Nishani mbështet grevën, studentët ultimatum MAS. Presidenti: Përdorimi i dhunës, akt i papranueshëm

Mar 3, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Kërkesa e studentëve të transferuar për t’u takuar me numrin një të shtetit Bujar Nishani ka marrë jo vetëm përgjigje pozitive, por edhe garanci fizike e ligjore.

Studentët e transferuar në takim me Nishanin

Kreu i vendit ka pritur në presidencë një përfaqësi studentësh, të cilët i dëgjoi përreth një orë duke u premtuar mbështetje maksimale. “Solidarizohem plotësisht me të drejtën për trajtim të barabartë përpara çdo shërbimi publik që ofrohet ndaj çdo qytetari të këtij vendi. Ndërhyrja brutale dhe përdorimi i dhunës ndaj studentëve është një akt i papranueshëm, plotësisht i dënueshëm, dhe se këtë çështje do ta trajtojë me seriozitetin maksimal me institucionet e shtetit, përfshirë Prokurorinë, Ministrinë e Brendshme etj”, mësohet t’u ketë thënë Nishani studentëve.

Kreu i Shtetit mbështet në parim reformën në arsimin e lartë, por institucionet shtetërore kanë përgjegjësinë dhe detyrimin që të sigurojnë një proces tranzitimi duke mos cenuar asnjë student. Ai u zotua se do të mbështesë dialogun për një marrëveshjeje mes studentëve dhe Ministrisë së Arsimit duke nënvizuar se kjo nuk mund të arrihet nëpërmjet dhunës ndaj studentëve.

ULTIMATUMI

Studentët e transferuar nga universitetet private në atë shtetëror shprehen të vendosur t’i shkojnë deri në fund kauzës së tyre. Pas një mbledhjeje të tensionuar me shumë debate që ka zgjatur për disa orë gjatë pasdites së djeshme, studentët kanë vendosur të dalin sot në orën 11:00 me një deklaratë drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Ministrisë do t’i vihet një ultimatum prej 6 orësh për të plotësuar kërkesat e tyre. Në të kundërt, studentët kanë kërcënuar se do të futen në një grevë të dytë pa afat. Gjatë bisedës së organizuar në orët e vona të pasdites, studentët e kanë parë kauzën e tyre në një këndvështrim më të gjerë, si përgjegjësi qytetare. “Kauza jonë besoj është e drejtë dhe ne po luftojmë për të. Do t’i shkojmë deri në fund betejës së nisur. Me këtë ne duam t’u çojmë një mesazh të rinjve në këtë vend për të kërkuar të drejtat që ata besojnë”, thotë Bajram Rustemi, një nga studentët e Mjekë- sisë, i vendosur për t’u futur në grevë urie në rast se nuk marrin asnjë sinjal pozitiv nga Ministria. Vendimit për t’u futur në grevë i janë përgjigjur pozitivisht mbi 20 studentë të Fakultetit të Mjekësisë, transferuar nga universitetet private të mbyllura. Arsyeja kryesore e grevës është tarifa e lartë e shkollimit, e cila është 7-fish më e lartë, krahasuar me shumën që paguajnë studentët aktualë. Ata duhet të paguajnë 235 mijë lekë në vit, ose 200 mijë lekë më tepër se studentët e tjerë.

PROCEDIMI

Policia e Tiranës ka nisur procedim penal me akuzën e tubimit të paligjshëm për 27 studentë të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, të cilët veç protestës tentuan të nisnin edhe një grevë urie. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë dje se, përveç procedimit të nisur ndaj 4 personave ditën e premte, të cilët bllokuan qarkullimin pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, në hetim janë marrë edhe një grup studentësh, që kanë bashkëpunuar për protestën e jashtëligjshme.

Besarta Basha 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura