“Paratë e inceneratorëve u përdorën për të blerë zgjedhjet”, Meta: Këtu vepron drejtësia me regji! Rama është nxitësi kryesor i 21 janarit, do dënohet sipas firmave…

Feb 2, 2023 | 21:00
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se paratë e inceneratorëve janë përdorur për të blerë zgjedhjet nga Edi Rama.

ilir-meta

Komentet Meta i bëri gjatë një interviste në News 24, ku tha se drejtësia e re është një drejtësi me regji nga Rama dhe sipas tij nuk heton skandalet e qeverisë, por merret me opozitën sipas orekseve të pushtetit.

Meta tha se Rama është nxitësi kryesor i dhunës në 21 janar dhe sipas tij ai e përdor këtë çështje vetëm për të hequr vëmendjen nga problemet e vendit.

Ish-presidenti tha se fitorja në zgjedhjet e 14 majit është e sigurt.

“Kryemadhi e ka nisur këtë punë me inceneratorët, e ka dokumentuar, ka dhënë shembullin sesi mund të dokumentohet me fakte, tashmë edhe me dron, ku ka zbuluar një aferë kriminale të përbindshme. Ajo e ka nisur që në 2 mars të vitit 2021 dhe në vazhdimësi, për 2 vite ka çuar vazhdimisht prova dhe fakte të reja. Tani çoi edhe dokumentarin, Netflix, çfarë është. SPAK-u do e kishte zgjidhur këtë punë nëse donte të punonte. SPAK i ka pasur të gjitha mundësitë, që ata që arrestoi t’i kishte ndaluar bashkë me Edi Ramën përpara zgjedhjeve. Nga ana ime janë bërë denoncime 3 muaj para zgjedhjeve, që në shkurt. Provat kanë qenë flagrante, sepse bankat ishin atje, numrat e llogarive ishin atje. Por SPAK nuk bëri gjë, sepse paratë e inceneratorëve janë përdorur nga Edi Rama për të blerë zgjedhjet në të gjithë Shqipërinë. Nuk janë përgjegjësira individuale, por kemi të bëjmë me një organizatë kriminale që kanë marrë peng Shqipërinë. Një nga arsyet që është hequr Shkëlqim Can inga Ministria e Financave, është sepse ai ka qenë i kujdesshëm dhe nuk firmoste kudo.

14 maji do të jetë dita e triumfit dhe e fitores. Ne jemi një faktor vendimtar për fitoren e opozitës. Ne do konsiderojmë fitoren në të 61 bashkitë e vendit, pasi është një moment shumë i rëndësishëm për të treguar vendosmërinë tonë në mbrojtjen e pluralizmit.

Këto estradat e Edi Ramës me 21 janarin janë për të hequr vëmendjen nga problemet e ventit. Rama ka qenë nxitësi i një grupi të caktuar që kërkonin të bënin grusht shteti. Por Edi Rama 21 janarin e ka emërkuar në krye të bashkisë së Burrelit. Në 7 vite të reformës në drejtësi Shqipëria ka rënë 7 vende në indeskin e drejtësisë. Kjo është një drejtësi e kapur për fyti nga Edi Rama. Turp që ministri i Drejtësisë del në konferencë shtypi dhe vete çon çështjen në SPAK. Është drejtësi me regji. Këto janë marrëzi të Edi Ramës. Ato që ai po vuan me drejtësinë tani që është në pushtet, pale kur të jetë në opozitë. Por ai ka një avantazh, ka kartelën e të sëmurit psiqik. Do e shihni në ditët në vijim. Me Berishën dhe Metën këto janë beteja të humbura. Rama për këto shkelje do të përgjigjet sipas ligjeve të tij dhe sipas firmave që kanë hedhur vetë”, u shpreh Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura