Shtetet e pasura përballen me një krizë të madhe shpenzimesh! Ja kush është qeveria më “dorëlëshuar”

May 11, 2024 | 7:43
SHPËRNDAJE

Një sërë shtetesh të pasura, duke përfshirë Amerikën, Britaninë dhe Francën, janë kundër logjikës fiskale të pamëshirshme  – shkruan The Economist

Shtetet-e-pasura-1130 (1)

Një dekadë më parë, ministritë e financave u mbërthyen nga ethet e masave shtrënguese.

Qeveritë po bënin gjithçka që mundeshin për të ulur deficitet buxhetore, edhe me papunësinë e lartë dhe rritjen ekonomike të dobët. Sot, gjërat janë shumë më ndryshe.

Në të gjithë Perëndimin, shumica e ekonomive janë në një gjendje më të mirë. Njerëzit kanë punë. Rritja e fitimeve të korporatave është e fortë. E megjithatë, qeveritë po shpenzojnë shumë më tepër sesa po marrin.

Asnjë qeveri nuk është më dorëlëshuar se ajo amerikane. Këtë vit, ekonomia më e madhe e botës parashikohet të ketë një deficit buxhetor (ku shpenzimet tejkalojnë taksimin) prej më shumë se 7% e PBB-së, një nivel i padëgjuar përveç periudhave të recesionit dhe luftërave.

Amerika nuk është i vetmi shtet që shpenzon me tepri.

Estonia dhe Finlanda, dy shtete të Europës Veriore që normalisht janë të kursyera, tashmë kanë deficite të mëdha buxhetore. Vitin e kaluar, deficiti i Italisë ishte po aq i madh sa në vitet 2010-11, pas krizës financiare globale, ndërsa deficiti buxhetor i Francës arriti në 5.5% të PBB-së, shumë më lart se parashikimet.

“Ju bëj thirrje të gjithëve për një zgjim të përbashkët, për të bërë zgjedhje të caktuara në të gjitha shpenzimet tona publike”, tha muajin e kaluar, ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.

Shpenzime-te-shfrenuara-1130

Disa shtete kanë qenë më të rezervuara. Vitin e kaluar, Qipro pati një suficit. Greqia dhe Portugalia, që po baraspeshojnë buxhetet, duken si modeli i korrektësisë fiskale, edhe pse ende kanë borxhe të jashtëzakonshme.

Sidoqoftë, prirja e përgjithshme është e qartë. The Economist ka analizuar të dhënat nga 35 shtete të pasura.

Ndërsa në vitet 2017-19, një shtet mesatar në kampionin tonë pati një suficit buxhetor, vitin e kaluar, ai pati një deficit buxhetor prej afro 2.5% të PBB-së (shih grafikun 1).

Gjithashtu janë zgjeruar masat e deficiteve “primare” (duke përjashtuar pagesat e interesit) dhe ato “strukturore” (të nxjerra nga cikli ekonomik).

Faktorët

Dy faktorë shpjegojnë këto prirje. I pari lidhet me taksat. Në vendet e pasura, të ardhurat tatimore janë çuditërisht të dobëta.

Në Amerikë, të ardhurat nga taksat e marra nga paga ranë paksa vitin e kaluar. Ndërkohë, “tatimet mbi të ardhurat e pambajtura”, përfshirë edhe fitimet kapitale, ranë me një të katërtën.

Në Britani, të ardhurat nga taksa mbi fitimet kapitale ishin rreth 11% më të ulëta se niveli më i fundit kulmor. Dhe në Japoni, këtë vit fiskal, të ardhurat nga taksa e vetëvlerësimit, e cila përfshin disa taksa mbi fitimet e kapitalit, ishin rreth 4% më të ulëta se në vitin e kaluar.

Taksapaguesit po vuajnë për shkak të trazirave të tregut në fund të vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023. Kompanitë teknologjike, të cilat paguajnë paga të mëdha, shkarkojnë stafin nga puna, duke shkurtuar tatimin mbi të ardhurat.

Ndërsa çmimet e aksioneve ranë, u bë më e vështirë për familjet dhe investitorët që të shisnin aksione për fitim, duke ulur fitimet kapitale. Vitin e kaluar, pak njerëz përfituan nga ndërrimi i shtëpive pasi ranë çmimet e pronave.

Ishte një vit i keq për stafin e lartë në firmat e kapitalit privat, të cilat shpesh nuk marrin një pagë fikse, por të ardhura në formën e kthimit të investimeve.

Faktori i dytë janë shpenzimet shtetërore. Pas politikës fiskale të pandemisë Covid-19, qeveritë janë tkurrur, por jo plotësisht.

Në Australi, për shembull, të moshuarit në azile mund të marrin ende ndihmë financiare gjatë një rasti të përhapjes së Covid-19.

Vetëm në mesin e vitit 2023, Gjermania i mbylli plotësisht skemat e mbrojtjes së vendeve të punës të zbatuara gjatë pandemisë. Amerika ende po ofron rimbursime të majme tatimore për bizneset e vogla që u shërbyen klientëve gjatë karantinave.

Në Itali, një projekt i krijuar në vitin 2020, për të nxitur pronarët e shtëpive të gjelbërojnë shtëpitë, ka dalë tashmë jashtë kontrollit, dhe qeveria deri tani ka dhënë gjithsej një mbështetje financiare me vlerë mbi 200 miliardë euro (sa 10% e PBB-së). Emri i njërës prej skemave, “Superbonus”, duket se i përshtatet shumë mirë programit.

Politikanët gjithashtu priren më tepër për të ndërhyrë dhe për të shpenzuar para, aty ku konstatojnë se duhet ndrequr një gabim.

Pasi Rusia pushtoi Ukrainën dhe çmimet e energjisë u rritën, qeveritë në Europë shpërndanë para me vlerë sa rreth 4% e PBB-së, për të mbrojtur familjet dhe kompanitë nga efektet goditëse.

Disa, duke përfshirë Poloninë dhe vendet baltike, tani po shpenzojnë shumë për armë dhe ushtri. Presidenti Joe Biden dëshiron të falë sa më shumë borxhe studentore që të mundet, përpara zgjedhjeve presidenciale të Amerikës në nëntor.

Sa kohë mund të vazhdojnë qeveritë me këto shpenzime të shfrenuara? Në pamje të parë, duket se do jenë në gjendje të vazhdojnë për njëfarë kohe. Tregjet janë në formë, gjë që do të rrisë të ardhurat tatimore.

Dhe qëndrueshmëria e borxhit të një qeverie nuk ndryshon vetëm për shkak të deficitit buxhetor. Ajo lidhet gjithashtu me borxhin e përgjithshëm publik, rritjen ekonomike, inflacionin dhe normat e interesit.

Që nga fundi i pandemisë, inflacioni ka qenë i lartë dhe rritja ka qenë e qëndrueshme. Megjithëse normat e interesit janë rritur, ato mbeten mjaft të ulëta sipas standardeve historike. 

Mesime-greke-1130

Këto kushte i vendosin politikanët në një pozicion mjaft të mirë fiskal (shih grafikun 2). Sipas llogaritjeve tona, në vitet 2022-2023, një shtet i zakonshëm i pasur mund të arrinte një deficit primar prej rreth 2% të PBB-së, duke arritur madje edhe të ulë raportin e borxhit publik ndaj PBB-së.

Vlera nominale e borxhit do të ishte rritur, por, e ndihmuar nga inflacioni, madhësia e ekonomisë do të ishte rritur edhe më shumë. Disa shtete përfituan nga një mjedis financiar edhe më i volitshëm.

Raporti i borxhit të Italisë ka rënë me rreth dhjetë pikë përqindje të PBB-së që nga viti 2021, pavarësisht politikës së saj të lirshme fiskale. Raporti i borxhit të Francës është ulur gjithashtu.

Greqia, duke ndërthurur kushtet e favorshme ekonomike me politikën e shtrënguar fiskale, ka ulur raportin e borxhit ndaj PBB-së me plot 50 pikë përqindje.

Sidoqoftë, tani kushtet po ndryshojnë. Normat e interesit me të cilat përballen qeveritë nuk po bien ende, edhe pse rritja ekonomike dhe inflacioni janë ulur.

Në Amerikë, investitorët janë më pesimistë për uljen e normave të interesit nga Rezerva Federale. Gjithsesi, aritmetika fiskale po bëhet më e frikshme.

Për shembull, ndërsa vitin e kaluar, qeveria italiane mund të kishte një deficit primar deri në 2% të PBB-së dhe kishte mundësi të ulte ende raportin e borxhit, tani ajo duhet të ketë një suficit prej 1% të PBB-së. Amerika është në një pozicion të ngjashëm.

Rënia e mëtejshme e inflacionit, një ngadalësim i rritjes ekonomike ose norma më të larta interesi, do ta bënin më të vështirë që qeveritë të stabilizonin borxhin.

Nuk është çudi që po flitet gjithnjë e më tepër për një konsolidim fiskal. Qeveria italiane beson se së shpejti do të qortohet nga BE-ja për qëndrimin e saj.

Në Britani, Partia Laburiste, që pritet të marrë pushtetin së shpejti, premton korrektësi fiskale.

Qeveria franceze ka diskutuar shkurtime në shpenzimet shëndetësore dhe në ndihmat për të papunët. Amerika është një rast i pazakontë. Në ekonominë më të madhe të botës, kjo bisedë ende nuk po zhvillohet.

Përpara zgjedhjeve, Donald Trump dhe Joe Biden premtojnë ulje taksash për miliona votues. Por logjika fiskale është e pamëshirshme. Pavarësisht nëse politikanëve u pëlqen ose jo, epoka e qeverive dorëlëshuara duhet të marrë fund.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura