Pandemia, Sejko: Ekonomia humbi 50 mijë vende pune. Në dy vitet e ardhshme pritet…

Dec 11, 2020 | 8:14
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Rreth 50 mijë qytetarë kanë humbur vendin e punës përgjatë muajve të pandemisë. COVID-19 goditi rëndë ekonominë duke rritur pasigurinë dhe zbehur projeksionet për një rimëkëmbje të shpejtë.

sejko

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të enjten se në raport me fundin e 2019-ës, këtë vit ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, si rrjedhim norma e papunësisë u rrit në 11.9 për qind.

“Të dhënat e fundit sugjerojnë se pandemia ka goditur fort ekonominë shqiptare, e cila, si pasojë, përjetoi ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto në dy dekadat e fundit, në – 10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020. Të dhënat makro nga tregjet e punës tregojnë se, krahasuar me fundin e vitit 2019, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, e barasvlershme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%. Si rrjedhim, norma e papunësisë u rrit në 11.9%. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, inflacioni në tremujorin e tretë ra në 1.4%, nga 1.9% në tremujorin e kaluar. Pavarësisht këtyre goditjeve negative, masat e marra nga Banka e Shqipërisë ofruan stimulin monetar të nevojshëm për të mbështetur funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të siguruar fluksin e kredisë në ekonomi. Normat e interesit për individët dhe bizneset janë në nivele të ulëta, presionet për likuiditet janë nën kontroll, ndërsa kursi i këmbimit është i qëndrueshëm”, tha guvernatori Sejko në Workshop-in XIV të Kërkimeve Ekonomike për Europën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë.

RIMËKËMBJA

Por pavarësisht sfidave me të cilat po e përball pandemia, sistemi bankar shqiptar, vuri në dukje guvernatori, mbetet i shëndetshëm, kjo në sajë të masave të ndërmarra të cilat zbutën efektin negativ. Sa i takon rimëkëmbjes, Sejko tha se ekonomia pritet të rigjallërohet në dy vitet e ardhshme. Megjithatë, nuk duhen nënvlerësuar faktorët e riskut të cilat lidhen me pandeminë, kohëzgjatjen e saj dhe rikthimin e mundshëm të masave kufizuese.

“Masat operacionale të menjëhershme të ndërmarra nga bankat, si dhe masat mikro dhe makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, siguruan jo vetëm vazhdimësinë e kryerjes së funksioneve kritike të bankave, por gjithashtu ndërmjetësim financiar të kënaqshëm, pavarësisht goditjes së rëndë që pësoi ekonomia. Kredia për ekonominë po rritet (ajo u rrit me 6.3% në tremujorin e tretë të vitit 2020), kapitali është i mjaftueshëm dhe bilancet e bankave mbeten të shëndetshme, duke sinjalizuar aftësinë e tyre për t’i përballuar goditjet e raundit të parë. Ne jemi optimistë se aktiviteti ekonomik pritet të rigjallërohet në dy vitet e ardhshme. Megjithatë, parashikimi ekonomik për të ardhmen shoqërohet nga një nivel i lartë pasigurie dhe rreziqe të kahut të poshtëm. Në periudhën afatshkurtër këto rreziqe lidhen më së shumti me pasigurinë e vetë pandemisë, ashpërsinë e saj, kohëzgjatjen dhe rikthimin e mundshëm të masave kufizuese”, theksoi guvernatori Sejko.

AKTIVITETI

Workshop-i dyditor i organizuar nga Banka e Shqipërisë synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve dhe projekteve kërkimore të kryera nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2020 dhe të nxisë shkëmbimin e pikëpamjeve midis kërkuesve të Bankës së Shqipërisë dhe kërkuesve nga bankat qendrore të rajonit e më gjerë, si dhe nga akademia vendase dhe e huaj, mbi rezultatet e kërkimit shkencor për çështjet e lidhura me aktivitetin e bankave qendrore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura