Një “identikit” i politikanit në konflikt interesi…

Jan 10, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

 

ZEF PREÇI zef-preci

Mbasi njihesh me rastin në fjalë kur një funksionar politik, përpara marrjes së një detyre shtetërore (p.sh. kryetar bashkie, deputet etj.) transferon kuotat e aksioneve që zotëron në një biznes të caktuar te njerëzit më të afërt të familjes (zakonisht bashkëshorti/ja ose vëllai) ose te persona të tretë, si p.sh. (ortakët në biznes, ish-shoferi, ishbodigardi etj., lindin një mori pyetjesh, pikëpyetjesh dhe problemesh lidhur me “konfliktin e interesave”…

Le t’i marrim me radhë.

Pyetja e parë që lind me këtë rast është: A është e rregulluar me ligj çështja e “konfliktit të interesave” në postet politike dhe në administratën e lartë shqiptare? Siç dihet, kodi model i sjelljes për zyrtarët publikë i Këshillit të Europës, i miratuar në vitin 2000, përkufizon se “konflikti i interesit buron nga një situatë në të cilën zyrtari publik ka një interes privat, i cili është i tillë sa ndikon ose duket se ndikon në performancën e paanshme dhe objektive të përgjegjësive zyrtare të tij ose saj”.

Gjatë periudhës nga krijimi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), janë bërë përpjekje për të përfshirë edhe konfliktin e interesave në rrethojën e veprimtarisë së këtij institucioni. Për këtë qëllim janë miratuar një sërë manualesh, udhërrëfyesish dhe instrumentesh rregullatorë – në ndonjë prej tyre ka dhënë kontributin e vet edhe autori i këtyre radhëve… Megjithatë, mjedisi politik as që e ka lejuar funksionimin normal të këtij institucioni, përveç faktit që ka ushqyer vendimmarrjen e organeve të reja të drejtësisë gjatë procesit të vetingut

Sipas raportit vjetor të ILDKPI-së, për vitin 2018 janë shënuar 112 raste me masa administrative ndaj subjekteve në kushtet e konfliktit të interesave dhe 53 raste referimesh penale gjithsej në periudhën 2014-2018, ose pak më shumë se 10 raste në vit (?!)..

Pavarësisht kësaj, me mbështetjen e USAID-it dhe institucioneve europiane, vendi ynë ka një kuadër bashkëkohor në këtë fushë dhe gjithçka është subjekt i Inspektoratit për deklarimin e aseteve dhe të interesave, Kuvendit të Shqipërisë etj. Mirëpo, këtu flitet vetëm për aspektin formal të çështjes, d.m.th. “për të qenë në rregull me ligjin” dhe jo me filozofinë dhe kushtetutshmërinë e ligjit, me përmbajtjen e tij… Në fakt, kjo pjesë e kuadrit ligjor është pak ose aspak e njohur (ndoshta qëllimisht), është e rregulluar keq në praktikë dhe në kushtet e institucioneve të kapura politikisht, edhe pothuajse plotësisht jofunksionale…

Pyetja tjetër është: Ku ndikon më shumë mosrespektimi i kuadrit ligjor për “konfliktin e interesave”? Studimet tona dhe të institucioneve të huaja mbi qeverisjen në vendin tonë tregojnë se dy fushat kryesore të ndikimit të këtij fenomeni në jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit tonë mbeten: prokurimet publike dhe përfaqësimi politik i lidhur me të. Le ta konkretizojmë paksa duke u nisur nga pasojat e situatave të caktuara të viteve të fundit. Me këtë rast, le të tentojmë të japim edhe një “identikit” të politikanit edhe/ose të nëpunësit publik në kushtet e konfliktit të interesave… Kështu, angazhimi publik në funksione politike i një numri biznesmenësh, sidomos gjatë dekadës së fundit, të njohur ndryshe edhe si oligarkë (njerëz që pasurohen në kurriz të buxhetit të shtetit, pasurive publike, kontratave koncesionare etj.) ka bërë që të zbehen dukshëm kufijtë midis të ligjshmes dhe të paligjshmes në favor të kësaj të fundit, që transferimi i aksioneve apo drejtimit të biznesit të jetë vetëm dokumentar, që institucionet shtetërore kontrolluese e ligjzbatuese të qëndrojnë larg këtyre bizneseve, që mbeten “lule mos më prek” dhe kuptohet edhe burim evazioni fiskal, pavarësisht qenies në pushtet apo në opozitë të pronarëve/aksionerëve të vërtetë të tyre… Në të njëjtën kohë, largimit formalisht nga pronësia apo drejtimi legal i bizneseve private iu ka dhënë “dorë të lirë” politikanëve të lartë dhe drejtuesve të ekzekutivit që në procesin e prokurimit të fondeve publike të favorizojnë kompanitë e tyre, tashmë në emër të personave të tjerë. Përndryshe nuk ka se si shpjegohet që këto kompani kanë si karakteristika kryesore, të tilla si: lulëzojnë (d.m.th. rritin vëllimin e xhiros vjetore disa herë, në shumicën e rasteve në përmasa dyshifrore) në kohën që sipërmarrësi “origjinal” ulet në tryezën politike; volumin më të madh të aktivitetit të tyre e kanë me institucionet publike dhe jo si operatorë privatë; në tenderë hyjnë zakonisht si bashkime kompanish (konsorcium), por kjo është vetëm formale; fitojnë tenderët në shkollë kombëtare, pavarësisht vendndodhjes së tyre të mëparshme; megjithëse prokurimi është elektronik, çka presupozon ruajtjen e konfidencialitetit dhe konkurrence të vërtetë midis pjesëmarrësve, këto kompani fitojnë gati gjithmonë në kufirin absolut të fondit limit… Nuk mungojnë edhe rastet kur për pjesëmarrjen e tyre, tenderë të mëdhenj prej miliona eurosh, të ndihmojë edhe administrata publike për përgatitjen sipas ligjit të dokumentacionit në fjalë… P.sh., ishte tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit që i ndërpreu karrierën politike një zyrtari të lartë lokal, më shumë se votëblerja e pandëshkuar e lidhur me të.

Sa i takon aspektit të dytë të ndikimit të konfliktit të interesave, influencimit të zhvillimeve të ardhshme politike, gjendja është edhe më shqetësuese. Kështu, biznesmenët e përfshirë në politikën lokale, si rastet e denoncuara kohë mbas kohe në masmedia për kompanitë e lidhura apo në pronësinë reale të politikanëve të lartë, në shumicën e tyre nuk janë asgjë më shumë sesa një inkubator gjigant i pasurimit personal dhe përgatitjes për t’u përfshirë në politikën qendrore, në Kuvendin e Shqipërisë. E përderisa gjithë ky proces bazohet gjerësisht në favoritizëm, shkelje të konkurrencës në treg dhe korrupsion me fondet publike, do të ishte naive të shpresohej në zgjedhje të lira e të barabarta e dokrra të tjera, me te cilat është ushqyer opinioni publik gjatë tri dekadave të fundit…

I shkrova këto radhë duke besuar se ndoshta SPAK dhe BKH, meqë kane prezencë dhe mbikëqyrje të BE dhe SHBA, mund të marrin në konsideratë edhe “konfliktin e interesave” në gjurmimin dhe ndëshkimin e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, duke i kontribuar kështu fillimit të normalizimit demokratik dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, si dhe së ardhmes europiane të tij.

Në këtë koment nuk po ofroj raste konkrete, për faktin e thjeshtë se mjaftojnë denoncimet e BIRN për një numër procedurash të dyshimta tenderimi, për shumicën e te cilave institucionet përgjegjëse heshtin; mjafton raporti i Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) për numrin e tenderëve publikë “me negocim të drejtpërdrejtë, pa shpallje” apo me një pjesëmarrës të vetëm në tender; mjaftojnë raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për parregullsitë e konstatuara në procesin e tenderimit të fondeve publike dhe dëmin e shkaktuar në buxhet për këtë shkak.

Personalisht, mendoj se përderisa asnjë politikan apo nëpunës i lartë nuk shet aksionet e biznesit në oferte publike, në bursë duke hequr dorë realisht nga interesat private, ai/ajo është i/e zhytur në konflikt të interesit dhe është pjesë e makinerisë vrasëse të demokracisë, që kanë ndërtuar partitë politike shqiptare sidomos mbas vitit 1997. Ndërsa dalla nga ky qerthull nuk është çështje deklaratash publike apo angazhimesh e përbetimesh të drejtuesve politikë, por çështje e ndërgjegjësimit qytetar dhe e kapërcimit të kulturës së pandëshkueshmërisë së rrënjosur keqas gjate gjithë periudhës mbas ndryshimeve sistemike të vitit 1990. Aq më pak, kapërcimi i kësaj gjendjeje kalon thjesht nëpërmjet amendimit të Kodit Zgjedhor, siç mendojnë një pjesë e mirë e opinionit publik. Të mos harrojnë se pa reformimin, demokratizimin dhe ndërtimin e institucioneve “check and balance” brenda partive politike, as që ka shpresë në normalizimin dhe në funksionalizimin e shtetit të së drejtës në Shqipërinë tonë hallemadhe…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura