Basti i Barcelonës/ Ksavi si Rajkard, nga rruga drejt suksesit

Apr 28, 2024 | 8:55
SHPËRNDAJE

Tashmë është realitet që Ksavi do të vijojë me Barcelonën deri në vitin 2025. Gjithçka ka ndodhur pas javës së tij më të errët të sezonit. Fillimisht eliminimi në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve përballë Paris SG-së, e pasuar nga humbja në “El Clasico” kundër Realit të Madridit.

KSAVI-LAPORTA

Presidenti Joan Laporta, drejtori sportiv Deko dhe të tjerë personazhe drejtuese të klubit blaugrana së bashku me trajnerin vendosën në shtëpinë e presidentit që Ksavi të përmbushte deri në fund kontratën me klubin deri në vitin 2025. Në fund të gjithë ishin të kënaqur. Një histori e bukur kjo e Barcelonës, por që nuk është e para. Diçka e ngjashme ndodhi 20 vjet më parë: në sezonin 2003-2004, kur asokohe i njëjti president si tani, Joan Laporta (në mandatin e tij të parë) qëndroi me Frank Rajkard pas një sezoni pa trofe. Kishte kritika, ai u pyet gjatë gjithë sezonit, por pasi u konfirmua vazhdimësia e holandezit. Ndërkohë, ai fitoi dy tituj radhazi në La Liga dhe një Champions League në fushatat në vijim.

LAPORTA PËRSËRIT VETEN Në vitin 2004, Laporta, i zhytur nga presioni i mjedisit në fushatën e tij të parë si president i klubit të Barelonës, i besoi fjalës së Johan Krojfit, i cili rekomandoi trajnerin që i dha Mesit debutimin e tij dhe ktheu buzëqeshjen dhe netët magjike në “Camp Nou”. Pavarësisht se Barça ishte më shumë sesa 15 pikë pas kryesuesve të kampionatit në mes të sezonit, me Rajkardin që ishte afër largimit dhe me Sandro Rosell që dëshironte të nënshkruante me Luiz Felipe Skolarin, Johan Krojf i kërkoi bordit për t’i dhënë një shans të dytë Rajkardit. Kështu, trajneri holandez qëndroi pas një faze të dytë të shkëlqyer të atij sezoni, por me një kusht: të fitonte tituj. Barça kishte kaluar katër sezone pa ngritur një trofe. Në verën e vitit 2004, drejtuesit afruan mjaft lojtarë të rëndësishëm që ndryshuan dinamikën në ekip. Mes të ardhurve ishin Eto, Deko, Zhuli, Edmilson, Beleti, Larson dhe Silvinjo (trajneri aktual i Shqipërisë). Këta, së bashku me Ronaldinjon dhe talente nga “La Masía” (akademia e kluibit), bënë histori dhe Rajkard u bë trajneri trend. “Sa herë që kam zgjedhur stabilitetin, gjërat shkojnë mirë”, tha Laporta në konferencën për shtyp të enjten e kaluar, duke iu referuar ishtrajnerit blaugrana. Stabiliteti ishte ajo që presidenti i Barçës kërkoi të ruante me çdo kusht dhe është ajo që ai kërkon tani me qëndrimin e Ksavit.

Ai e bëri të qartë në njoftimin e vazhdimësisë së Ksavit. “Për mendimin tim, stabiliteti është një vlerë e rëndësishme në projektet që janë të suksesshme”, tha numri një i Barcelonës. Ksavi nga ana e tij foli edhe për arsyen kryesore: “Është një projekt fitues dhe nuk ka përfunduar”.

PARALELET – Ka një paralele mes sezonit 2003- 2004 dhe sezonit aktual, në të cilin Ksavi njoftoi pak javë më parë se do të largohej dhe ka vuajtur të gjithë presionin e mediave dhe tifozëve. Megjithatë, pas asaj deklarate në janar, skuadra ndryshoi çipin dhe pati një seri prej gati tre muajsh pa humbur asnjë ndeshje, e cila u ndërpre javën e kaluar me disfatat ndaj PSG-së dhe Realit të Madridit. Në të njëjtën mënyrë që bordi bëri ndryshime dhe afroi lojtarë të rinj 20 vite më parë, për këtë verë klubi i Barçës po mendon të bëjë diçka të ngjashme. Presidenti nuk dha shumë detaje në lidhje me këtë, por konfirmoi se do të bëhen ndryshime për ta bërë ekipin më konkurrues.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura