Një analizë financiare e largimit të fenomenit Messi nga Barcelona

Aug 7, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

Eduard_ZALOSHNJA

EDUARD ZALOSHNJA

Michael Jordan, sipas re vistës “Forbes”, ka akumuluar deri më sot 2.2 miliardë dollarë nga aktiviteti i tij sportiv. Por vetëm 4.5% të këtyre të ardhurash ai i ka siguruar nga rrogat e tij si basketbollist.

95.5% të të ardhurave i ka siguruar nga sponsorizimet gjatë karrierës sportive dhe pas saj, si dhe nga artikujt e shumtë sportivë me emrin “Jordan”, duke filluar nga atletet, bluzat, tutat etj., që shiten shtrenjtë edhe sot. Dhe të mos harrojmë që në kohën e tij nuk kishte të ardhura nga “Instagram”, “Facebook”, “YouTube” etj., sepse ato nuk ekzistonin fare atëherë…

Lionel Messi, sipas revistës “Forbes”, ka akumuluar deri më sot 0.9 miliardë dollarë nga aktiviteti i tij sportiv. Por vetëm 35% e këtyre të ardhurave ai i ka siguruar nga sponsorizimet dhe shitja e artikujve sportivë me emrin e tij. Plot 65% i ka siguruar nga rrogat e klubit të Barcelonës, klubi që investoi për ta shëruar fëmijën e sëmurë super të talentuar dhe që e pagoi me flori çdo orë të tij në fushën e stërvitjes, apo ç’është më e rëndësishme, në fushën e lojës.

I ndodhur në një krizë të paprecedent financiare, si rezultat i keqmenaxhimit të presidentit të mëparshëm dhe situatës së Covid-19, klubi i Barcelonës i ofroi një kontratë 5-vjeçare, që u pranua nga Messi, por jo nga La Liga. Ne këto kushte, presidenti i Barcelonës deklaroi se klubi nuk mund ta realizonte kontratën që do t’i siguronte Messit 150 milionë dollarë për 5 vjet.

Po sikur Messi të pranonte gjysmën e 150 milionë dollarëve? Po sikur Messi të pranonte të luante falas për Barcelonën, që i dha mundësinë ta përkthente gjeninë e tij në dhjetëra trofe të fituar prej tij? A do t’i zëvendësonte ai ato para me dollarët ekstra që do të merrte deri në vdekje nga sponsorizimet, bluzat me emrin e tij, “Instagram”-i, “Facebook”-u, “YouTube”-i etj.? Michael Jordan ndoshta do t’i përgjigjej pozitivisht kësaj pyetjeje. Babai i Lionelit (që është agjenti i tij sportiv) iu përgjigj negativisht…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura