Panajot Kanaçi, “Magjistari” që solli baletin në Shqipëri

Jul 11, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së koreografit të madh, Panajot Kanaçi, artisti i merituar Albert Janku boton në “Panorama” këtë shkrim në shenjë falenderimi dhe mirënjohjeje për atë që e njohin si “magjistari” apo “mjeshtri i madh” i vallezimit shqiptar.

Koreografi Panajot Kanaçi
Koreografi Panajot Kanaçi

ALBERT JANKU*

Falënderim dhe mirënjohje “Magjistarit” të vallëzimit shqiptar. Kur qasen për të vështruar thellë në jetën e një artisti, hamendësimet e njerëzve i japin shkas shpeshherë fantazisë për të nxitur lartësime ndonjëherë të fryra si flluska që shpërbëhen shpejt nga se i mungon përbërja.

Nga çdo anë që do e sodisim jetën e një artisti, nuk mund t’i shmangemi rrugëtimit të tij tokësor në vazhdimësi dhe pa ndërprerje, derisa ai formohet në plotësi atëherë kur koha për të ka ngelur e s’mund të jetë pjesë e jetës. Të gjallët vazhdojnë udhëtimin dhe gjithmonë me hamendësime vazhdojnë të qarkullojnë mendime mbi personalitetin e tyre, duke përcaktuar dhe kategorizuar edhe vlerat që ata lanë pas.

Ka nga ata hamendësues të cilët në periudha të caktuara u është mundësuar të kenë në dorë spektrin për të hapur perden e panteonit kombëtar për artistë të shquar, por që fatkeqësisht veprojnë sipas shijeve të tyre dhe të këshilltarëve që kanë pranë.

Ashtu si historia e kombeve, ajo e vendeve të ndryshme, edhe historia e artit, artistit kërkon njerëz dhe pena që të hulumtojnë, të shkruajnë, të argumentojnë e të pasurojnë ato çfarë konsiderohen si vlera të padiskutueshme. Figura të shquara të artit tonë janë formuar hap pas hapi, ndër vite e dekada dhe janë përpjekur që të sjellin kontribute që janë në themel të gjinive të artit dhe kulturës me atë çfarë krijuan, kryen dhe çfarë nuk kryen, por që mbeten vlera të papërsëritshme.

Sidomos për ata artistë dhe krijues që megjithëse jetuan jo në momentin historik më të mirë për vendin tonë dhe për ata vetë, mund të kishin lënë vlera edhe më të shtrenjta nga ato që lanë. Pikërisht këtu duhen kërkuar dallimet se si e ka jetuar jetën një artist dhe si e ka jetuar një tjetër, çfarë ai la pas, artin pra të gjithsecilit.

Panajot Kanaçi mes kërcimtarëve të Ansamblit Popullor
Panajot Kanaçi mes kërcimtarëve të Ansamblit Popullor

Tundimi për t’i dhënë këtij shkrimi për Panajot Kanaçin (Artisti i Popullit) cilësimin “MAGJISTAR” është i vjetër. Mjafton të kujtojmë sallën e provave ku ai krijonte së bashku me bashkëpunëtorët e tij, laboratori ku ai transformonte fjalën, idenë, bulzën popullore në hapa dhe në motive kërcyese mahnitëse.

Ndër vite dhe dekada nuk munda dhe nuk arrita dot të përcaktoja në një shprehje të vetme këtë moment kulmor të tij. Mahnitesha unë dhe shumë kolegë kur preknim dhe fillonim të ekzekutonim atë çka ai kishte krijuar dhe arritur gjatë provave. Së dyti, qëndrimi dhe tundimi i tij për të transformuar një hap të vetëm të kërcimit popullor në vargje pa fund motivesh të reja, ishte një akt aq sublim, i cili i ngjante një mrekullie, “një magjie”, të cilën e përjetonim shpesh në prova kur punonim me MJESHTRIN për një vepër të re. Formimi i tij kulturor dhe profesional, aftësia psikotransformuese ishin dhuratë e një geni të veçantë për ta parë botën dhe fenomenet e saj në përfytyrime dhe imazhe plastikore gjatë kërkimit të pafund, ato ishin vlera që ai jo vetëm i zotëronte, por ia ka dhuruar skenës shqiptare në veprat që trashëgohen nga brezat.

Panajot Kanaçi është përpjekur tërë jetën që kërcimi, vallja, baleti dhe koreografia në tërësi të bëheshin pjesë integrale e kulturës kombëtare. Me idetë e tij origjinale, dëshironte të arrinte deri aty sa gjeneratat të gjenin veten mirë në kërcim ashtu siç po ndodh tani në vendin tonë. Ndaj mjeshtrin tonë do të parapëlqeja ta vështroja me shumë admirim në qëllimet themelore kur fokusohemi në artin e tij.

Pa dyshim që Panajot Kanaçi i bëri vend kërcimit në civilizimin e kohës kur jetoi dhe punoi, por e përcolli edhe më tej atë, si një veprimtari potente me ndikim mbi të ardhmen. Mjeshtri e kuptoi më mirë se kushdo që kërcimi i ka rrënjët në të shenjtën dhe në socialen. Në atdheun e tij, të shenjtën ose më mirë artin e tempujve për momentin historik, nuk kishte ku ta gjente.

Këtë ndjenjë që i vlonte përbrenda, në mënyrë të pavullnetshme përpiqej ta fshihte. Në anën tjetër, traditën folklorike, kërcimin popullor e kërkoi dhe e gjeti të pasur si askund në burimin e pashtershëm popullor. Për hapësirën mbarëshqiptare tërë jeta e tij artistike nga viti 1945 deri në vitin 1996, kur i pushoi zemra së rrahuri, është dashuria që ai kishte për kërcimin popullor, e cila nuk rreshti gjatë punës së tij madhore në artin e koreografisë. Ajo është emblema e themeluesit dhe lëvruesit të parë shqiptar, krijuesit të paarritshëm të valles skenike, të baletit shqiptar dhe arkitekti i tërësisë së vallëzimit shqiptar.

Krijimtaria e tij, vallet, baletet e çdo gjë tjetër e lidhur me koreografinë u shfaqën kudo në Shqipëri, në çdo anë të saj. Vepra e Panajot Kanaçit u shfaq në të gjithë botën. Vallet e tij u duartrokitën dhe u çmuan me çmime të shumta në tërë Ballkanin, në shumë vende europiane, në Azi, Afrikë e SHBA, Kanada e kudo gjetkë.

Ato u duartrokitën dhe u admiruan nga publiku i këtyre vendeve në skena e stadiume dhe u konsideruan si fllad pranveror dhe uragan që përfshin çdo gjë që gjen para. Baleti i tij kombëtar “Halili dhe Hajria” u shfaq në Itali, Greqi, Francë, në Jugosllavinë e asaj kohe. Ky balet u vu në skenë në vitin 1979 nga baleti i Kosovës nga vetë autori. Kosova ishte atëherë krahinë autonome e Jugosllavisë. Me kërkesën e tyre, Teatri i Operës dhe Baletit dhe Konservatori i qytetit francez “Clemont Ferrant”, këtë vepër e vuri vetë në skenë në vitin 1987 dhe në premierën e saj u ftuan të merrnin pjesë autorët e shfaqjes, Panajot Kanaçi dhe Tish Dajia.

Gjatë studimeve të larta në Moskë, në vitet 1956-1961, MJESHTRI ynë vuri në skenë veprën muzikore “Francesca da Rimini” nga kompozitori rus P.I Tchaikovsky në Lituani dhe në Letoni. Ai realizoi valle nga Veriu i Shqipërisë me ansamblin e madh Rus, “Moisejevi”, dhe punoi për disa muaj në Baku të Republikës së Azerbajxhanit valle të vendit të tij. Panajot Kanaçi shquhej për spontanitetin dhe frymëzimin, po ashtu meditimin, ballafaqohej me situata artistike superiore, nga dashuria që kishte, ai preferonte “të përmbyste të bukurën” për të rikrijuar duke ndërhyrë deri në bërthamën e nocionit, nga ku tentonte të përftonte më të bukurën në shkallë sipërore, siç ndodhi edhe në shfaqjet e tij në baletin klasik.

Në rrafshin e lëndës ku shtrihet krijimtaria e tij, nuk është e lehtë, por as e vështirë të dallosh etapat nga kaloi dhe arriti mjeshtëria e veprave të tij. Ai gjithmonë na ka befasuar me zhvillimin e madh që i dha pasurisë së kërcimit popullor, në vallet që krijoi me Ansamblin Popullor dhe karakterin kombëtar në baletet që krijoi me tematikë shqiptare. Ai shkroi biografinë e tij artistike duke ngjyer penën thellë në pasurinë e madhe të traditës kulturore, në thellësi të embrionit nga ku merr jetë kërcimi.

Dikujt mund t’i jetë dukur se mbante qëndrim jo të drejtë, kur ndërhynte me “tepri” tek origjinali. Jashtë kësaj ideje ai provoi se motive të tjera, brenda vetes e shtynin të krijonte ato perla që shumëkush nuk i kuptonte asokohe. Ai hynte thellë, madje deri në arsyen e modifikimit të motivit bazë, në gjetjen e konsistencës së lidhjeve ideore, duke kërkuar ethshëm subjektin e tij të pëlqyeshëm pa të cilën një vepër arti nuk mund të shndërrohej në këngë, duke dhënë një ndihmesë jo të vogël me kontribut të drejtpërdrejtë në kulturimin dhe civilizimin e shoqërisë së gjerë.

Ai e adhuronte dhe e njihte mirë eksperiencën e themeluesve të klasikes dhe romantikes së baletit botëror, por ndiente se trupi i njeriut, ecja, lëvizja dhe kërcimi janë përherë në gjendje të thonë dhe të flasin më shumë, ndaj gjithmonë njërin sy ai e mbante të hapur për të parë atë që zhvillohej në baletin kontemporan botëror.

Natyrisht për atë krijimtari që mund ta lejonte koha, MJESHTRI, nga vallëzimi kërkoi lëvizjen harmonike, simbolikën dhe abstragimin, figuracionin depërtues, ngjyrimet vallëzuese, dinamikën dhe lirikën e pasur koreografike, të cilat rrezatojnë mesazhin. Kështu, ai u mundua dhe ia arriti të jetë individualitet dhe autor brilant i koreografisë sonë. Në krijimet e tij, pritej të vinte gjithmonë e reja, bashkëkohorja dhe më specifikja, e cila dallonte nga të tjerët edhe për nivelin e lartë, edhe për të ndryshmen, e cila shquhej nga të tjerët edhe për kulturën e paraqitjes, si në rastin e shfaqjeve të krijimeve në balet: “Francesca da Rimini”, “Paganini”, “Shote dhe Azem Galica”, si dhe perla e një njësie baleti koncertor: “Trio me daulle”.

Këtë vit, në 14 korrik, dy dekada pas largimit të Panajot Kanaçit nga jeta, mbushen 70 vite kur MJESHTRI themeloi grupin e parë (trupën) e baletit që u titullua “Baleti i vogël”. Kjo trupë e formuar në 1946 përbëhej nga të rinj adoleshentë të talentuar që së bashku me Panajot Kanaçin nisën rrugëtimin e artit të baletit në vendin tonë. Pranë tij në atë kohë mes të tjerëve shkëlqente Agron Aliaj, kërcimtari i talentuar dhe krijues i ardhshëm, koleg dhe bashkëkohës me mjeshtrin tonë, të cilët ngritën tempullin e sojit tonë në lartësitë që provojnë edhe sot nderime dhe çmime në arenën ndërkombëtare.

Panajot Kanaçi shpesh është shprehur: “Kam qenë me fat që pranë meje dhe bashkë me mua në fillim dhe në vazhdim kam pasur afër artistë të talentuar që më kuptonin dhe më ndihmonin që të isha shumë komod kur krijoja…”. Ai dhe të tjerë pranë MJESHTRIT ishin aty kur u krijua trupa e parë profesioniste e baletit më 1950, ku në drejtim të saj nuk mungoi të ishte puna e apasionuar e Panajot Kanaçit krahas specialistëve të huaj që punuan pranë nesh.

Artistët interpretë e ndihmuan atë kur ai krijoi baletin e parë kombëtar dhe të tjera pas atij. Shumë prej tyre kërcyen dhe interpretuan vallet e tij të shumta, perlat e kërcimit shqiptar, ato që për vlerat e tyre, në të gjithë festivalet ndërkombëtare ishin konkurruesit kryesorë, bashkë me ansamblet popullore të mirënjohura botërore dhe për çdo herë vallet e krijuara nga MJESHTRI ynë janë vlerësuar me çmimet më të larta. Koreografia e krijuar prej tij na ka nderuar dhe na nderon edhe sot e kurdoherë kulturën dhe identitetin kombëtar e për këtë deri në vitet ’80 është dekoruar me çmime dhe tituj brenda në Shqipëri.

Komuniteti i njerëzve të koreografisë do të prisnin me shumë respekt e dëshirë që vlerat e tij artistike, të cilat akoma kontribuojnë dhe qarkullojnë në repertorin e ansambleve që udhëtojnë kudo në botë dhe mbajnë autorësinë e Panajot Kanaçit, edhe pse me kalimin e kohës po transformohen në fenomenin e “anonimatit popullor”, të rivlerësoheshin me nderimin më të madh që rezervon populli dhe atdheu për njerëzit dhe artistët e mëdhenj. Në librin e tij “Kushëriri i engjëjve”, Ismail Kadare, porsi një njohës i thellë i koreografisë, shumë faqe të këtij vëllimi ia kushton jo vetëm koreografit tjetër shqiptar Angjelin Preljocaj, por me shumë elegancë dhe vërtetësi të admirueshme shprehet se: “Vallja gjendet kudo, dhe koreografi s’bën gjë tjetër, veçse punën e magjistarit, ashtu siç përfytyrohej dikur, që e çngrin ose e çmagjeps atë që ka ngrirë një tjetër magjistar… me fjalë të tjera, ai e çliron vallen”.

Kur e lexova këtë libër, 20 vite më parë e falënderova me vete Ismail Kadarenë për çka analizonte dhe argumentonte sikur të ishte një njohës dhe mjeshtër në psikofilozofinë koreografike dhe e falënderova në heshtje për ngjasimin e koreografit të vërtetë me magjistarin. E ku ka më bukur dhe më të vërtetë se kjo gjetje, për ta pagëzuar atje ku është në amshimin e përjetshëm MJESHTRIN tonë, “magjistar” të koreografisë.

(*Artist i merituar)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura