Olta Boka: Elhaida stonoi pak, uroj që të renditet në “top 5”

May 23, 2015 | 15:05
SHPËRNDAJE

“Ishte punuar pak për elementet e tjera të performancës dhe ato teknike, kjo ka kosto në përcjelljen e emocioneve”

Në foto: Tri pjesëmarrëset në “Eurosong”, Olta Boka, Kejsi Tola dhe Juliana Pasha, duke bërë tifo për Elhaidën
E ka provuar magjinë e skenës së “Eurosong” në vitin 2008 dhe e kujton sikur të ketë ndodhur dje për shkak të emocioneve të forta që ka përjetuar. Olta Boka flet për performancën e Elhaida Danit me “I’m alive”, që shumë e komentuan për stonimin në natën gjysmëfinale. Pavarësisht çfarë ndodhi, Elhaida u kualifikua në finale, pasi për një kohë të gjatë kryesoi në listën e këngëtarëve më të votuar në faqen zyrtare të “Eurosong”. Ndërkohë që presim performancën e sotme në skenën e Vjenës, Olta jep parashikimin për këtë garë që sipas saj ka gjithnjë të papritura. Cili mund të jetë pozicionimi i Elhaidës sot në mbrëmje, e cila do të këndojë e parafundit në garën që transmetohet “live” dhe ku do të performojnë 27 finalistë?
Si një nga këngëtaret që ke eksperiencën e “Eurosong”, je entuziaste për Elhaida Danin në finalizimin e kësaj gare europiane?
Unë jam entuziaste. Kënga “I’m alive” është e bukur, këngëtarja shumë e mirë dhe promovimi i bërë ka qenë më mirë se në çdo vit. Elhaida ka pranë vetes një staf më se të organizuar dhe çdo gjë është kopsitur shumë mirë. Uroj që ky entuziazëm dhe ky investim të përkthehet në rezultat të mirë!
Komenteve për stonaturën e Elhaidës në natën gjysmëfinale çfarë mund t’u shtoje?
Fatkeqësisht, pak po. Në fakt, unë hyra të shihja parashikimet dhe pashë që janë ngritur në renditje perfomancat e tjera, si për shembull Rusia. Nuk e di nëse ka qenë kjo arsyeja e rënies së Shqipërisë në renditje, por shoh se ka shumë pretendentë për fitore këtë vit.
Ty personalisht kënga e cilit shtet të pëlqen?
Para netëve gjysmëfinale kisha dëgjuar vetëm këngën e Italisë, sepse zgjodha të mos i dëgjoja me vetëdije, pasi dëshiroja të bëja diferencimin e perfomancave me dëgjim të parë. Pasi i ndoqa netët gjysmëfinale, mund të them se më pëlqejnë këngët e Rusisë, Greqisë dhe Gjeorgjisë. Gjithashtu Estonia u paraqit këndshëm.
Efektet skenike të mahnisin në Eurovizion. Performanca e Elhaidës ishte e kompletuar në këtë aspekt?
Po, e vërtetë. Ndaj do të doja që në performancën tonë të kishte më shumë investim efektesh vizuale, sepse i japin shumë dorë këngës dhe interpretimit. M’u duk sikur Elhaida kishte më shumë peshë në natën gjysmëfinale, gjë që mund t’ia kishin thjeshtuar me pirroteknikë. Po të shihje perfomancat e tjera, vetëm efektet vizuale krijonin gjendje e emocion, kështu përfshiheshe menjëherë në këngë. Performanca e Shqipërisë e kishte të vakët edhe lëvizjen e robotëve dhe të dritave pa energji. Ndërkohë që kënga ka kulm shpërthyes, aty s’ndodhte asgjë.
Mund të bësh një parashikim, ku e pozicionon Elhaidën sot në finale, krahasuar me këngëtarët e shteteve të tjera?
Uroj vendin e parë, por përgatitja për të parin duhet të kishte filluar me kohë, të paktën në përzgjedhjen e vendit që do të mbahet. Kështu që me teori përjashtimi dhe mirëplanifikimi, mendoj se ka pak gjasa për fitore. Por uroj të jetë në “top 5”. Gjithashtu shpresoj që ky edicion i “Eurosong” të jetë më shumë i parashikueshëm se vitet e tjera! E them këtë, pasi dua t’ju garantoj për faktin që në Eurovizion s’ka asgjë të sigurt.
Si do e përshkruaje skenën e “Eurosong” nga pozitat e këngëtarit? Nëse do ngjiteshe përsëri, çfarë do bëje ndryshe?
Rrëqethje. Skena më e bukur në kontekst konkurrence. Nuk e kam menduar  se çfarë do bëja ndryshe po të shkelja përsëri në atë skenë. Por sot jam më e vetëdijshme, pasi për mua është si puna e detit që, sa më shumë rritesh, aq më pak noton larg, sepse e percepton më shumë rrezikun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura