Pakult ndryshon të gjitha repartet, zbardhet formacioni i Kukësit në Champions

Jul 9, 2018 | 14:00
SHPËRNDAJE

Kukësi ka bërë shumë lëvizje në merkaton e verës, duke ndryshuar skuadrën në masën 50 %. Plot 12 afrime dhe 9 largime kanë bërë që formacioni të ketë lëvizje të mëdha. Ndeshja e 11 korrikut ndaj maltezëve të Valetës në stadiumin “Loro Boriçi” pritet të konfirmojë te Kukësi gjashtë debutime.

kukesii

Mbrojtësit Melo, Qaqi, Zguro, mesfushorët e krahut Çyrbja e Shpehar, si dhe sulmuesi Plaku, sipas të gjitha gjasave, do ta nisin nga minuta e parë. Nga skuadra që mbylli sezonin në vendin e dytë kanë mbijetuar vetëm 5 lojtarë. Gjithçka nis nga porta, ku Frashëri ka fituar për momentin balotazhin me kosovarin Maloku.

Ndërsa reparti i mbrojtjes duket i ribërë, pasi nga katër lojtarë, vetëm kapiteni Ylli Shameti u ka rezistuar ndryshimeve të trajnerit Pakult. Melo dhe Zguro priten titullarë nga krahët, ndërsa Qaqi do të formojë dyshen e qendrës me Shametin. Pakult duket i vendosur për të lënë Albi Allën në stol dhe këtë e kanë treguar miqësoret e fundit, ku ai ka provuar formacionin. Vendin e titullarit e ka humbur edhe Simon Rrumbullaku, i cili iu bashkua me vonesë skuadrës në fazën përgatitore në Slloveni.

kukesi

Në mesfushë, të paprekshëm mbeten lojtarët e qendrës, duke filluar nga shkatërruesit Dzaria dhe Musolli, si dhe fantazisti Shkodra. Krahët e sulmit dhe qendra janë krejtësisht me emra të rinj. Largimet e Idrizit, Kalesë  dhe kryegolashënuesit Guri janë zëvendësuar me Çyrbjen, kroatin Shpehar dhe Plakun. Testi i fundit i zhvilluar ndaj Kastriotit ishte si një referencë për trajnerin, që vëzhgoi me imtësi futbollistët nga tribuna e stadiumit “Selman Stërmasi”.

kukesi

Një zgjedhje e vetë austriakut, që kërkonte ta shikonte skuadrën nga lart, ndërsa nga stoli ekipin e drejtonte krahu i djathtë i Pakult, Rrahman Hallaçi. Ndërkohë, edhe pse u afrua me bujë, sulmuesi boshnjak Haris Harba mësohet se është ende prapa me përgatitjet dhe pritet ta nisë nga stoli ndeshjen kundër Valetës.

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura