Para për notën, hetim pedagogut e studentes

Jul 9, 2015 | 13:01
SHPËRNDAJE

Një pedagog i Universitetit të Vlorës dhe studentja kushërirë e tij po hetohen në gjendje të lirë pasi janë denoncuar se kërkonin para në këmbim të provimeve. Sipas Policisë ka filluar procedimi në gjendje të lirë ndaj A. Xhaferrit, 40 vjeç, pedagog në universitet, si dhe shtetases E. Memaj, 23 vjeçe, studente. Procedimi ndaj tyre ka filluar në bazë të kallëzimit të bërë nga dy studentë të tjerë të këtij universiteti, me inicialet M.B. dhe Z.H.

Universiteti i Vlores

Sipas tyre, studentja Memaj u ka marrë një sasi prej 15 mijë lekësh të rinj në emër të kushëririt të saj, pedagogut A. Xhaferri, në mënyrë që ky i fundit t’u japë notë kaluese në provime. Por, siç mësohet, asnjëri prej tyre nuk e ka pranuar këtë akuzë dhe e kanë konsideruar si një sajesë për qëllime keqdashëse. Mësohet se pedagogu ka mohuar të ketë dijeni për kushërirën studente që kërkonte para në emër të tij. 

“Nuk kam dijeni për këtë fakt. Nuk i kam kërkuar askujt lekë për t’i kaluar në provime. S’ka ndodhur dhe as ka për të ndodhur kurrë. Jam skandalizuar dhe tronditur kur mora vesh këtë fakt. Megjithatë nuk është vërtetuar se kushërira ime të ketë marrë lekë në emrin tim. Denoncimi nga studentët është i sajuar për qëllime që vetëm ata i dinë. Nëse dikush do kishte marrë lekë në emrin tim do ishte kryer denoncimi dhe ndërhyrja e Policisë mund të bëhej në kohën kur të dorëzoheshin paratë. S’mund ta besoj si të vërtetë këtë akuzë”, është shprehur në Polici pedagogu Xhaferri.

Po ashtu edhe studentja nuk e ka pranuar faktin që ka marrë para nga studentët për llogari të pedagogut. Sipas dëshmisë së dhënë në Polici, studentët e bëjnë për t’u hakmarrë ndaj pedagogut, i cili nuk u ka vënë notë kaluese. Aktualisht pedagogu ndiqet penalisht për veprën “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, edhe pse nuk i është faktuar akuza. Ndërsa studentja ndiqet për veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura