Opozita e bashkuar në zgjedhjet e 25 prillit me dy koalicione. Ja sa deputetë merr opozita sipas LSI

Oct 21, 2020 | 8:08
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME / Opozita e bashkuar do të shkojë në zgjedhjet e 25 prillit me dy koalicione. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, doli dje në një konferencë për shtyp ku tha se opozita e bashkuar po pret ezaurimin e procedurës ligjore nga Presidenti dhe Parlamenti për të parë se çdo të ndodhë me Kodin e ri Zgjedhor, i cili më 30 korrik u ndryshua pa konsensusin e opozitës së bashkuar. Në draftin e ri nuk mund të ekzistojë më formula tradicionale e koalicioneve.

Presidenti Meta ka paralajmëruar se do ta kthejë ligjin për rishqyrtim, por nga ana tjetër, edhe kreu i qeverisë është shprehur se do ta miratojë ligjin pa asnjë ndryshim.

“Ne jemi në pritje se çdo të ndodhë me Kodin Zgjedhor, të paktën në ato konferenca shtypi që ne kemi dëgjuar nga Presidenti i Republikës, na e ka bërë të qartë, sepse i ka dhënë fjalën qoftë Komisionerit për Zgjerim apo qoftë edhe partnerëve ndërkombëtare, për t’i krijuar dhe një shans dhe një mundësi tjetër maxhorancës për të mos dalë mbi dakordësimin e 5 qershorit, në mënyrë të tillë që të ruhet njëlloj serioziteti dhe të krijojmë hapësirën e eliminimin e pikës së parë, që është një nga kushtet kryesore po themi të kushteve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave: që është miratimi i Kodit Zgjedhor i 5 rekomandimeve të OSBEODIHR-it me konsensusin e të gjitha forcave politike”, tha Kryemadhi.

STRATEGJIA

Ndonëse nuk donte që të jepte detaje në lidhje me strategjinë se si do të përballen me maxhorancën më 25 prill, kryetarja e LSI-së disa detaje që përcaktojnë formulën e koalicioneve i dha.

“Ne nuk e kemi diskutuar akoma këtë gjë, por përsëri po e them: simboli i LSI-së nuk ikën nga fleta e votimit, sepse sot LSI-ja, duam apo nuk duam, është realitet, por është dhe një parti e majtë. Pra është e panegociueshme, pra po themi çështja e logos. Pastaj se si ne ndjekim taktikisht bashkë me gjithë partnerët tanë dhe partnerin tonë kryesor, që është Partia Demokratike, përfshirja dhe strategjitë politike dhe elektorale është në një fazë të dytë”, vijoi kryetarja e LSI-së.

Ndonëse më herët LSI-ja dhe i gjithë fronti opozitar i kundërshtoi ndryshimet në Kod pa konsensus, dje kryetarja e LSI-së tha se ndryshimet e bëra favorizojnë opozitën, madje dha edhe parashikime. “Këto janë sfida jonë kryesore, pastaj sfida si do dali Monika, Luli deputetë, mos u shqetësoni, me Kodin e Edi Ramës opozita merr 100 deputetë. Me kodin e vjetër një deputeti i duhen 13-15 mijë vota, me kodin e ri i duhen 10 mijë e një vota për deputetë. Është shumë e kollajtë, por një ditë tjetër t’ua shpjegoj edhe matematikisht formulën se si zbërthehen sepse në koalicione do t’i pjesëtosh me 3, ndërsa pa koalicione do t’i pjesëtosh me 2, pra 10 pjesëtim për 3 bëjnë 3, 10 pjesëtim për 2 bëjnë 5. Automatikisht ja ku i ke kaq vetëm në pjesëtim, por pastaj është e rëndësishme se sa do të shkojnë vota në kutinë e votimit nga secili nga ne”, u shpreh Kryemadhi.

PËRPLASJA ME PRESIDENTIN

Ndërsa sa i përket përplasjes së Kryeministrit Rama me Presidentin Ilir Meta, Kryemadhi e sheh në këtë këndvështrim. “Reagimet e z. Rama në mënyrë të tillë, mund të themi tangjente, duke u bërë skip problemeve, që janë inceneratorët, rafineritë e tjera, tjera, por që sot prekja dhe rrënimi i Kushtetutës janë shumë më të rënda se këto që flasim ne, këto kanë ndodhur për shkak se nuk funksionon sistemi i drejtësisë, nuk funksionon Reforma në Drejtësi dhe ajo që dua të theksoj dhe përsëris dhe njëherë është që sulmet që i bën z. Rama z. Meta unë i shikoj si një ftesë për të hyrë dhe për bërë pazar për kokën e tij”, vijoi kryetarja e LSI-së.

 

Greva e naftëtarëve, Kryemadhi: Rafineria është pronë e shtetit

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, bën përgjegjës kreun e qeverisë, Edi Ramën, për rëndimin e situatës së grevistëve naftëtarë. Kryetarja e LSI-së u shpreh se tashmë rafineria është në pronësi të shtetit dhe është përgjegjësi e tij për t’u dhënë pagat e prapambetura punonjësve dhe të rifillojë punën.

“Pronar i rafinerisë së Ballshit sot është shteti shqiptar dhe iniciativa më e vogël që mund të bëjë shteti është t’iu japë pagat atyre dhe t’u garantojë më pas rifillimin e punës, mjafton të marri vendburimin e naftës që ka sot Shqipëria që nga Patoz-Marinza, Sheqi, Bankers e të tjera me radhë, do të ishte jo vetëm një rifillim pune, por do të ishte me të vërtetë një pasuri shumë e madhe jo vetëm për naftëtarët, por dhe për shtetin shqiptar”, tha Kryemadhi. Ndërkohë, tha se po përdoren familjarë të kabinetit të Kryeministrisë për të keqpërdorur uzinën.

“Kapja e kësaj nëpërmjet strukturave apo zyrave të përmbarimit, që kanë qenë vëllezër të ministrave të Rilindjes dhe që sot janë pranë Bashkisë së Tiranës, përdorimi i gruas së Engjëll Agaçit në një bankë private për të rimarrë dhe për të marrë rafinerinë e naftës së Ballshit për një kredi që është shumë pak, kur në fakt vlera është e jashtëzakonshme. Shpërdorimi i të gjithë prodhimeve të naftës, të gjithë puseve në Shqipëri, duke filluar që nga Fushë-Marinza, Sheqi etj. Ne do ta vazhdojmë edhe më tutje mafien e naftës, por të vërtetat nuk i fshehin dot dhe aq më shumë duke provokuar Monika Kryemadhin dhe LSI-në me një video të tillë, që ishte absurde”, tha kryetarja e LSI-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura