“Nuk mungon kori i atyre që të vënë stërkëmbëshin”- Veliaj: Po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush bën punë dhe kush shet fjalë

Mar 24, 2021 | 16:08
SHPËRNDAJE

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga kandidati i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Toni Gogu, u shpreh se po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush bën punë dhe kush shet vetëm fjalë.

north

Gjatë vizitës në shtëpinë e re të rindërtuar të Shaban Dorzit,  kryebashkiaku Veliaj, e cilësoi Bashën si të vetmin kryetar partie që në fushatë zgjedhore u shet qytetarëve programin e tij politik të paketuar si një libër.

“Është shumë e qartë, kush punon e kush ka vetëm fjalë. Basha mundohet që edhe në fushatë të shesë librin e vet, para se të shesë një ide të mirë, për t’i bërë gjërat pak më shpejt dhe pak më cilësore. Jo vetëm që nuk e voton as gruaja, por nuk voton dot as veten, pasi i ka skaduar karta e identitetit. Në vend që të bënin thirrje të merrnin njerëzit kartat, 10 mijë lekë është një, bëjnë thirrje për të blerë programin 10 mijë lekë,” u shpreh Veliaj, duke thumbuar kryedemokratin Lulzim Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se pavarësisht kritikëve dhe skeptikëve, socialistët nuk dorëzohen në misionin për t’i çuar gjërat përpara. “Kur dikush punon, nuk mungon kori i atyre që të vënë stërkëmbëshin, i atyre që thonë “kjo nuk bëhet”, i cinikëve, skeptikëve, i dyshuesve e thashethemexhinjve, por unë besoj që kori i njerëzve të mirë, i njerëzve të punës, i njerëzve të drejtë, është akoma më i madh. Le të thonë çfarë të duan! Në finale, fjalët i merr era, por kjo shtëpi do ngelet, shkolla do ngelet, rruga do ngelet. Ne punojmë për njerëzit. Ne nuk kemi kohë të humbim. Nuk do e lëmë përgjysmë, por do ta çojmë deri në fund këtë mision”, përfundoi Veliaj.

190 familje në Njësinë Administrative Pezë janë përfituese nga procesi i rindërtimit. Aktualisht janë dorëzuar 46 shtëpi, ndërsa janë drejt përfundimit edhe shtëpitë e tjera, 30 prej të cilave në lagjen e re në fshatin “Pezë Helmes”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura