Roli i ridimensionuar i Argjentinës

May 10, 2024 | 8:34
SHPËRNDAJE

ardit-gjinaliARDIT GJINALI

Argjentina është një aktor gjeopolitik i rëndësishëm që ka përjetuar paqëndrueshmëri të vazhdueshme politike, ekonomike dhe sociale duke reflektuar të tilla dhe në drejtimin e paqëndrueshëm të vendit në politikën e jashtme kombëtare, gjithashtu. Vendi është ekonomia e tretë më e madhe në Amerikën Latine, është pjesë e G-20, në anëtarësi të bashkëndarë me fuqi të ndryshme rajonale dhe botërore ku dimensioni politik prevalon mbi secilin segment të aktualitetit jo të favorshëm që buron nga rrethanat e brendshme. Paqëndrueshmëria ekonomike, e tilla në përpjesëtim të drejtë me të njëjtën shoqërore dhe politike kanë shenjuar aktualitetin e këtij vendi të rëndësishëm jo vetëm në arenën sportive.

Vendi po përjetonte përkatësisht një inflacion në shifrat 135 për qind, një shkallë të varfërisë mbi 40 për qind dhe një rritje negative të nivelit të prodhimit të brendshëm bruto në -2.5 për qind;- treguesit e përmendur më lartë përbënin panoramën e plotë të recesionit të gjashtë që vendi po përjetonte brenda një dekade.

Vala e vazhdueshme e paqëndrueshmërisë shoqërore, ekonomike dhe politike, e tilla si përgjegjësi e plotë e elitave politike disadekadëshe, ka ndikuar tërësisht në frenimin dhe kufizimin e rolit të Argjentinës në arenën ndërkombëtare duke e drejtuar vendin drejtë vendimeve të diskutueshme dhe jostrategjike në frymë dhe interes kombëtar, përkatësisht në tentativën për anëtarësimin e vendit në BRIICS (një organizatë e krijuar në frymëzimin politik të Pekinit zyrtar ku fryma e së njëjtës synon kundërpërgjigjen ndaj aleancës politike perëndimore).

Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale, në të dy raundet zgjedhore tetor-nëntor 2023, shënuan një fushatë politike të ethshme ku reagimi qytetar përmes votës përcolli mesazhin e ndryshimit të një rendi status-quo-je disa dekadash me zhvillime ciklike regresive në interesin kombëtar të vendit. Zgjedhje demokratike, pluraliste, me garë politike të spikatur, ku figura e diskutueshme e kandidatit të mëhershëm Presidencial dhe më vonë President i zgjedhur, MILEI spikati në retorikë politike, rezultat zgjedhor dhe në veprimet aktuale të muajve të parë të ushtrimit të detyrës së Presidentit.‘

Retorika parazgjedhore e shndërruar në veprim politik dhe institucional si jetësim i premtimeve zgjedhore shënon një strategji për zvogëlimin e administratës publike; privatizimin dhe largimin e monopolit të shtetit mbi kompanitë që menaxhojnë pasuritë kombëtare përkatësisht të naftës; mbylljen dhe ridimensionimin e rolit dhe funksionimit të Bankës Qendrore të Argjentinës dhe vendosjen e dollarit si monedha e vetme që do të përdorej për secilin veprim financiar kombëtar apo dhe transaksione ndërkombëtare.

Presidenti MILEI mbetet një figurë polarizuese në nivel kombëtar, kundërshtuese për shkak të retorikës së fortë dhe angazhimit për “një fillim të ri” për vendin – në të njëjtën kohë, i njëjti mbetet një figurë e fortë në nivel ndërkombëtar, ku vizioni i tij politik në koherencë me politikat e djathta në nivel kombëtar do e drejtojë dhe në ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në nivel ndërshtetëror apo rreshtimit në aleanca politiko-ushtarake ekonomike, ku spikat deklarata e tij që “ne nuk do të ndërtojmë asnjë aleancë politike me komunistët”.

Fitorja politike zgjedhore e Presidentit MILEI u përshëndet nga aktorët ndërkombëtarë botërorë varësisht rreshtimeve përkatësisht nga SHBA, Rusi, Kinë, Mbretëri e Bashkuar, Brazili, Kili, Bashkimi Europian, Izraeli apo dhe Ukraina: – dëshmi e vëmendjes së secilit aktor të rëndësishëm ndërkombëtar në kontekstin e ri gjeopolitik botëror.

Konteksti i ri gjeopolitik botëror po e drejton dhe Argjentinën drejtë një rreshtimi të ri ndërkombëtar në vizionin e Presidentit MILEI ku “Liria është mbi të gjitha” – Presidenti MILEI ka shprehur qartësisht dhe publikisht mbështetje politike për Ukrainën, duke shpallur idenë e organizimit të një samiti “Amerika LatineUkrainë” si thelbi i treguesit të mbështetjes ndaj vendit që vuan agresionin Rus. Në të njëjtën kohë, Presidenti MILEI ka shpallur një politikë të jashtme dhe një marrëdhënie politike të Argjentinës, larg rreshtimit apo marrëdhënies politike me vende ku forma e regjimit apo ideologjia e liderëve shtetërorë mbart vlera të marksizmit dhe komunizmit duke marrë në konsideratë përkatësisht Kinën dhe Brazilin, si dy partnerët kryesorë ekonomikë të Argjentinës.

Interes të madh politik shfaq marrëdhënia e re politike, që Argjentina do të ndërtojë me Bashkimin Europian, Izraelin dhe Britaninë e Madhe.

Presidenti MILEI ka kërkuar dhe këmbëngulur për një rishikim të marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Europian dhe katër vendeve përkatësisht Argjentina, Brazili, Paraguai dhe Uruguai e nënshkruar më mars, 2023. Marrëdhënia e ridimensionuar me Izraelin mbetet një qëllim politik i rëndësishëm i Presidentit Milei ku i njëjti ka deklaruar zhvendosjen e ambasadës së Argjentinës nga Tel Avivi në Jerusalem.

Përshëndetja e ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Cameron mbi fitoren politike të Milei shënon një moment të ri reflektues mbi marrëdhënien e re, që do të ndërtohet mes dy vendeve veçanërisht në diskutimin mbi çështjen e “Ishujve Falklands”. Mbi çështjen e “Ishujve Falklands”, Milei do të shprehej si vijon “Çfarë propozoj? Sovraniteti i Argjentinës mbi ishujt është i panegociueshëm. Mbetet e qartë që lufta nuk është një mundësi. Ne zhvilluam një luftë, e humbëm dhe tani do të bëjmë çdo përpjekje për fitimin e ishujve përmes rrugës diplomatike”. Nga ana tjetër, Milei evokoi modelin e “Hong Kongut” si një model zgjidhjeje dhe për çështjen e pazgjidhur të ishujve mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Një tjetër moment i rëndësishëm politik, i jetësuar më janar 2024, mbetet refuzimi i Argjentinës për të marrë pjesë dhe për të formalizuar anëtarësimin në BRIICS-Presidenti Milei ka shprehur qartësisht shpjegimin e tij politik mbi refuzimin e anëtarësimit në BRIICS duke nënvizuar; “Politika jonë e jashtme ndryshon nga ajo e administratës së mëparshme dhe disa prej vendimeve të administratës së mëparshme do të rishikohen”.

Qëllimi i deklaruar i Argjentinës për t’u shndërruar në “një partner global” të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) përbën një veprim politik thelbësor proaktiv të rreshtimit të Argjentinës kah aleancës perëndimore në secilin dimension, përfshirë dhe të njëjtin politiko-ushtarak.

Argjentina synon të jetë vendi i dytë në Amerikën Latine në statusin “e partnerit global” pas Kolumbisë dhe synimi mbetet modernizimi përmes rritjes së investimeve dhe efektivitetit të ushtrisë së Argjentinës dhe përcjelljen e një mesazhi të qartë politik përmes rreshtimit në krah të NATO. Bisedimet e mbajtura në Bruksel, mes zv.Sekretarit të Përgjithshëm të NATO, Mircea Geoana dhe ministrit të Mbrojtjes së Argjentinës, Luis Petri. Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO, Geoana nënvizoi rëndësinë e ridimensionimit dhe konsolidimit të marrëdhënies mes Argjentinës dhe NATO, marrëdhënie e filluar në vitin 1990, e shoqëruar me një impuls pozitiv në vitin 1998, qeveria Argjentinase e kohës, pro-amerikane, dërgoi trupa në misionin paqeruajtës në Bosnjë, ku u konsiderua nga administrata e Presidentit Clinton si një “aleat i rëndësishëm jo anëtar”.

Prej periudhës së përmendur më lart, marrëdhënia ka njohur impulse të munguara dhe vizioni i ri i qeverisë së Milei ka zhvendosur sërish vëmendjen kah konsolidimit, fakt i cituar dhe nga Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO, Geoana si vijon” Argjentina luan një rol të rëndësishëm në Amerikën Latine dhe marrëdhënia e dyanshme e ngushtë politike dhe ushtarake do të jetë në avantazh të të dy palëve”.

Fuqizimi i marrëdhënies politike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndikoi në ndihmën e ofruar nga kjo e fundit ndaj Argjentinës në shifrën prej 40 milionë dollarë, ndihma e parë pas dy dekadash, një ndihmë që do të ndikojë në modernizimin e ushtrisë dhe në përmbushjen e detyrimit financiar të Argjentinës ndaj Danimarkës, përkatësisht në blerjen e avionëve ushtarakë amerikanë nga kjo e fundit; – blerja e konsideruar nga ministri argjentinas i Mbrojtjes “si më e rëndësishmja prej kohës kur u vendos demokracia në Argjentinë në vitin 1993”. “Statusi i partnerit global” për Argjentinën kërkon konsensusin unanim të vendeve anëtare të NATO, ku vendoset në diskutim qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar për shkak të mosmarrëveshjes historike mes dy vendeve përkatëse.

Roli i ridimensionuar i Argjentinës në arenën ndërkombëtare botërore mbetet i mirëpritur në koherencë me dinamikat e reja politike ndërkombëtare ku vullneti i Aleancës Perëndimore mbetet i pakthyeshëm në ruajtjen dhe konsolidimin e rendit ndërkombëtar të së drejtës dhe frenimin e ambicieve të fuqive të errëta si Rusia zyrtare apo fuqive të tjera të diskutueshme ku shembulli i BRIICS, përbën vizionin e krijimit të një blloku politik, varësisht qëllimeve të shprehura tregtare.

Presidenti Milei mbetet një figurë polarizuese, kundërshtuese, e diskutueshme, përcjell të panjohura në nivel kombëtar të qeverisjes, por qartësia politike në nivelin e marrëdhënieve ndërkombëtare mbetet një vlerë pozitive, e shtuar dhe me vizionin që e tilla të mbetet afatgjatë në boshtin strategjik të politikës së jashtme të Argjentinës. Largimi nga BRIICS dhe era e re në marrëdhëniet me Aleancën e Atlantikut të Veriut, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është oguri i mirë i një rruge të re.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura