Oficerët e Sigurimit kërkonin të shtinin në dorë vajzat e reja të internuara… (dhe fotot e rralla të internuarve në kampe)

Apr 17, 2018 | 12:32
SHPËRNDAJE

NGA DASHNOR KALOÇI 

Në fundin e vitit 1948 apo fillimin e vitit 1949 kur Shqipëria i prishi marrdhëniet me Jugosllavinë e Titos, pothuaj në të gjithë veriun e vëndit filluan arratisjet në masë. Si rezultat i kësaj situate dhe për ta frenuar sadopak fluksin e madh të personave që arratiseshin jashtë vëndit, qeveria komuniste e Tiranës e rriti menjëherë represionin dhe në atë kohë filluan internimet në masë.

Si rezultat i atij represioni, kampi i Beratit dhe ai i Kuçovës që sapo ishte hapur u mbushën plot me të internuar. Nisur nga numri i madh i të internuarve që u grumbulluan në ato dy kampe, qeveria komuniste u detyrua dhe hapi kampet e Turhanit dhe të Memalijat në rrethin e Tepelenës. Në ato dy kampe ku jetonin rreth 6000 të internuar në kufijtë e mizerjes, që në ditët e para plasën epidemi të ndryshme dhe në gushtin e vitit 1949 në kampin e Turhanit brenda një nate vdiqën 33 fëmijë nga sëmundja e dizanterisë”.

Lek Pervizi ne kampin e Tepelenes
Lek Pervizi ne kampin e Tepelenes

Njeriu që flet dhe dëshmon mbi kalvarin e gjatë të vuajtjeve të qindra familjeve shqiptare nëpër kampet e ndryshme të internimeve, të cilat regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shpallur “familje reaksionare”, është 86-vjeçari Lek Përvizi me origjinë nga Skuraj i Kurbinit, që bashkë me familjen e tij ka vuajtur nëpër kampet e ndryshme nga viti 1945 e deri në vitin 1990-të. Ndonëse që nga viti 1991, Lek Përvizi është vendosur me banim në Bruksel të Belgjikës, ai nuk i harron lehtë vuajtjet që ka kaluar nëpër ato kampe dhe ka dëshirë të flasë jo vetëm për dramën tragjike të familjes së tij, por për ato dhjetra e dhjetra familje të tjera që patën të njëjtin “fat” me të.

Lidhur me këtë periudhë kohe, pas viteve ’90-të Leka ka shkruar disa libra si dhe është botues i revistës “Kuq e Zi” që e nxjerr pa ndërprerje prej 20 vjetësh në mërgim në Bruksel. Gjithashtu Leka është i vetmi ish-i dënuar në kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili ka pikturuar mjaft skica nga kampi i Tepelenës dhe bashkëvuajtës të tij, duke i ruajtur ato me shumë sakrifica në vëndet e ndryshme të internimit ku ai ka qenë familjarisht deri në vitin 1991 dhe duke na i sjellë ato si një dëshmi e gjallë dhe e pakontestueshme e një prej periudhave më të errta të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Po kush ishin ato familje të mëdha që regjimi komunist i Enver Hoxhës i shpalli “Familje armiqsh e reaksionarë” dhe kur filloi kalvari i gjatë i vuajtjeve të tyre? Cili ishte kampi i parë i të internuarëve që regjimi komunist hapi në Shqipëri dhe cilat ishin familjet e para që u dërguan për të vuajtur dënimin aty? Kush ishin kampet e tjera që u hapën më pas dhe si u trajtuan të internuarit në ato kampe? Lidhur me këto dhe ngjarje të tjera nga kampet e internimit bën fjalë ky shkrim që është bazuar mbi dëshmitë e Lek Pervizit.

(Bashkangjitur këtij shkrimi po publikojmë dhe disa foto të rralla të internuarve në kampet e ndryshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku Lek Pervizi apo familjarë të tij kanë dalë me bashkëvuajtës të tjerë, nga familjet: Kupi, Gjonmarkaj, Bajraktari, Staravecka, Kola, Marashi, Dosti, Çelo, Dine, Dema, Koliqi, Trashani, etj etj.) Maj 1945, internimet e para të familjeve “reaksionare”

Ndonëse komunistët që erdhën në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, arrestimet ndaj kundërshtarëve të tyre politikë i kishin filluar që nga vera e atij viti, internimet e para të atyre familjeve që ata i shpallën “reaksionare”, filluan vetëm në majin e vitit 1945. Të arrestuarit e parë që ishin kapur pak kohë para mbarimit të luftës, të cilët komunistët i konsideronin armiq, u grumbulluan në një nga kazeramt e italianëve që ndodhej diku në malin e Dajtit dhe aty u mbajtën të izoluar deri nga janari i vitit 1945.

te internuar

Në atë kohë ata i zbritën në qytetin e Tiranës dhe i izoluan kryesisht në Burgun e Ri dhe në Burgun e Vjetër. Ky ishte dhe kontigjenti i parë i të burgosurve politikë të Shqipërisë, ndërsa disa muaj më pas, në majin e vitit 1945, qeveria komuniste e Tiranës filloi dhe internimet masive ku “streha” e parë e atyre familjeve ishte qyteti i Beratit.

Lidhur me këtë, Lek Përvizi, dëshmon: “Deri aty nga maji i vitit 1945, shumë nga familjet e mëdha që ishin shpallur rekasionare, si Gjomarkajt, Mëlyshajt e Bajraktarët e Mirditës, Kaloshët, Dinet, e Demët e Dibrës, Bajraktarët e Kukësit, Sokolët dhe Marashët e Shkodrës, Përvizët dhe Lalat e Kurbinit, ishin mbajtur të izoluar në Degët e Brendshme të rretheve të tyre. Në muajin maj të atij viti këto familje dhe shumë të tjera të cilat ishin njohur si familje zogiste, pa asnjë lloj vendimi gjyqësor u internuan të gjitha në qytetin e Beratit, i cili u bë qëndra dhe “streha” e parë e të gjitha familjeve “reaksionare” kryesisht të Veriut të Shqipërisë.

lek pervizi

Ndërsa në atë kohë qyteti i Beratit u “popullua” nga këto familje “reaksionare”, të Veriut të Shqipërisë, qyteti i Krujës u bë “streha” e shumë familjeve të tjera të Jugut të Shqipërisë. Familjet që u internuan në atë kohë në qytetin e Krujës, ishin kryesisht nga qyteti i Korçës por kishte dhe nga Gjirokastra, Saranda dhe nga zona e Dropullit të minoritetit grek. Nga ato familje që u internuan në atë kohë në qytetin e Krujës, më kujtohen: Kokali nga Saranda dhe Kullajt nga Zëmbëlaku. Të gjitha ato familje që u internuan në qytetet e Krujës dhe të Beratit, më parë u ishin konfiskuar të gjitha pasuritë e tundëshme dhe të patundshme dhe ato kishin dalë nga shtëpitë e tyre vetëm me rrobat e trupit.

Po kështu kishte dhe shumë familje që pasi ishin arrestuar dhe ishin sjellë në internim, komunistët u kishin djegur shtëpitë. Nga ato familje që iu dogjën shtëpitë ndër të tjera ishin: Gjomarkajt e Mirditës, Marashët e Shkodrës, Dinet e Demat e Dibrës, Kolat e Matit etj”, kujton 86-vjeçari Lek Përvizi, lidhur me periudhën kur regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi internimet e para të atyre familjeve që i shpalli “armike dhe reaksionare”.

thumbnail_GJONI02

Si u trajtuan familjet “reaksionare” në Berat e Kuçovë

Po si u trajtuan ato familje që regjimi komunist i dërgoi me dhunë për të vuajtur dënimin si të internuar në qytetin e Beratit? Lidhur me këtë, Lek Përvizi dëshmon: “Familjet e para që u dërguan në internim në qytetin e Beratit, ishin: Gjomarkajt, Mëlyshët, Bajraktarët, Përvizët, Lleshmarashët, Sokolët, Dinet, Demat, Kolat, Dodgjinët etj. Ato familje u vendosën kryesisht në lagjen “Kala”, por më pas ato u vendosën

edhe në lagjet e tjera të qytetit si “Mangalem”, “Murat-Çelepias” etj. Atyre familjeve fillimisht u jepej vetëm 500 gram bukë misri në ditë dhe ato ishin të detyruara që ta paguanin vetë qeranë e shtëpisë ku banonin. Shumë prej atyre familjeve që ishin të internuara në Berat, edhe pse banonin nëpër barake apo kasolle të improvizuara, e paguanin njëlloj qeranë e banesës si ato që ishin në gjëndje disi më të mirë. Të gjithë personat e familjeve të internuara në qytetin e Beratit, nuk kishin të drejtë të largoheshin nga qyteti dhe tre herë në ditë të gjithë: me gra, burra, fëmijë dhe pleq, paraqiteshin tre herë në ditë në apel pranë Degës së Brendshme.

thumbnail_GJONI03

Që në ditët e para që ato familje u dërguan aty, pra në majin e vitit 1945, regjimi komunist u mundua për t’i poshtëruar ata duke përdorur të gjitha mënyrat. Një nga ato mënyra që u përdorën për t’i poshtëruar ato familje, ishte hapja e kanaleve të ujrave të zeza në mes të qytetit. Më pas të internuarit u dërguan për të punuar edhe në punë të ndryshme në bujqësi dhe sidomos në luftën kundër karkalecit në fushat e mbjella. Në atë kohë shumë nga familjet që nuk mund ta mbanin dot frymën gjallë me 500 gram bukë në ditë, detyroheshin dhe shkonin në mal për të bërë dru, që t’i shisnin ato në qytet për të fituar ndonjë lek për bukën e gojës.

Përveç vuajtjeve fizike dhe urisë, në atë kohë shumë familje të internuara provuan mbi kurrizin e tyre dhe strese të shumta nga epshet e oficerëve të Sigurimit që kërkonin të shtinin në dorë vajzat e reja. Nga që asnjë prej atyre vajzave nuk ra “preh” e tyre, oficerët e Sigurimit u detyruan dhe i burgosën shumë nga ato vajza të reja. Ndonëse propaganda komuniste në atë kohë përdorte të gjitha mënyrat për t’i poshtëruar familjet tona që ishim të internuar atje, populli i Beratit u tregua tepër fisnik dhe mundohej me të gjitha mundësitë që kishte për të na i lehtësuar sadopak dhimbjet. Shumë familje beratase në atë kohë u dërgonin familjeve të internuara, ushqime dhe rroba e batanie për të fjetur. Po kështu dhe brenda për brenda familjeve të internuara në atë kohë kishte një solidaritet shumë të madh.

thumbnail_GJONI04

Shumë prej familjeve që kishin ndonjë të ardhur apo krah pune më shumë, u gjendeshin dhe u jepnin gjithmonë atyre familjeve që nuk kishin krah pune për të punuar. Në atë kohë në familjet e internuara nuk kishte shumë arrestime dhe kur ndonjë i arratisur vritej, familjen e tij e lironin nga internimi dhe e kthenin andej nga kishte ardhur. Kështu ndodhi me familjen e Llesh Marashit që u ekzekutua në atë kohë në Shkodër. Por ajo gjë nuk ndodhte gjithmonë, sepse kishte raste si ai i familjes Gjonmarkaj, që ndonëse u vranë shumë prej tyre, ata nuk i liruan asnjëherë nga internimi. Nga fundi i vitit 1947 nga Berati shumë familje u dërguan në Kuçovë ku filloi ndërtimi i fushës së aviacionit.

Ato familje u vendosën në kazermat e italianëve dhe për të ngrënë u jepej vetëm bukë thatë pa gjellë. Pas Kuçovës shumë nga ato familje u sollën në Valias të Tiranës për të punuar në bujqësi, siç ishin Gjomarkajt, Demët etj”, kujton Lek Përvizi lidhur me trajtimin e familjeve të internuara në qytetin e Beratit e Kuçovës.

thumbnail_GJONI05

Vdekja e 33 fëmijve në kampin e Turhanit

Pas qytetit të Beratit, regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi t’i dërgonte të internuarit edhe nëpër qytete të tjera. Lidhur me këtë, Lek Përvizi dëshmon: “Aty nga fundi i vitit 1948 apo fillimi i vitit 1949, kur Shqipëria i prishi marrdhëniet me Jugosllavinë, në Veriun e vëndit filluan arratisjet në masë. Për ta frenuar sadopak atë fluks arratisjesh, regjimi komunist në atë kohë rriti represionin dhe filloi internimet masive. Nga që Kuçova dhe Berati në atë kohë u mbushën plot me familje të internuara, për të mos rënë në sy, regjimi komunist u detyrua dhe hapi dy kampe të tjera në Turhan dhe Memalija të Tepelenës.

Në ato dy kampe që u mbushën vetëm me familje të internuara të Veriut të Shqipërisë, kushtet e banimit ishin në kufijtë e mizerjes dhe të internuarit jetonin në kondita primitive. Atyre u jepej vetëm 500 gram bukë misri thatë e asgjë tjetër. Në atë kohë që u vra Bardhok Biba, numri i të internuarëve në dy kampet e Tepelenës, arriti në 6000 vetë. Nga mungesa e madhe e higjenës, aty plasën epidemitë e sëmundjeve të ndryshme dhe njerzit vdisnin në masë. Mesatarja e vdekjeve nga ato epidemi, ishte shtatë veta në ditë. Katastrofa më e madhe ndodhi në gushtin e vitit 1949 kur në kampin e Turhanit vdiqën 33 fëmijë brenda një nate dhe për këtë gjë është dëshmitar, Abdurrahman Kaloshi, i cili mund të tregojë më shumë.

thumbnail_lek-Pervizi-autoportret

Të gjitha ata fëmijë vdiqën nga epidemia e dizanterisë sepse nuk kishte asnjëlloj ndihme mjeksore dhe buka e misrit ishte e mykur. Tmerrit të vdekjeve të asaj nate, iu shtua edhe më shumë ankthi sepse nuk premtonte koha për të hapurr varret për të gjithë ata foshnje. Një gruaje nga Vermoshi i Dukagjinit që quhej Cukalina, i vdiqën dy fëmijet binjakë, njëri në mëngjez dhe tjetri në darkë. Nga që ata ishin dhe mashkujt e vetëm të fisit, nëna e tyre vrau veten të nesërmen me gjithë motrën e saj. Kjo tragjedi e madhe shkaktoi bujë të madhe tek mjekët e Gjirokastrës dhe Tepelenës, të cilët patën kurajon dhe e bënë problem në Tiranë atë gjë.

Qeveria komuniste e Enver Hoxhë u detyrua dhe dërgoi aty një grup oficerësh për të parë gjëndjen dhe pas atij inspektimi u vendos mbyllja e kampit të Turhanit dhe atij të Memaliajt. Të gjithë të internuarit e atyre dy kampeve, u dërguan në kampin e Tepelenës ku kushtet ishin disi më ndryshe se aty, sepse u vendosën në kazermat e italianëve ku kishte dhe ujë për të pirë. Por edhe në atë kamp ku të internuarëve u jepej vetëm 650 gram bukë gruri me pak supe me krimba që ishte vetëm ujë, vazhduan përsëri vdekjet. Edhe në aty të internuarit nuk i shpëtuan dot të ftohtit dhe urisë.

Ata dërgoheshin të punonin në pyll për dru, pleh, dhe për të mbajtur shtylla për ndërtim. Nga fundi i vitit 1949 shumë të internuar u dërguan në kampin e Porto-Palermos që sapo u hap në atë kohë. Në atë kamp ata u vendosën në Kala dhe shumë prej të internuarëve edhe sot e kësaj dite janë të verbuar nga errësira që ishte atje”, kujton Lek Përvizi, lidhur me tragjedinë e kampit të Turhanit ku në gushtin e vitit 1949, vdiqën 33 fëmijë nga kushtet e këqia të jetesës.

thumbnail_Te-internuar-ne-Myzeqe

Nga Tepelena në Myzeqe

Familjet e internuara në kampin e Tepelenës, qëndruan aty deri në vitin 1953, sepse në atë kohë shumë prej forcave të afta për punë u dërguan për të punuar në rrethe të ndryshme për ndërtimin e disa godinave të Degëve të Brendshme. Lidhur me fatin e mëtejshëm të familjeve të internuara, Lek Përvizi, dëshmon: “Aty nga viti 1954 kampi i Tepelenës u mbyll dhe të gjithë familjet që ishin aty i mblodhën dhe i sollën në disa kampe që u hapën në fushat e Myzeqesë, si në sektorët e Grabjanit, Çermës, Gradishtës, Dushkut, Plugut, Savërs, Xhazës etj.

Po në vitin 1954 një pjesë të internuarve u dërguan në kampin e Kuçit të Kurveleshit që sapo u hap në atë kohë. Vetëm ndër 100 të internuar që u dërguan përnjëherë aty, 60 prej tyre kishin mbaruar universitetet e Perëndimit, si Dom Mikel Koloqi, Ali Erebara, Ibrahim Sokoli, Nedim Kokona, Sami Kokalari etj. Kampi i Kuçit të Kurveleshit u mbyll në vitin 1958 dhe të internuarit që ishin aty u sollën përsëri në kampet e Myzeqesë. Në ato kampe, bashke me dhjetra familje si Dostët, Gjomarkajt, Çelët, Hoxhat, Bajraktarët, Dinet, Demët, Ndretë, etj, ne qëndruam deri në vitin 1990-të kur u shkri Komisjoni i Internim-dëbimeve.

Një pjesë e të internuarëve qëndroi aty edhe për disa vjet të tjera pas 1990-ës, por për hir të së vërtetës dua të them se në ato kampe ka akoma disa nga familjet e internuara që nuk kanë se ku të gjejnë strehë tjetër”, e përfundon rrëfimin e tij 86-vjeçari Lek Përvizi, mbi fatin tragjik të shumë familjeve fisnike që regjimi komunist i shpalli “reaksionare” dhe i degdisi për 45-vjet me rradhë në kampet e internimmit që ishin hapur anekënd Shqipërisë.

Tema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura