Opozita: Aksion-refleksion dhe aksion-refleksion përsëri

May 29, 2018 | 17:33
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJprec zogaj/ Opozita e ka për detyrë t’u krijojë mundësi qytetarëve të bashkohen për të protestuar kundër qeverisë për lloj-lloj çështjesh e hallesh. Kjo është një detyrë specifike për opozitën e një vendi si Shqipëria ku me përjashtime mjaft të rralla, organizimet qytetare, sindikatat apo shoqëria civile nuk arrijnë të mbledhin një numër të konsiderueshëm protestuesish në sheshet e protestës antiqeveritare.

Nga kjo pikëpamje, gjithnjë mund të themi se protestat janë të mira, se edhe kur nuk dalin siç i duam e siç i presim, janë shumë më të mira se pajtimi pasiv me të keqen, se edhe kur duket se nuk ia arrijnë qëllimit, diçka e arrijnë megjithatë me mesazhet që japin, me lajmet që përhapin brenda dhe jashtë vendit. Këto pohime kualifikuese për protestat si mjete të luftës politike, ekonomike, shoqërore, morale dhe etike në demokraci nuk nënkuptojnë se ato duhen bërë herë e pa herë, për çdo gjë, gjithmonë njëlloj, me të njëjtën retorikë, me të njëjtën strategji dhe taktikë, me të dalë ku të dalë.

Duhet llogaritur patjetër suksesi. Sidomos kur i organizon opozita. Duhet bërë pastaj analiza shoqëruar… me refleksione me vlerë në funksion të aksionit të ri politik. Refleksione të tilla bëhen rrallë ose nuk bëhen fare.

As protesta më e gjatë, siç ishte çadra e PD-së para një viti, nuk është analizuar me këtë sy. Nuk është reflektuar rreth faktit, që mua më është dhënë rasti ta parashtroj në kohë reale, se bashkimi i kërkesës për dorëheqjen e Kryeministrit tre muaj para zgjedhjeve (kërkesë e jashtëzakonshme, por e drejtë), me përdorimin e së drejtës së vetos për vetingun që PD-së ia kishin dhënë në mirëbesim partnerët euro-amerikanë dhe gjermanë kur vetë kërkonte vende të rezervuara, nënkuptonte në versionin e suksesit prishjen e politikës, pra, mossuksesin.

Por kjo është një temë e kaluar tashmë. Le të shpresojmë se do të ketë një analizë të mirë dhe refleksione të mira për protestën e së shtunës së kaluar. Në këndvështrimin tim, kjo protestë edhe pse jo më e madhja, ishte sërish mjaft e madhe për mënyrën si u thirr, kur u thirr dhe si u organizua. Pjesëmarrësit e shumtë ishin para të gjithëve me praninë e tyre. Ata kishin sfiduar kontradiksionet që shoqëruan përgatitjen e kësaj proteste dhe deri orarin e papërshtatshëm.

Një aspekt tjetër pozitiv ishte karakteri paqësor që u ka dhënë dhe vijon t’u japë protestave të drejtuara prej tij kreu i PD-së, Lulzim Basha. Është shumë e drejtë ajo që ai tha, se qeverinë e rrëzon e vërteta, jo dhuna. Do të kishte qenë shumë më e dobishme dhe besoj edhe nxitëse për një pjesëmarrje më të lartë nëse ky qëndrim i qartë i Lulzim Bashës gjatë dhe pas protestës do t’i kishte dhënë tonin dhe do të kishte modeluar gjithë zërat politike të opozitës para protestës.

Jo se Basha vetë ka pasur ndonjë ekuivok për karakterin paqësor të protestës. Por është fakt se përgjatë javës, falë retorikës së disa opozitarëve të tjerë, u përhap një përshtypje sikur kësaj radhe njerëzit po thirreshin për një betejë finale me qeverinë. Që nënkuptonte atë që kanë nënkuptuar gjithmonë protestuesit e dy krahëve kur janë thirrur “për t’i dhënë fund”: hyrjen me forcë në godinën e Kryeministrisë. Ka njerëz që thonë se retorika e përplasjes shton njerëz në protestë.

Për faktin se kjo nuk është provuar dhe s’ka për t’u provuar ndonjëherë, sipas meje, duhet të braktiset jo vetëm si një retorikë që krijon keqkuptime të mëdha për rrugët e marrjes së pushtetit, por edhe si një rrjetë për të mbledhur më shumë njerëz. Përvoja, edhe kjo jona, ka treguar se thirrja për protestë të fuqishme, të vendosur, të zgjatur po të jetë e mundur dhe e nevojshme, por paqësore në thelbin e saj, mbledh me shumë njerëz. Kjo është në vetë natyrën njerëzore.

Mjafton që kauza të jete e qartë e bindëse dhe besueshmëria e atij që e thërret protestën të jetë në nivelin e duhur. Pjesë e refleksionit duhet të jetë zakoni i keq për të nxitur grupe ekstremiste apo individëve të prirur për rrëmujë me deklarata të papërgjegjshme të tipit “populli mund ta kalojë opozitën e vet”. I ka bërë Edi Rama në prag të protestës së 21 janarit 2011, u dëgjuan në forma të ngjashme edhe kësaj radhe. Populli sigurisht që mund ta kalojë opozitën e vet.

Kjo është e saktë si sentencë e përgjithshme. Por kur protestën e thërret opozita, kjo merr përgjegjësi. Lulzim Basha ka dhënë një shembull të mirë në këtë aspekt, por siç e thashë më lart, kur dikush tërheq në një drejtim dhe dikush në një drejtim tjetër krijohet një mishmash që nuk i shërben për mirë opozitës. Një pikë tjetër që meriton analizë dhe refleksion ka të bëjë me arsyet reale të protestës në momentin e dhënë dhe me mesazhet që burojnë prej tyre. Sigurisht që mund të protestohet për gjithçka, edhe për pyetësorin e Ministrisë së Arsimit që doli një ditë para protestës.

Sekush mund të ngrejë zërin e të japë alarmin e tij për një gjë që mendon siç e mendon apo e ka parë siç e ka parë. Por protesta ka gjithmonë një bosht. Opozita e mirë është përtej kasandrave, përtej falleve, përtej mendjeve të këqija që politika jonë i inkurajon, për fat të keq. Opozita mbështetet dhe vepron mbi fakte dhe mbi analiza profesionale që marrin në konsideratë gjendjen, momentin, konjukturën, kalendarin politik dhe shumë elementë të tjerë në lidhjen e të cilëve piqet një vendim i urtë politik.

Në qoftë se merret e analizohet morfologjia e artikulimeve të opozitës nga dita kur u thirr protesta dhe deri në momentin kur Basha mbylli fjalimin e tij, do të shohim se kakofonia e arsyeve kësaj radhe ka qenë më e madhe se çdo herë tjetër. Zhbalancimet shkuan deri aty sa pati zëra që linin të kuptohej se protesta kishte në shënjestër të saj Reformën në Drejtësi. Problemi kryesor i Reformës në Drejtësi është se implementimi i saj po ecën ngadalë. Sa më ngadalë ecën zbatimi i kësaj reforme, aq më shumë hapësirë dhe akses posedon Kryeministri Rama në fushën e drejtësisë.

Zgjidhja nuk është kthimi prapa, por përshpejtimi i zbatimit të reformës. Zbatimi e çarmatos Edi Ramën. Nëse opozita do të bënte të vetëm përshpejtimin e reformës, do ta rriste ndjeshëm mbështetjen. Sloganet për një drejtësi të vërtetë pa përmendur reformën krijojnë ekuivoke në perceptimin e publikut. Dhe publiku, masivisht, pret me shpresë zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Përvoja shqiptare ka treguar se protestat politike të thirrura nga opozitat janë bërë kryesisht për të prodhuar një lajm që hedh sa më larg në hapësirë një lajm tjetër. Protestat, rëndom, janë konceptuar si lëshues të një lajmi të keq. (Në 21 janar 2011, për shembull, qëllimi ishte për të çuar sa më larg nëpër botë lajmin e korrupsionit qeveritar që në atë kohë mishërohej me videopërgjimin e Ilir Metës). Kjo ka bërë që protestat të mos bëhen një instrument i ndikimit dhe ndryshimit për mirë, pra, të mos jenë popullore në thelb, por një çështje e lojërave, axhendave dhe rivaliteteve politike në klubin e drejtuesve, pra, të mbesin në suazën partiake.

Për t’i bërë popullore, duhet të reflektohet edhe në këtë pikë. Ka shumë për të reflektuar, le ta mbyllin me një pikë të fundit: pas stabilizimit të disa kolonave të shtetit ligjor në vend dhe avancimit të axhendës integruese euroatlantike nuk ka ndodhur të merret pushteti me protesta. Madje, as të shkohet drejt fitores me protesta. Protestat janë të domosdoshme, por fitorja kalon në rrugë të tjera. Në këtë kuptim, mbështetur në këtë përvojë, mendoj se për opozitën është jetike që duke ecur me parimin aksion politik dhe reflektim, të zbresë që tani në terren, të fillojë që tani fushatën elektorale për të diskutuar e ndarë me qytetarët programin e saj për taksat, për pensionet, për luftën kundër varfërisë, për subvencionet në bujqësi, për qeverinë e vogël, për ekipet, për investimet e huaja, për strategjitë e reja në infrastrukturë, për transparencën e për një mori çështjesh që janë jeta e qytetarëve.

Kushdo që ka bërë fushatë elektorale për PD-në vitin e shkuar, vajton faktin që gjëja më e mirë e saj, programi, nuk shkoi, nuk u dëgjua nga të gjithë dhe sigurisht nuk u asimilua për aq pak kohë. Tre vjet janë një kohë e mjaftueshme për ta ngulitur këtë program dhe për të përgatitur infrastrukturën e fillimit të zbatimit ditën e parë të qeverisë së re. Nëse opozita pret ardhjen e zgjedhjeve për t’u nisur prapë, nuk do të ketë kohë për t’u dëgjuar programi i saj.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura