Pallatet “Shallvare”, kush ishin VIP-at që jetuan në atë zonë

Oct 7, 2017 | 12:29
SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI

Historia e pallateve “Shallvare” është e lidhur me atë të banorëve që kanë jetuar aty. Pikërisht, në atë kompleks gjigant të viteve ’50, u vendos një pjesë e madhe e popullsisë së Tiranës, dhe nga ajo periudhë në dhjetëvjeçarët që pasuan kanë banuar thuajse pa përjashtim të gjitha shtresat e popullsisë dhe profesioneve të ndryshme. Familje të njohura, oficerë me grada të larta, punonjës të Ministrive të Brendshme e Mbrojtjes, të Sigurimit, intelektualë, arkitektë, pedagogë, diplomatë, mjekë, artistë, mësues, akademikë, sportistë deri te të persekutuarit.

Por, si funksiononin, si lidheshin e ndaheshin 20 shkallët e tri blloqeve deri te bashkëjetesa e disa familjeve në një hyrje të vetme. Nga dyqanet dhe shitësit e paharruar të “Shallvareve”, te historia e “Permanenti” ku rregulloi flokët Princesha Monika Sihanouk. Mjekët e njohur si dr. Kalmari, intelektualët e shquar, artistët, sportistët që kanë banuar aty. Por edhe gratë italiane të “Shallvares”. Çfarë ka mbetur sot nga pallatet e famshme të ndërtuara një gjysmë shekulli më parë?

Pamje nga Shallvaret
Pamje nga Shallvaret

STRUKTURA

Gërmimet filluan në fund të vitit 1950. Për ndërtimin e tyre u angazhuan shumë forca krahu dhe për këtë qëllim u ngritën barakat e kantierit njëkatëshe ku u sistemuan punëtorët e ardhur nga gjithë Shqipëria, të cilëve iu kërkua punë intensive me turne për ndërtimin sa më shpejt të tyre. Pasi ato përfunduan, barakat e braktisura nga punëtorët u shfrytëzuan si Dega e Shkollës “Kristoforidhi”, më vonë Shkolla e Kuzhinës, Qendra për kurs shoferësh. Fillimisht u ndërtua blloku i parë ai verior përballë Gjykatës së Lartë.

Në formë “L”-je, ai ka pesë shkallë-hyrje që vazhdojnë deri në fund të saj. Pastaj u vijua me bllokun e dytë, ai me hark, me shkallët nga gjashta deri te shtatëmbëdhjeta, ku edhe përfundon ndërtesa që shtrihet në zonën lindje-jug perëndim në krah të Lanës. I treti që u ndërtua ishte ai qendror që shoqërohet me numrat e shkallëve 18, 19, 20. “Shallvaret” ishin ndërtesa me pesë e shtatë kate: Nga shkalla e parë deri tek e dhjeta dallohen pasi janë pesëkatëshe, nga njëmbëdhjeta te pesëmbëdhjeta ndryshonin në shtatë.

Ndërsa dy të fundit, gjashtëmbëdhjeta e shtatëmbëdhjeta janë me pesë kate, ashtu si edhe blloku qendror. Shkalla e pestë e bllokut të parë bashkohej me një ballkon të gjatë me katin e tretë të shkallës njëzet, e që “lidhte” familjet Leskaj e Mero. Mbulesa e ndërtesës ishte me çati me tjegulla, ndërsa tavanet me kallame. Në banjën kryesisht pa dritare ndodhej edhe një vaskë me granil.

Një hyrje numëronte deri në 120 shkallë për t’u ngjitur në katet e sipërme. Në total, pallatet e “Shallvareve” kishin rreth 300 apartamente. Ndërsa bodrumet ishin nga hyrja një deri te shtata dhe nga gjashtëmbëdhjeta te shtatëmbëdhjeta. Ato janë përdorur si magazina në fillim, por edhe duke sistemuar në përgjithësi familje të persekutuara apo që i kishin marrë vilat në vitet që pasuan.

Karakteristikë për pallatet ishin shkallët 4, 7, 18, 19, 20 që kishin hyrje e dalje të dyfishtë nga para e mbrapa, ndërsa për komunikimin e popullsisë ishin edhe dy urat e mëdha anësore me hark përkrah shkallëve tetëmbëdhjetë e njëzet. Një kat kishte nga tre deri në katër apartamente. Në kushte të vështira banimi mjaft familje janë futur në pallatet e “Shallvareve” ende pa përfunduar e të kompletuara me ndriçim e dritare.

PËRRETH “SHALLVARES”

Nuk kuptohet “Shallvarja” pa objektet rrotull saj. Pa Kopshtin Nikolica (Hysen Nikolica), klinikën e dr. Bashos me lulishten të projektuara nga arkitekti Qemal Butka (sot Ministria e Mbrojtjes), postën që ka funksionuar që në kohën e Zogut, ndërtesat e ministrive, Bankën, Parkun Rinia, Hotel Dajtin, Lanën, Shtëpinë e Fëmijëve të shkollës ruse, Teatrin e Kukullave, ku takoheshin pionierët shqiptarë me ata sovjetikë. Bashkë me tribunën që ngrihej në rastin e festave e parakalimeve madhështore, si dhe Urën e Madhe të Bulevardit kryesor. Nga perëndimi me Parkun e Tenisit, Pallatet e Bardha (italiane) dhe nga krahu tjetër pallatet “Agimi” të grupuara në dy blloqe e të shtrira përgjatë, deri tek ura e dytë e Lanës.

HYRJET E FUNDIT, 16 E 17

Si kërkesë e vazhdueshme për apartamente për të sistemuar familjet, u vijua me plotësimin e bllokut të dytë me dy hyrje shtesë, gjashtëmbëdhjetë e shtatëmbëdhjetë, të cilat u ndërtuan pak më vonë dhe që ndryshojnë me ato paraardhëse, pasi janë pesëkatëshe e jo shtatë. Në shkallën gjashtëmbëdhjetë ka banuar dr. Kalmari, familja e Halim Budos, ajo e diplomatit Qani Sevdari, gjykatësit Ligor Gjika, “Teta Qato”, siç i thërrisnin që ishte gruaja e Çerçiz Topullit, familja e Skënder Kumbaros, ajo e gjimnastëve Mita dhe familja e djalit me trupin e bukur, Nuz Ducellari.

Pallatet e Shallvareve në ditët e sotme
Pallatet e Shallvareve në ditët e sotme

Ndërsa hyrja 17 ka qenë pak më e veçantë: Nga familja Shundi, Vangjeli e Xhorxhi për të vijuar me fizikanin e diplomatin Pavli e futbollistin Vasillaq të familjes Zëri; familja e Kristaq Obdari me atë të Shpëtim Shehut e vëllain e tij Fadil; familja Voshtina me Perlatin e paharruar; Xhevat Muhedini me familjen e tij, deri tek akademikët Stavri e Androkli Kostallari, madje për një kohë në një apartament kanë jetuar së bashku.

Ndonëse ndërtimet kishin apartamente klasike 1 dhomë e kuzhinë, dy dhoma e kuzhinë, si dhe tri dhoma e një kuzhinë, në ato fillime, për motive banimi, në një hyrje të vetme kanë jetuar edhe dy familje. Ato ishin familje që njiheshin, të afërm ose nga një qendër pune apo dikaster. Madje për shumë vite, në një apartament të vetëm kanë jetuar deri në pesëmbëdhjetë apo më shumë persona. Pallatet e “Shallvareve” vareshin nga Qendra e Lagjes Nr.5.

“SHALLVARJA” E TË GJITHËVE…

Nga gjeneralët, oficerët madhorë Tahir Çobani, Nasi Kostallari, Dhimitër Ruvina, Mendu Backa, Nuri Arapi, Mato Hito, Jani Vlashi, Arshi Muhedini, Niko Papavangjeli, Fehmi Çarçani, Vaskë Prifti, përkthyesi i latinishtes Pashko Gjeçi bashkë me familjen e Stefan Vuçanit, përkthyesin e njohur të gjuhës turke dhe gruaja e tij Tatjana, mësuese anglishteje; Familja e Agim Meros, familja e arkitektit Sotiraq, Neti me djalin Panajot të dy arkitektë, familja e historianit Pëllumb Xhufi, familja e intelektualit Llambi Qirjaqi, e Shpëtim Lëngut, familja e Naxhi Totozanit ndër filatelistët e parë shqiptarë me fëmijët Violeta mësuese, Merita dhe Darvin inxhinierin e njohur.

Në “Shallvare” kanë banuar edhe diplomatët Jorgo Bejo, Petrit Dishnica, si dhe Kristaq Hobdari, Sekretar i Komitetit Shqiptar të Marrëdhënieve me Botën e Jashtme dhe bashkëshortja e tij Shpresa Hobdari, hartuese e teksteve të biologjisë e anatomisë; arkeologu e historiani Selim Islami me vëllezërit pedagogun Vedat, Petrit e katër motrat; familja e Monika Kryemadhit e Kreshnik Spahiut; familja Bezhani, e para që ka pasur televizor në “Shallvare”; topografi Tare Hysi, familja Dine, familja Cere rus i bardhë; familjet Kalemi, Meka, Bajrami i Tones, inxhinierit Lutfi Jajo; Kodroli, Avdo; familja Radi, Antoni argjendar i njohur me gruan jugosllave Stefica, me profesion rrobaqepëse, ku qepte gjithë personeli i ambasadave, familjet e pedagogëve Gjergje Petrit Goxhi, ajo e Halil Vasjarit, ajo e Zihni Topallit, shoferit në Bllok, e financierëve të njohur Hysen Strazimirit e Arben Xhaçkës, bashkë me ato të Kristaq Lekbellos, familjes Marika Makoçi, familja e farmacistet bullgare Kalina, vajzën e saj Maja me Yllkën e Shpendi Kolekën…..

Monika Sihanouk
Monika Sihanouk

MJEKËT E SHQUAR

Në shkallën gjashtëmbëdhjetë jetonte dr. Kalmari, me origjinë çifute, me grua jugosllave nga Beogradi. Gjithmonë nën shoqërinë e qenit, dr. Kalmari bënte vizita në shtëpinë- klinikë, shpeshherë edhe pa pagesë. Po aty jetonte edhe ishministri i Shëndetësisë, Ciril Pistoli, mjekët Shyqyri e Xhanfise Basha, Ylli Bitri, Aleko Veshi, N. Kristo, A. Koroshi e A. Obdari, vëllezërit mjekë Adi e Kastriot Frashëri, ndër të cilët Adi prej vitesh punon si mjek në Itali. Neurologu D. Totozani, kirurgu Dritan Çobani, Emil Kalimeri…..

PEDAGOGË, ARTISTË, SHKRIMTARË E GAZETARË

Në pallatet “Shallvare” jetonte akademiku Sotir Kuneshka, profesorët Neki Frashëri, historiani Pal Doçi, pedagogu Muharrem Frashëri, ai i matematikës në Fakultetin e Ekonomisë, Shpëtim Shehu, mësuese Meriban Mezini, ish-drejtoresha e shkollës “20-Vjetori”, Halit Lleshi, profesor në gjimnaz; pedagogu Stavri Angjeli, Kujtim Dedej, autor tekstesh, pedagogët Zihni Sinoymeri, Vangjel Papadhopulli, profesor i Fizikës Bërthamore, kritiku Muzafer Xhaxhiu me gazetarin televiziv Rezart, punonjësi i TVSH-së dhe shkrimtari Alfred Kanini me vëllain e tij, Ilir Kanini (punonjësi më i vjetër në historinë e Ministrisë së Arsimit), operatori Agim Minga, Shqipja, mësuesja e rusishtes, mësuesja e paharruar, Aleksandra e shkolluar te “Nëna Mbretëreshe” në vitet ’30- ’35, mësuese e klasës së parë deri kur doli në pension.

Ka qenë mësuesja e gjithë brezit të shkolluar te “Shallvarja”. Edhe familja e vajzës simpatike Etleva Xhaçka aty ka banuar. Aty jetonin edhe shumë artistë: nga italiani Patrino, muzikanti që bashkë me pianon banonte në bodrum e hyrjes 16 te Jorgjie Truja, këngëtare e njohur, soprano Ksanthipi Mullisi, këngëtarja Luçie Miloti, pianisti Tonin Guraziu, Î familja e këngëtarit Aleksandër Gjoka, balerina Rina Jica, familja e orkestrantëve Leka, aktorja Matilda Makoçi, piktori Sali Muhedini (Siro), mësuesi dhe aktori Zejnulla Hatibi bashkë me gruan Adelina Koja, familja e balerinit Mihal Nako, ajo e valltares së njohur të Ansamblit të Këngëve e Valleve, Xhulieta Doko, artisteve Filiana Veizaj, Ninja këngëtare në Artistiken “Migjeni”, Tare Hysa nga fotografët e parë të Kinostudios.

SPORTISTËT

Aty jetonte mjeshtri i madh i sportit Petrit Murzaku; shahistët mjeshtra Teodor Siliqi e Stavri Angjeli, ish-volejbollistët Alfred Radi e Robert Borova të Kombëtares, Dinamos e Partizanit; arbitri i futbollit Gole Sheshi, futbollistët Mitat Shehu e Bashkim Muhedini, portieri i Kombëtares dhe i Partizanit, si dhe talenti i Dinamos e kombëtares Vasillaq Zëri, si dhe futbollistët Sherko e Leskaj i Partizanit e Kostallari i Dinamos; pedagogu i edukimit fizik Mehmet Spahiu; komentatori i famshëm sportiv i lojërave me dorë, Vangjel Shundi me vëllanë, arbitrin e njohur ndërkombëtar të basketbollit Jorgji Shundi; boksieri Xhevat Muhedini, veprimtari sportiv Myftar Marku, alpinisti Ziso Kondi, atletja e hedhjeve Anila Jatku, maratonisti i njohur Sotir Qirjaqi, pjesëmarrës në disa vrapime ndërkombëtare deri tek e famshmja e New Yorkut; dy vëllezërit basketbollistë Jorgo; djali me trupin e bukur, e modern për kohën Nuz Duçkollari, futbollisti i shquar të 17 Nëndorit e Kombëtares, Artur Lekbello, arbitri i futbollit Sokol Avdo dhe djali i tij Redi, të dy arbitra të FIFA-s, kërcyesi me shkop Arben Xhabafti.

DYQANET LEGJENDARE TË U-SË

Të gjitha dyqanet e “Shallvareve” kanë qenë të vendosura në një planimetri e të mbledhura tek ajo në formë Uje, në pjesën ballore lindore të bllokut kryesor. Shkalla 19 ishte ajo e mesit të U-së. Majtas ishte “Rrojtore-Berber”, me Rakon (Irakliun) dhe Bimin (Shabanin), “Riparim Kë- pucësh” me Krenarin dhe Sulon të dy nga Përmeti; Dyqani “Bukë” me shitëse Fekon dhe ai “Mish” me Metin e vëllanë e tij. Dyqani i madh i Fruta-Perime ku shërbenin Bardhi e Marika, ai i bylmetit me shitëse Dijën, Betën (Elisabeta) me bashkëshortin, pastaj erdhi Shpresa.

Dyqani Ushqimor me shitëse Eli Lalajn, dhe Eli Karanxha mamaja e pedagoges të Fakultetit të Veterinarisë Aurora Karanxha, (Eli vogël), me bashkëshortin Taqo, pasi dolën në pension u zëvendë- suan nga shitësi i shpejtë Ali Hasantarja me të shoqen Marika. Këto ishin dyqanet kryesore, ku bënte pazarin e gjithë “Shallvarja” dhe gjysma e “Myslym Shyrit”. Pa harruar “shpirtin e Shallvareve” dyqanin e vajgurit në daljen nga mbrapa të shkallës 19. Një dyqan i vogël, por tejet mitik për historinë e “Shallvares”, aty ku shitej vajguri me bidonë.

Aty kanë shërbyer disa shitëse: Reti, Nazi, të gjitha kanë qenë të dashuruara nga banorët e zonës e ato përreth saj. Ndërsa në gjithë ndërtimin e pallateve nuk ka pasur dyqane të tjera, përjashtim bënte kati i parë nga shkalla njëmbëdhjetë tek ajo pesëmbëdhjeta, pasi aty ka qenë “Rrobaqepësi 1 Maj”. Pastaj ndryshoi në Ndërmarrjen e Projekteve me Zyrat e Projektimit, më vonë me tjetër destinacion: “Reparti i Riparimeve Speciale” me drejtues Sali Angonin e Rrapush Hoxhollin etj. Më vonë ka funksionuar dhe ka qenë shtypshkronja e Dhomës së Tregtisë së Jashtme.

TE “PERMANENTI” EDHE PRINCESHA SIHANOUK

Permanenti “Shallvare” i ndodhur bashkë me dyqanet e tjera të U-së, kujtohet për mjeshtret e kozmetikes, Nedretin, Menon, Yllka Gëzdarin, Donika Çelikun. Si rrallëherë në atë mjedis, për gra ka shërbyer edhe një burrë, specialist edhe ai në këtë fushë. Por mbi të gjitha ai “Permanent” është i lidhur me një ngjarje vërtet të rrallë: Në njërën nga vizitat e Princit të Kamboxhias Norodom Sihanouk në Shqipëri, gruaja e tij e bukur Monika Sihanouk gjatë qëndrimit të zgjatur në kryeqytet kërkoi një permanent për trukun dhe flokët e saj.

Duke qenë në qendër, përballë Hotel Dajtit, shoqëruesit i kanë rekomanduar “Permanentin” te “Shallvaret”. Ishte Nedreti që i ka rregulluar flokët princeshës së Kamboxhias.

PREFERENCA NË ARSIMIM

Ndonëse në një kompleks banimi, dëshira e familjarëve për shkollat ku dërgonin fëmijët e tyre përreth ndryshonin: Një grup i dërgonin ato te shkolla 8-vjeçare “11 Janari”, ndërsa një pjesë tjetër te “20-Vjetori”, mbrapa “Shallvareve”, apo “Kristoforidhi”. Po kështu edhe në arsimimin e mesëm shijet ndaheshin: Te gjimnazi “Petro Nini” një grup ose te “Sami Frashëri” apo “Qemal Stafa”, preferenca tjetër.

GRATË ITALIANE TË “SHALLVARES”

Enrika dhe Dina janë dy gratë italiane që kanë jetuar në “Shallvare”, bashkë me to dhe Gabriela. E para gruaja e arkitektit që i projektoi, Gani Strazimiri. Me studime në Itali e Bashkimin Sovjetik ai njihet dhe dashurohet me Enrikën, nga Torino. Vijnë në Tiranë për të banuar në “Shallvare” bashkë me fëmijët Mirela, Skënder (Dejli e Zvetllana). Pak vite më vonë u zhvendosën në një apartament tjetër mbrapa “Shallvareve”.

E njëjta histori me familjen Kotherja. Dina, në vitet ’50, ishte me studime në Bullgari, ku njihet me Sami Kotheren, edhe ky për studime në universitetin e kryeqytetit bullgar. Të dashuruar, pas diplomimit kthehen bashkë në Shqipëri, martohen dhe sistemohen në “Shallvare” duke lindin dy fëmijë, Plarent e Ornela. Punojnë në arsim, madje Dina si mësuese rusishte te gjimnazi “Qemal Stafa”.

Pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit, Dina, jeton midis Tiranës e Triestes. Sami Kotherja dhe djali i tij Plarent kanë qenë ndër arbitrat shqiptarë të njohur të FIFA-s. Ngjitur me “Shallvaret”, në pallatin e parë djathtas në fillim të “Myslym Shyrit”, ka banuar edhe familja Konomit, me gruan italiane Gabriela. Duke qenë me banesa shumë pranë njëra-tjetrës, përveç faktit si të huaja dhe italiane, periudhën e një bashkëjetese në Tiranë, si edhe afërsinë i kanë shfrytëzuar e shoqëruar miqësisht në mënyrë të vazhdueshme pa u ndarë.

“SHALLVARET”, 65 VITE MË VONË

Vetëm formati në formë L-je i ka mbetur atij kompleksi, pasi gjithçka ka ndryshuar. Shumë banorë, ata që e jetuan në fillimet e tij nuk janë më aty. Katet e para, bodrumet janë transformuar në dyqane përgjatë gjithë pallateve, nga veriu, lindja e jugu. Nuk janë më dyqanet tradicionale të U-së, pasi aty gjen lokale, bare e restorante. Ka ndryshuar ngjyra, struktura, madje janë shtuar edhe kate, pra gjithçka. I ka mbetur vetëm Tajvani përballë, Pallatet e Bardha në fund bashkë me fushat e tenisit, dhe Lana që e shoqëron përjetësisht pa iu ndarë.

Shkolla 8-vjeçare nga “20-Vjetori” tashmë e zhytur në mes ndërtimeve që rrethojnë “Shallvaret”, ka ndryshuar emrin në “D’Ora Distria”. Ka kaluar një periudhë kohe shumë e gjatë, e mbushur me histori familjesh, protagonistë, ngjarje, personazhe, që u lindën u rritën, jetuan e vazhdojnë të jetojnë si trashëgimtarët e atyre që banuan të parët në pallatet e famshme. Edhe pse kanë kaluar rreth 65 vite e jetojmë në kohë moderne, pallatet e “Shallvareve” vazhdojnë të mbajnë të njëjtin emër. Dhe historia vazhdon…

* Artikull i shkruar ekskluzivisht per Panorama. Ndalohet publikimi i tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura