“Pasi u ngritëm të dy në ajër, avioni i tij u ngul…”/ Historia tragjike e pilotit vlonjat dhe çfarë shkroi miku i tij, shkrimtari Ismail Kadare

Oct 29, 2020 | 20:24
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloci/ Publikohet historia e panjohur të aviatorit Bego Hoxha, me origjinë nga fshati Tërbaç i Vlorës, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike më 7 mars të vitit 1974, teksa ishte duke kryer një stërvitje me avionin e tij, i cili humbi kontrollin në mes reve të dendura dhe ra duke u ngulur në tokë, në grykderdhjen e lumit të Matit, ku trupi i tij u përzhit mes flakëve.

pilot-800x450

Dëshmia e aviatorit veteran, Serafin Shegani, i cili ishte me të deri në momentet e fundit dhe rrëfen se si humbi jetën shoku dhe kolegu i tij, si dhe nderimi që i bënë kolegët aviatorë që shkuan për ta përcjellë në banesën e fundit në fshatin e tij të lindjes, ku epitafi mbi varrin e tij, është shkruar nga miku i tij i ngushtë, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare.

“Në 7 mars të vitit 1974, u ngrita në ajër së bashku me kolegun tim, Bego Hoxhën, për të kryer kontrollin e kohës. Aerodromi, ishte i hapur dhe shumë shpejt avioni i tij fluturoi mbi re. Bego, i ulur të pilotonte avionin, ishte tepër i përpiktë në ajër, dhe me zgjuarsi përdorte mjetet radioteknike në përcaktimin e vendodhjes së avionit. Fluturimi po kryhej plotësisht mbi re dhe kushtet ishin të përshtatshme për plotësimin e detyrës. Filloi stërvitja normalisht dhe Bego kreu fluturimin me avionin luftarak pa asnjë shmangie. Me të njëjtin avion u ngrit për së dyti dhe fluturimi do të shkonte normalisht. Raportimi i tij i fundit ishte: “Shpova retë në grykë derdhjen e Matit”.

Mbasi doli nga retë, ai u shkëput nga pilotimi i avionit me instrumenta dhe nuk e llogariti që poshtë kishte copëza të shkëputura reshë. Ra në re, i pa përgatitur dhe humbi kontrollin e avionit duke u përplasur në tokë. Shkova menjëherë në vëndin e ngjarjes dhe pashë kolegun e shokun tim, Bego Hoxha, me trupin e  përzhitur nga flakët. Ai edhe gjatë atyre momenteve po e mbante kokën lart drejt reve”, kujton me mallëgjim veterani i Aviacionit Luftarak Shqiptar, Serafin Shegani, me origjinë nga Pogradeci, lidhur me aksidentin tragjik të pilotit Bego Hoxha në fillimin e pranverës të vitit 1974. Kush ishte Bego Hoxha dhe si ndodhi aksidenti tragjik ajror që i mori jetën pilotit të talentuar 31 vjeçar nga Tërbaçi i Vlorës?!

Kush ishte Bego Isa Hoxha?

Bego Hoxha, lindi në vitin 1943, në fshati Tërbaç të Vlorës, ku familja Hoxha, ishte një nga familjet më të njohura të asaj zone, pasi që gjatë Luftës, ajo u angazhua në rradhët e formacioneve partizane. Xhaxhai i tij, ishte gjeneral-letitnat, Vehbi Hoxha, i cili u dekorua dhe si “Hero i Popullit”. Pas mbarimit të shkollës 7-vjeçare në vëndlindje, ai erdhi në Tiranë ku kreu shkollën e mesme ushtarake “Skëndërbej” të cilën e mbaroi me rezultate të larta. Më pas, Begoja do të vijonte studimet për armën e Aviacionit, në Shkollën e Lartë të Aviacionit, e cila së bashku me atë Marinës, ishin të vendosura në periferi të qytetit të Vlorës. Edhe këtë shkollë ai e mbaroi me rezultate pozitive në vitin 1962, dhe më pas do të vijonte specializimin për “Pilot gjuajtës”, të cilën do ta përfundonte në vitin 1965. Ish kolegët e tij aviatorë, e kujtojnë atë si një djalë tepër të kulturuar, që përveç fluturimit, kishte si pasion librat, artin, shkencën, dhe muzikën. Ai kurrë nuk mjaftohej me pak dhe ishte vazhdimisht i etur për të mësuar për gjithshka.

Serafin Shegani: Bego, pilot profesionist dhe kurajoz

Një nga shokët dhe kolegët e Begos, aviatori veteran, Serafin Shegani, rrëfen dhe eksperiencat e pilotëve të Aviacionit Luftarak Shqiptar, profesionalizmin e tyre, dhe detyrat që ata kryenin, duke marrë mbi vete situata shpesh herë të rrezikshme, të cilat ishin në kufijtë e të pabesueshmes. Lidhur me këtë, ai shprehet: “Realizimi me sukses i detyrave i hapi rrugën përdorimit të teknologjisë së kohës, që do të arrinte kulmin në vitet 1970-‘80. Gjatë këtyre stërvitjeve, u arritën rezultate të larta, si në përpikmërinë e qitjeve, ashtu dhe në kapjen e objektivave mbi dhe nën re, fluturimet e zhvilluara ditën dhe natën, etj. Shumëkush nuk e beson, që pavarësisht se avionët tanë ushtarakë nuk e kishin aparaturën me rreze infra të kuqe, për të qëlluar dhe bombarduar natën, pilotët tanë, në mënyrë intuitive, futeshin vizualisht në pikiatë dhe mbi zjarrin e dendur në poligon, qëllonin dhe bombardonin! Dhe kur pilotët izraelitë gjatë kohës së luftës me Egjiptin, kryenin maksimumi 8 fluturime në ditë, efektivët tanë të flotës ajrore, eksperimentuan po aq fluturime në ditë në kohë paqeje. Po ajo që është më e rëndësishme, është se në vitet ‘80, mbi 80 përqind e këtyre kuadrove, u përgatitën ushtarakisht në Shqipëri, duke marrë si traditë eksperiencën e mëparshme, atë atij brezi të lavdishëm që themeloi armën e Aviacionit Luftarak. Begoja ishte një ndër këta profesionistë dhe kurajozë që aviacioni ynë pati fatin e madh që ta kishte në rradhët e tij”, kujton veterani i aviacionit ushtarak shqiptar Serafin Shegani.

Ngjarja tragjike…!

Si ndodhi ngjarja tragjike që i mori jetën pilotit 31 vjeçar Bego Isa Hoxha? Lidhur me këtë, Serafin Shegani në mes të tjerash kujton: “Atë fillim marsi të vitit 1974, në regjimentin e Flotës Ushtarake Ajrore, ishte duke u zhvilluar një stërvitje e zakonshme, e miratuar nga programi i Komandës së Përgjithshme, ku disa pilotë, do të testoheshin për të marrë klasin e dytë të kualifikimit. Midis këtyre pilotëve, ishte dhe Bego Hoxha, për të cilin ajo ditë do të rezultonte fatale”, kujton Serafini. Lidhur me këtë ai shton: “Në 7 mars të vitit 1974, unë u ngrita në ajër së bashku me Begon, për të kryer kontrollin e kohës. Aerodromi, ishte i hapur dhe shumë shpejt avioni i tij fluturoi mbi re. Bego, i ulur të pilotonte avionin, ishte tepër i përpiktë në ajër, dhe me zgjuarsi përdorte mjetet radioteknike në përcaktimin e vendodhjes së avionit. Fluturimi po kryhej plotësisht mbi re dhe kushtet ishin të përshtatshme për plotësimin e detyrës. Filloi stërvitja normalisht dhe Bego kreu fluturimin me avionin luftarak pa asnjë shmangie. Me të njëjtin avion u ngrit për së dyti dhe fluturimi do të shkonte normalisht. Raportimi i tij i fundit ishte: “Shpova retë në grykë derdhjen e Matit”. Mbasi doli nga retë ai u shkëput nga pilotimi i avionit me instrumenta dhe nuk e llogariti që poshtë kishte copëza të shkëputura reshë. Ra në re i papërgatitur dhe humbi kontrollin e avionit duke u përplasur në tokë. Shkova menjëherë në vëndin e ngjarjes dhe pashë kolegun dhe shokun tim, Bego Hoxha, me trupin  e përzhitur nga flakët. Ai edhe gjatë atyre momenteve po e mbante kokën lart drejt reve”, kujton me emocion Serafin Shegani, ngjarjen tragjike të 7 marsit të vitit 1974, ku humbi jetën kolegu i tij Bego Isa Hoxha.

Përcjellja e Begos për në Tërbaç

Si u vlerësua akti heroik i Bego Hoxhës nga kolegët e tij aviatorë dhe si u përcoll trupi i tij me nderime për në Tërbaç? Lidhur me këtë fakt, Serafin Shegani kujton: “Të gjithë shokët dhe kolegët e Begos, e gdhimë atë natë në shtëpinë e Isa Hoxhës, mes gjithë tërbaçiotëve që e kishin mbushur shtëpinë plot. Të nesërmen kishte filluar shiu dhe dukej sikur dhe koha derdhte lot për Begon, që ra në lule të rinisë, duke lënë bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël. Shokët që në aerodrom kishin ardhur me lot në sy dhe ma kishin dhënë mua për të lexuar fjalën e lamtumirës përpara varrimit. Ato fjalë janë ngulitur thellë në kujtesën time dhe nuk do t’i harroj kurrë. Në epitafin e varrit të Begos, u skalitën vargjet nga shoku i tij, shkrimtari i famshëm Ismail Kadare, në të cilat shkruhej, “Ngreji sytë, nga ajo gropë e zezë, ai nuk është më atje, i shikon avionët e shokëve nëpër re, në ijet e tyre lodron, ndriçimi i diellit, ku është buzëqeshja e tij, aty e ke”.

Sot ne shokët e Begos, jemi së bashku me fëmijët e tij dhe e ngremë Begon në krah, për t’a varrosur me nderime në Varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”. Bego, me në krye komandant Niko Hoxhën, veteranin e aviacionit që për vite të tëra nxori dhe edukoi me dhjetra breza aviatorësh, dhe që në moshën 40 vjeçare, duke fluturuar e qëlluar me avion, dha jetën në krye të detyrës. Për brinjë ka aviatorin e talentuar nga Mallakastra, Hazbi Seranin, që në stërvitje gjatë qitjes, i shpërtheu predha duke i marrë edhe jetën. Anash ka mallakastriotin tjetër, Luto Sadikun, që nuk arriti dot të ngrihej me “MIG – 21”, sepse i’u bllokua motorri! Ka dibranët, Sabri Toçi e Armando Gjoka, të cilët dhanë jetën, duke u munduar që të nxjerrin avionin nga truela. Ka Idriz Hoxhën, Sefedin Tomçinin, e të 33 aviatorët që mbetën të pavdekshëm në përjetësi”, kujton me mallëngjim Serafin Shegani, për ish kolegun e tij Bego Hoxha dhe për pilotët e tjerë, që do të varroseshin me nderime në ceremoninë e zhvilluar tek Dëshmorët e Kombit./Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura