Panairi i Librit “Tirana 2019” ngre siparin në Pallatin e Kongreseve

Nov 14, 2019 | 18:20
SHPËRNDAJE

Anila Dedaj

Panairi i Librit “Tirana 2019” ngriti siparin ditën e djeshme në Pallatin e Kongreseve. Ceremonia inauguruese e Panairit bëri bashkë shkrimtarë, përkthyes, botues edhe dashamirës të librit në këtë edicion të 22-të. Kryetari i Shoqatës së Botuesve në Shqipëri, Petrit Ymeri, e cilësoi këtë datë si një ditë gëzimi për botuesit shqiptarë, por edhe për njerëzit e kulturës, që kanë dhënë kontributin e tyre në këto 22 vjet. “Është një rrugë e gjatë e gëzuar, shumë e lodhshme dhe pasionante.

Fillimi i viteve ’90 e gjeti Shqipërinë në një ambient monokulturor, ndërsa në sajë të shtëpive të botuesve Shqipëria është një vend shumëkulturor. Tashmë lexuesit shqiptarë, që nga fëmijët, të rinjtë dhe të rejat, njohin shkrimtarët më të mëdhenj, ideologët, filozofët dhe historianët nga vendet europiane edhe nga e gjithë bota”, u shpreh Ymeri, teksa i bëri sërish thirrje ministres së Kulturës, Elva Margariti, për të bashkëpunuar.

76262877_2420549441534032_1520198782451449856_n (1) “I bëj sërish një tjetër ftesë publike ministres së Kulturës, që të punojmë për të përmirësuar korridorin e librit. Korridori i librit do të na çojë në Europë. Kjo është rruga që kanë për të bërë të rinjtë e Shqipërisë dhe institucionet”, tha Ymeri, ndërsa ftoi gjatë këtyre pesë ditëve të gjithë lexuesit besnikë të librit që t’i bashkohen Panairit, sepse falë besimit të tyre botuesit e kanë çuar para këtë punë të mirë dhe profesionale, që bëhet në Shqipëri.

Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shprehu mbështetjen e saj në fushën e botimeve, duke premtuar se institucioni që ajo drejton do të jetë një pol për të krijuar më shumë ura të përbashkëta.
“Ministria e Kulturës është mbështetëse, ndoshta jo shumë në aspektin ekonomik, por do të jetë një pol ku krijohen ura dhe rikrijohet puna e përbashkët. Besnikët e librit kanë hasur jo pak probleme në këta 22 vjet. Më duhet të theksoj se keni çuar para një rrugëtim që është për t’u mbështetur dhe që Ministria e Kulturës do të jetë patjetër e pranishme. Këtu nuk jemi për të konsideruar Panairin e Librit si një vend që shiten librat, por mendoj se është hapësira e duhur për të krijuar ide dhe për të folur për prioritetet e viteve të ardhshme”, tha Margariti.75398399_2547523985573326_2665922033539350528_n

Për kryetarin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, i cili është njohur nga afër me vetëmohimin e botuesve shqiptarë, në panaire brenda trojeve tona dhe jashtë tyre, industria e librit është zhvilluar në të njëjtin hap me vendet europiane.

“Botuesit, shkrimtarët dhe redaktorët kanë bërë që industria e librit të jetë në një nivel shumë të kënaqshëm. Unë shikoj që trendet e botimeve nuk mungojnë në industrinë e librit shqip, kjo vjen edhe falë kërkesës së botuesve e kureshtjes së lexuesit”.

Zeneli u shpreh më tej se mungesa e librave në bibliotekat publike në Kosovë dhe Shqipëri nuk është problem i vogël. “Aq sa di dhe sa kam parë në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk mund ta mohoj se gjendja e tyre është në një gjendje letargjie, prandaj duhet që ta çojmë librin te lexuesit. Nuk mendoj se libri është një produkt, që duhet të shkojë vetëm tek ata që kanë mundësi që ta blejnë. Përkundrazi! Libri duhet të jetë i pranishëm në të gjitha bibliotekat”, pohoi Zeneli.

Ai më tej u ndal edhe te taksa e shtuar në fillim të këtij viti, 6 përqindëshi. “Janë disa barriera burokratike, që u bëj thirrje të na i heqin.

Na është premtuar që do t’i hiqnin, por në fillim të këtij viti ne morëm një lajm jo të mirë, si botues nga Kosova, ku të gjitha botimet tona duhet t’i nënshtrohen një tarife me 6 për qind, në të hyrë në Shqipëri. Kjo nuk i shërben aspak tregut të unifikuar që duam të kemi. Është fat i mirë që botimet e Shqipërisë janë shumë prezente në Kosovë, por fatkeqësisht nuk ndodh e njëjta gjë me botuesit e Kosovës në Shqipëri”, tha kreu i Shoqatës së Botuesve nga Kosova.

Zeneli u bën thirrje atyre që kanë mundësi të veprojnë, ta largojnë këtë barrierë. “Libri shqip nuk njeh barrierë. Për këtë duhet të punojmë më shumë. Për të gjitha planet që janë thënë nga qeveritë në Kosovë dhe në Shqipëri, ku ka më mirë se të nisim me librin. Është e domosdoshme që të nisim me librin”, përfundon Zeneli.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura