BE-së dhe SHBA-së të përdorin të gjithë influencën e tyre për të mos lejuar një degjenerim të mëtejshëm të situatës zgjedhore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura