“Një natë në Manastir” i Mustafa Nanos, romani ku shqipja vjen bukur dhe e latuar

May 24, 2022 | 9:48
SHPËRNDAJE

ALBERT SHEQI

LdK4su0l

Gazetari, studiuesi dhe romancieri Mustafa Nano bën pjesë tek ai grup i vogël autorësh shqiptarë që unë mëtoj se u kam lexuar çdo gjë që kanë shkruar. Mirëpo, fatkeqësisht, romani i tij i fundit, “Një javë në Manastir” më kishte shpëtuar pa e lexuar. Një roman që më pëlqen, unë e lexoj dy herë që herën e parë. “Një javë në Manastir” e lexova tri herë që herën e parë. Dhe gjasat janë që do t’i bëj edhe një rilexim të ngeshëm gjatë verës, edhe ngaqë unë jam shumë i apasionuar me romanet historike, por edhe sepse “Një javë në Manastir” është romani historik më i bukur në letërsinë shqipe. Për më tepër, është roman i shkruar me një shqipe të qëruar dhe shumë të pasur. Të paktën kështu mendoj unë dhe po e shpjegoj pse e mendoj kështu.

Një ndër shenjat dalluese të një autori të arrirë është kujdesi i posaçëm që shkrimtari tregon për të harmonizuar përmbajtjen e veprës me strukturën estetike të përshtatshme për ta shprehur sa më qartë brendinë e veprës, në mënyrë të atillë që forma dhe përmbajtja të përforcojnë njëratjetrën. Histori për të treguar mund të kenë shumë njerëz, por jo të gjithë dinë të gjejnë strukturën, mënyrën dhe stilin e duhur për t’i rrëfyer dhe për t’i kthyer ato në letërsi artistike cilësore. Romani “Një javë në Manastir” gërsheton subjektin me tematikë historike të përshkuar tërësisht nga një simbolikë të përbotshme me një rrëfimin letrar polifonik, pra rrëfimin që bazohet tek iso-polifonia shqiptare. Ashtu si Toni Morrisoni, nobelistja afrikanoamerikane, përdor estetikën e bazuar te muzika e xhazit për të ndërtuar romanet e veta, edhe Mustafa Nano ka përdorur estetikën e bazuar tek kënga polifonike labe, (si kënga që këndon Mane Polena me grupin e tij që shoqërojnë Bato Kosinën). Romani ka katër pjesë që rrëfehen nga personazhe të ndryshme. Zërat rrëfimorë gërshetohen: dy janë të huaj dhe dy shqiptarë dhe ngjarjet e rrëfyera edhe kryqëzohen, edhe përplasen, edhe shtohen, edhe përimtohen, edhe përforcohen, edhe përmbysen, duke kaluar nga njëri rrëfimtar te tjetri, me një mjeshtëri prej William Faulkner-i. Një gjetje estetike e spikatur dhe tejet origjinale në roman është edhe pasqyrimi i gjuhës shqipe me disa alfabete të ndryshme, ku spikat një copëz nga ditari i Grigor Toskës me alfabetin e Toskeci (Grigor TOSKa plus Foti Ostreci), po edhe shqipja me alfabetet e tjera të kohës, si edhe pasqyrimi i përkryer i dialekteve. Kjo gjetje estetike duhet të ketë qenë punë tejet e lodhshme për autorin. Por nga pikëpamja letraro-estetike, ky lloj pasqyrimi gjuhësor është një hedhje e lexuesit në kohën kur zhvillohen ngjarjet në roman, pra një pasqyrim estetik i përkryer i frymës e kohës ku mbizotëronin mendime të ndryshme për çështjen e alfabetit të shqipes.

Rrëfimi në këtë roman dominohet nga “përroi i ndërgjegjes” së personazheve kryesore që rrëfejnë ngjarjet e vendosura gjatë javës më të rëndësishme të historisë sonë, pra nga e shtuna e 14 nëntorit deri të dielën e 22 nëntor 1908. Si teknikë rrëfimore, “përroi i ndërgjegjes” i jep përparësi pasqyrimit të botës së brendshme të personazheve, asaj bote të trazuar ku mbahen të burgosura të gjitha të vërtetat që njerëzit as duan t’i ndajnë me të tjerët as t’i shprehin të plota, ashtu sikurse i mendojnë. Bash tek kjo botë e brendshme zhbiron Mustafa Nano, duke zhdrivilluar dhe nxjerrë në dritë të gjitha frikërat e brendshme njerëzore.

Nga pikëpamja e fabulës, të gjitha romanet e mëdha rrëfejnë ose për një udhëtim, ose për një të huaj që mbërrin diku, ose për një mister apo vrasje që duhet zbuluar. “Një javë në Manastir” i Mustafa Nanos i gërsheton të tria. Për të zbuluar “gjëegjëzën e jetës së tij” Robert Bolton, piktor i famshëm anglez i martuar me një albanologe angleze të mirënjohur, ndërmerr një udhëtim në qytetin e Manastirit pikërisht gjatë javës kur shqiptarët zhvilluan Kongresin e Alfabetit, ngjarjes më të rëndësishme në lidhje me ngjizjen e identitetit kombëtar. Ndonëse romani duket se bazohet tek udhëtimi fizik me tren i Robertit, tek rrugëtimi i tij nga stacioni i trenit drejt qytetit, dhe tek qëndrimit të tij në Manastir, qendra e vërtetë e romanit është një udhëtim tjetër shumë më të rëndësishëm, rrugëtimi shpirtëror dhe zbarriqet mendore të Robertit, që, ndryshe nga udhëtimi fizik në të tashmen, kthen prore në rravgime nga e shkuara, aty ku gjenden rrënjët e dhimbjes njerëzore sipas Folknerit. E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për udhëtimet fizike dhe shpirtërore të personazheve të tjera kryesore në roman: Grigor Toskës, Fred Potterit, Foti Ostrecit.

Ndonëse tema qendrore e romanit është “ngjizja e identitetit”, temë që autori e kundron mjeshtërisht si në rrafshin e individëve (qoftë te personazhet qendrore: p.sh., Robertit i duhet të zbulojë është apo nuk është baba; Grigori, pas dështimit të martesës me një serbe që simbolikisht e kaploi epilepsia sapo shkeli në pragun e Toskëve, martohet me Nushën nga Bjeshkët e Nëmuna dhe që e bën baba me binjakë), por edhe në planin e kombit (A do të ngrihen delegatët e Kongresit mbi ndasitë krahinore dhe fetare dhe të bashkohen për zgjedhur orientimin e duhur për mbarë kombin?) Temën e formësimit të identitet e përforcojnë si koha edhe vendi i përzgjedhur për të vendosur ngjarjet në roman. Ajo ishte koha e vendimeve historike, koha e përplasjes së dallgës së orientalizmit me atë të oksidentalizmit, dhe elita kombëtare duhet të bënte zgjedhjen e madhe.

Romani është i mbushur gjithashtu me përsiatje të përkryera për jetën, vuajtjen dhe vdekjen; për fuqinë e së shkuarës në formësimin e të tashmes; për rëndësinë e gjuhës. Romani ka gjithashtu shumë shtjellime të përimtuara mbi fenë, islamin, mërtisjen e grave, ndërrimin e emrave; por edhe për imagjinatën, seksualitetin dhe tradhtinë bashkëshortore; braktisjen e identitetit dhe përqafimin e një identiteti të ri; konceptin e nderit dhe të besëtytnisë; konceptet e së mirës dhe së keqes dhe shumë aspekte të tjera, ku autori bën shumë kujdes dhe tregon ndjeshmëri të lartë që t’i parashtrojë të gjitha anët dhe këndvështrimet e ndërlikuara për këto tema të koklavitura.

Shkrimtarët e arrirë shkruajnë gjithmonë për personazhet e tyre, jo për lexuesit. Galeria e personazheve në romanin “Një javë në Manastir” është e jashtëzakonshme, dhe po ashtu përshkrimet e tyre janë të paharrueshme. Motivimet e brendshme janë gjithashtu shumë të goditura. Personazhet qendrore janë Robert Bolton bashkë me bashkëshorten Matilda Bolton dhe vajzën e tyre, Besa Bolton, Grigor Toska, i biri i Pandit dhe Frosinës, dhe Nusha, gruaja e tij gege; Foti Ostreci, ish-murgu në rrugëtimin e tij nga manastiri serb Hilandar në Malin e Shenjtë përfundoi në qytetin e Manastirit; Bato Kosina, kryetari i Kongresit të Alfabetit dhe shoqëruesi i tij Mane Polena, Adem Kosturi që jeton në Londër dhe do të quhet Adam Kosturi; Nadir Surreli, dramaturgu që e ka braktisur rrënjët shqiptare (“rrënjëdali”), ka ndërruar emrin në Nadir Seral dhe ka përqafuar një identitetin turk. Natyrisht, që disa personazhe janë ndërtuar duke u bazuar tek disa personazheve historike shqiptare, si për shembull, Mit’hat Frashëri apo Faik Konica, por ama në romanin e Mustafa Nanos ata mbajnë emra krejt të ndryshëm. (Mos harro këtu pasazhin me metaprozën e përkryer në faqen 119-121.)

Së fundi, po bëj edhe një shpjegim që lidhet me tiparin kryesor dallues të romaneve historike. Ky shpjegim është i panevojshëm për specialistët e vërtetë të letërsisë, por ka një grup të madh njerëzish që i ngatërrojnë romanet historike me librat e historisë, duke e “akuzuar” shkrimtarin “për tjetërsim apo shtrembërim të historisë.” Kjo është “një akuzë” po aq fëminore sa dikush që do ta akuzonte Florian Binaj se “ti nuk qenke Edi Rama dhe ke shtrembëruar imazhin e tij”, apo Agron Llakajn për “tjetërsim të mesazheve të Berishës”. Romanet historike përcjellin frymën e kohës historike, për të cilën rrëfejnë dhe këtë e bëjnë sepse autori gjen “të njëjtën frymë” të mishëruar edhe tek e tashmja. Prandaj, ata që duan të lexojnë për “të vërtetat historike” duhet të lexojnë libra historie të shkruara nga historianët, jo romane historike ku shkrimtari ka “licencë poetike” jo vetëm të ndryshojë ngjarjet historike, por edhe të sajojë personazhe historike që ndoshta nuk kanë ekzistuar fare.

“Një natë në Manastir” është një lexim i mrekullueshëm, nëse ju pëlqen shqipja e bukur dhe e latuar me kujdesin dhe përkushtimin e një skulptori gjuhësor par excellence, por nuk romani nuk hyn te leximet e thjeshta. Mustafa Nano shkruan për lexuesin e angazhuar, pjesëmarrës, mendjehapur dhe me mendim kritik të vetin, dhe si shpërblim Nano të pasuron shumë shqipen dhe të mpreh të menduarin kritik, sigurisht duke të zhytur në histori, ai të mëson për të tashmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura