Pandemia/ Guvernatori Sejko: Kthimi në normalitet, më i shpejtë! Aktiviteti ekonomik pritet të vijë në përmirësim gjatë…

Jan 15, 2021 | 9:33
SHPËRNDAJE

Pandemia dhe efektet në ekonomi ishin kryefjala e Forumit për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, të organizuar nga “Euromoney”, ku i pranishëm ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

sejko

Në fjalën e tij, Guvernatori diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe ndikimit që ka pasur pandemia. Sipas Sejkos, masat e marra gjatë kohës së pandemisë kishin në fokus mbrojtjen e biznesit, familjeve dhe sistemit financiar nga efektet negative të krizës, duke pasur si qëllim shmangien e kthimit të kësaj goditje të pashmangshme afatshkurtër në një krizë afatgjatë.

“Falë kontributit të Bankës së Shqipërisë dhe politikave të mirëkoordinuara makroekonomike, kjo u arrit me sukses dhe tashmë pritet që aktiviteti ekonomik të vijë në përmirësim gjatë këtij viti që sapo ka hyrë, pas rënies së fortë të shënuar gjatë kësaj periudhe”, tha Sejko.

Por, sa e ngjashme është kjo krizë me atë të 2008-s? Guvernatori Sejko vuri në dukje se kriza aktuale globale e krijuar nga pandemia është kryesisht e ndryshme në shumë aspekte nga kriza globale e vitit 2008.

Së pari, pasojat ekonomike erdhën si rezultat i kufizimeve të vendosura dhe jo i një flluske që shpërthen duke shkaktuar një krizë të madhe si ajo e 2008.

Së dyti, ndikimet negative pritet të jenë të një natyre më afatshkurtër dhe kthimi duhet të jetë i shpejtë nëse situata me vaksinimin ndaj Covid-19 shkon drejt normalizimit.

Së fundmi, politika publike ka qenë e natyrës së drejtpërdrejtë, duke ndërhyrë për të kompensuar financiarisht bizneset dhe familjet për të ardhurat e humbura me një seri mjetesh të ngjashme me atë të krizës së mëparshme. Si e tillë, ndërhyrja e politikave kishte një efekt të drejtpërdrejtë pozitiv dhe pritet të parandalojë ndërtimin e dobësive afatgjata në sektorin privat.

Duke u ndalur më konkretisht në masat e marra nga Banka e Shqipërisë, në përgjigje të situatës së krijuar, Guvernatori përmendi uljen e normës bazë të interesit dhe shtimin e injektimeve të likuiditetit; lehtësimin rregullator të përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimin e pagesave të dividendit në sektorin bankar; si dhe heqjen e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave.

Në përfundim, Guvernatori nënvizoi se në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë mbetet ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar në vend. Në një perspektivë afatmesme e afatgjatë, me zbutjen e efekteve negative të pandemisë, pritet që axhenda e politikave ekomomike si dhe e reformave strukturore në vend të kthehet në qëllimet e saj strategjike të parakrizës, me qëllim rikthimin e rritjes ekonomike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura