“Pasaporta e vaksinave”, pengesë për shtetet që aplikojnë gjilpëra ruse e kineze. Jas kushti për lëvizjen në Europë

Apr 3, 2021 | 13:01
SHPËRNDAJE

vaksinat-780x439

Shumë shpejt lëvizja e lirë në unionin europian do të ndajë njerëzit jo vetëm midis atyre që janë vaksinuar ose jo, por edhe bazuar në llojin e dozave që kanë aplikuar.

Plani i BE-së për të rikthyer udhëtimet përmes “pasaportës shëndetësore” do t’i vendosë shtetet përpara dilemës për të pranuar vaksinat kineze e ruse.

Sipas unionit, çdo vend europian mund të lejojë që qytetarët të udhëtojnë pa tampon apo karantinim vetëm nëse paraqesin certifikatat e vaksinimit.

Por me një kusht: këto të fundit duhet të jenë të aprovuara nga rregullatori europian i barnave (EMA). Ndryshe, zëre se nuk je vaksinuar. Kjo nënkupton se ata që injektojnë “Sputnik V” ose “SinoVac”-un kinez (coronavac) nuk do të lejohen të udhëtojnë lirshëm, pavarësisht se disa vende në gjirin e BE-së i kanë përqafuar tashmë.

PASAPORTA SHËNDETËSORE

Në pamundësi për të siguruar doza të tjera, qeveri të ndryshme, përfshi Shqipërinë, kanë hedhur sytë në lloje të tjera, me qëllim rikthimin e lëvizshmërisë dhe rizgjimin e ekonomisë, ndërkohë që janë përballur me paralajmërime se vaksinat ruse e kineze nuk duhet të marrin të njëjtin status me ato të autorizuara nga BE.

“Ne synojmë të ndihmojmë shtetet anëtare të rivendosin lirinë e lëvizjes në një mënyrë të sigurt, të përgjegjshme dhe të besuar”, deklaron Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kur shpalosi planin e lëvizjes përmes pasaportës shëndetësore.

Në seksionin e “të dhënave të nevojshme” parashikohet të përfshihen informacione mbi markën e vaksinës së marrë, datën dhe vendin.

Pavarësisht se përfaqësuesit euorpianë nuk duan që kjo nismë të kuptohet si kufizim, plani i tyre, në fakt, nuk përjashton mundësinë që ata, të cilët kanë një certifikatë vaksinimi (të pamiratuar nga EMA) të përballen me karantinë, testim apo t’u refuzohet hyrja. Është thënë shpesh se Bashkimi Europian nuk ndalon shtetet të përparojnë me vaksinimin, të çfarëdolloji qofshin ato.

Ama kur vjen puna te lëvizja në vendet e saj, nuk i përfill injektimet e pamiratuara nga rregullatori shëndetësor i saj.

Në rastin më të mirë, kur vaksina bën punë ose krijon antitrupa ndaj Covid19 nga dozat “Sputnik V” ose “Coronavac”, shqiptarët presupozohet të kenë fituar betejën me virusin, por kthehen vite mbrapa duke u penalizuar në lëvizshmëri.

Për shumë vende në Europën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor dilemat për të marrë vaksina anti-Covid krahasohen me ato ideologjike gjatë luftës së ftohtë.

Përpara se të vendosin, qeveritë janë dashur t’u përgjigjen pyetjeve të tilla si: Cila vaksinë është më e mira? Cila mund të merret më shpejt?

A rrezikojnë të dëmtojnë marrëdhëniet me Perëndimin nëse i kërkojnë Rusisë doza? Hungaria ishe i pari shtet anëtar i BE-së që mori iniciativën të lëvrojë gjetkë në pritje të “Pfizer” e “AstraZeneca”.

Nën shembullin e saj ecën dhe shtete si Sllovakia, Serbia e të tjera. Kjo për shkak se fushatat e vaksinimit në BE kanë qenë të ngadalta, kryesisht për furnizim të pamjaftueshëm me vaksina.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura