“Oskari dhe tezja Rozë”/ Sezoni i Roza Anagnostit në teatër, dy premiera dhe një ditëlindje

Oct 14, 2018 | 17:50
SHPËRNDAJE

Thuajse një orë përpara fillimit të provave gjenerale të shfaqjes “Oskari dhe tezja Rozë”, në stolin e hyrjes së pasme të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ishte ulur regjisori Dhimitër Anagnosti. Qëndronte vetëm, nuk fliste me njeri. Herë pas here, nga paskuinta dilte Roza Anagnosti, si për t’u siguruar që i shoqi vazhdonte të ishte aty. E bënte këtë thuajse përditë. Shoqëron të shoqen në prova, hyn e del brenda gjatë shfaqjes, rikthehet sërish te stoli i pritjes. Paradite dhe pasdite! Në orën 18:30, gjysmë ore përpara shfaqjes, Roza ishte gati, e veshur në rrobën rozë, në pritje të regjisorit Kiço Londo për të nisur shfaqjen.

roza anagnosti

Me buzëqeshjen e tezes së rolit edhe përtej tij, Roza të flet ëmbël, sado që nuk ka dëshirë të flasë shumë gjatë e sidomos të japë intervista. Këtë gazetarët e dinë! Pak minuta përpara se shfaqja të nisë (ekzaktësisht në orar) Dhimitër Anagnosti kishte zënë vend pa u ndier në fund të sallës dhe po pa u ndier, edhe pse publiku në prova numërohej me gishtat e njërës dorë, kishte dalë! E kishte parë aq shpesh të shoqen në rol sa mjaftohej vetëm me sekuenca të shkurtra, aty ku ai ka dashur të bisedojë me të më vonë. Për këdo që ka lexuar librin e Schmit, Roza ishte ashtu siç pritej, e fortë, e qeshur, nxitëse. Në një spital ku fëmijët luftojnë me jetën, Roza ishte mbështetja më e madhe; minutat me të ishin harresa, buzëqeshja.

Megjithëse është e vështirë, të paktën kështu ka rezultuar në përvojat paraprake, të vendosësh një aktor të madh përpara një aktori të ri që luan për herë të parë, në rastin e Oskarit (aktori Franc Bregu)dhe Roza Anagnostit, nuk kishte ngërçe prej mungesës së përvojës. Regjisori Londo ka zgjedhur që ta nisë këtë sezon me Anagnostin, por kjo nuk do të jetë shfaqja e saj e vetme përgjatë sezonit. Drejtori i TKES ka zbuluar gjatë konferencës për shtyp se ky sezon do të mbajë firmën e zonjës Anagnosti, të paktën në dy produksione, sepse kjo aktore ka një unison perfekt mes qenies profesionale dhe angazhimit të saj si qytetare. Së dyti, sepse zonja e madhe mbush 75 vjeç dhe festa do të bëhet nga TKES. Vit pas viti, ditëlindjet e emrave të mëdhenj të skenës po kthehen tashmë traditë në Teatrin Kombëtar Eksperimental.


View this post on Instagram

“Oskari dhe tezja Rozë”, nis premiera në Teatrin Eksperimental. Super performancë e Roza Anagnostit.

A post shared by Panorama Online (@gazeta.panorama) on


“Do të jetë një sezon gricës, na ka munduar e gjithë kjo që po ndodh me teatrin shqiptar.
Unë mendoj se teatri shqiptar është pezull, jo për godinën, por për faktin se teatri rrezikon të shembet për shkak të fragmatizimit edhe të forcave krijuese në dy kampe. Kjo është tragjedia e madhe që po kalon teatri shqiptar. Ne jemi teatër i ri shumë i angazhuar, edhe angazhimi më i madh nuk qëndron në faktin që të bëjmë shfaqje më të mira sesa viti i kaluar. Me kaq energji, kaq shumë të rinj dhe ndërsa, me mbështetje
spektakolare të mbiemrit, që do jetojë si një emër Anagnosti, ne këto gjëra do t’i kalojmë. Ajo që është e vështirë për të kaluar është ky fragmatizim, ky kërcënim për shembje. Është kjo arsye që TKES i ka hapur dyert dhe po punon jashtë të gjitha kapaciteteve të veta, por që njerëzit nuk e ndiejnë jashtë”, ka thënë Londo. Nga ana tjetër, Roza Anagnosti, megjithëse e kursyer në fjalë, nuk i ka mbajtur për vete emocionet para premierës së shfaqjes, që ishte mbrëmë dhe do të vijojë sot në TKES.

“Është një autor special, sa modern edhe realist. Shpresoj që ata që do të shohin këtë spektakël, të krijohet kimia mes sallës dhe publikut. Ka disa mesazhe universale si aktor. Unë jam shumë e lumtur si krijuese, që jam pjesë e këtij kasti. Përgjegjësia ime është se sa do ta materializojë këtë figurë artistike. Ka qenë një punë me një grup të rinjsh, emocion i bukur me përgjegjësi të madhe. Shpresoj që të kemi bërë atë që duhet. Pjesa përcjell mesazhe universale, të dashurisë së madhe, të jetës edhe të Zotit që është krijuesi, edhe se si jeta duhet që të jetohet në të gjithë dimensionet e saj, derisa ai që është krijuesi të na i marrë”, ka thënë Anagnosti.

Sipas aktores, për artistin është gjithmonë festë, vuajtje, përgjegjësi, është një provim, për faktin a do të ketë gjetur çelësin e duhur, a do të krijojë atë impakt, a do të rrijë në atë emocion të duhur në këtë moment, a ke gjetur autorin e duhur për t’i dalë publikut para.

5165c32f-9bc4-4aec-bdf0-449039a61106

PËR SHFAQJEN E ERIC-EMMANUEL SCHMIT-IT

Oskar është vetëm dhjetë vjeç. Por, sëmundja që ai ka, leucemia, e detyron atë që të jetojë në spital. Askush nuk ka guxim që t’i thotë të vërtetën, as prindërit dhe as mjekët. Në këto rrethana shfaqet një grua në dukje e ashpër dhe e drejtpërdrejtë, është tezja Rozë. Këtu nis gjithçka që të ndryshojë, argëtimet për Oskarin janë më të mëdha, një lojë vlen për të dhjetë vjet jetë.

“Oskari dhe tezja Rozë” është vepra që rikthen në skenë aktoren e njohur Roza Anagnosti. Vepra tregon historinë e Oskarit, një djalë i vogël dhjetëvjeçar që jeton në spitalin e fëmijëve sepse vuan nga leucemia.

As mjekët, as prindërit e tij nuk guxojnë t’i thonë të vërtetën mbi sëmundjen e tij. Por ja ku shfaqet teze Roza, në dukje një grua e ashpër, me karakter shpërthyes, por që fillon të bisedojë me të drejtpërdrejt. Për ta argëtuar pak Oskarin, Roza i propozon një lojë: të sillej sikur çdo ditë e jetës së tij vlente sa për 10 vjet.

jet. Në këtë mënyrë, ajo i ofron mundësinë të jetojë gjithë jetën për disa ditë. Duke e përshpejtuar jetën e Oskarit, autori do të në bëjë të kuptojmë që nuk jemi të përjetshëm dhe duhet të meritojmë dhe gëzojmë çdo moment të jetës. Tezja Rozë i këshillon gjithashtu t’i shkruajë Zotit, për t’u ndier më mirë. Edhe pse nuk beson vërtet në Zot, ai fillon t’i shkruajë letra dhe t’i kërkojë çdo ditë nga një dëshirë të plotësuar.

Në letrat për Zotin, Oskarin flet edhe për dhimbjet, për prindërit, për shokët dhe shoqet në spital, për shqetësimet, gëzimet e tij, dashurinë e tij të parë, kohën që kalon…

Kjo është historia e shkruar nga Eric-Emmanuel Schmitt dhe dramatizuar nga Chris Simion- Mercurian, e cila do të vijë në skenën e Teatrit Eksperimental nën regjinë e Kiço Londos si premierë më 13 dhe 14 Tetor ora 19:00. Vepra është përkthyer nga Kopi Kyçyku, ndërsa kostumografe është Klaudia Ndreshaj. Në role interpretojnë aktorët Roza Anagnosti, Franc Bregu, Françeska Hysi dhe Juxhin Plovishti.

Në tekstin e shkruar nga Eric-Emmanuel Schmitt përcillet një mesazh i fortë për jetën, se njerëzit nuk janë të përjetshëm, prandaj duhet që të gëzojnë çdo moment të jetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura