Pasqyrat financiare, shtyhet me 6 javë afati i dorëzimeve! Qendra Kombëtare e Biznesit: Afati përfundon në…

Aug 2, 2022 | 8:25
SHPËRNDAJE

Shtyhet me 6 javë afati për dorëzimin e pasqyrave financiare. Qendra Kombëtare e Biznesit ka njoftuar një ditë më parë zhvendosjen e afatit deri në 15 shtator për dorëzimin e bilancit vjetor të bizneseve.

tatimeee

Vendimi erdhi për shkak të sulmit kibernetik mbi portalin “e-Albania” që solli edhe pezullimin e shërbimeve.

“Duke u nisur nga problematikat e hasura nga subjektet tregtare ditët e fundit, për kryerjen me sukses të aplikimeve për depozitimin e pasqyrave financiare të vitit raportues 2021, njoftojmë se, bazuar në parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative, afati i depozitimit të tyre shtyhet deri në datë 15.9.2022”, thuhet në njoftim.

Muaji korrik ishte afati i fundit për dorëzimin e bilanceve të një viti më parë. Me ndryshimet e bëra janë ashpërsuar edhe penalitetet ndaj bizneseve që nuk bëjnë dorëzimet brenda afatit të parashikuar.

Kështu prej këtij viti, gjoba nuk është 15 mijë lekë sa edhe ka qenë, por është 4-fishuar, duke arritur në 60 mijë lekë. Për shkak të mosfunksionimit të portalit “e-Albania” përgjatë dy javëve të fundit të muajit korrik bizneset u gjenden jo pak në vështirësi, ndërsa pavarësisht rikuperimit të të dhënave, situata duket se ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare. Kjo kuptohet edhe prej faktit që zhvendosja në afat nuk u bë për aq ditë sa sistemi ishte jashtë funksionit, por u bë për plot 6 javë.

“Bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar ‘e-Albania’. Subjektet që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare do të rivendosen për depozitimin e tyre brenda periudhës së shtyrjes së afatit fillestar”, ishte edhe njoftimi i mëparshëm i financave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura