Nishani dekoron Qemal Stafën dhe Abaz Kupin

Nov 29, 2014 | 12:53
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka nderuar dje figura të shquara të historisë që kanë dhënë kontribut për pavarësinë dhe çlirimin e Shqipërisë.
Nishani nderoi dje udhëheqësin e rinisë komuniste Qemal Stafa, si dhe dy përfaqësuesit komunistë në Marrëveshjen e Mukjes, Ymer Dishnica e Mustafa Gjinishi. Presidenti ka dekoruar gjithashtu me urdhrin “Nderi i Kombit” edhe legalistin antifashist Abaz Kupi e nacionalistët Hysni Lepenica e Safet Butka. Me “Urdhrin e Flamurit” është nderuar edhe Isa Boletini. Me titullin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Nishani ka vlerësuar figurën e Abaz Kupit, të cilin gjatë fjalës së tij e quajti si udhëheqës i shquar ushtarak. Kreu i shtetit ka vlerësuar me Dekoratën e Artë të Shqiponjës figurën e Mujo Ulqinakut dhe Qemal Stafës. “Të sjellim në kujtim kontributin e Qemal Stafës si udhëheqësin komunist të rinisë së kohës. Hero i vrarë nga italianët në Luftën Antifashiste. Një emër popullor, një nga dëshmorët antifashistë për shkak se edhe më pas dita e vrasjes së tij ishte një ditë simbol në tërësi. Ai i mbeti deri në momentet e fundit të jetës besnik idealeve të Shqipërisë së lirë dhe të pavarur”, u shpreh Nishani.
Me titullin “Nderi i Kombit” kreu i shtetit ka nderuar Mustafa Gjinishin, drejtues i Shtabit të LANÇ, por i ekzekutuar në mënyrë misterioze në fund të Luftës. “Ishte një shembull i rrallë i nacionalizmit të majtë brenda gjirit të Partisë Komuniste në atë kohë. Ai personifikon në histori kryqëzimin që iu bë inteligjencës që kishte trimërinë, mençurinë dhe antikonformizmin. Për fat të keq, një luftëtar i tillë, ideolog i lirisë i përmasave të demokracisë për kohën u denigrua me pa të drejtë për vite dhe dekada me radhë. Dhe nuk u rehabilitua kurrë deri sa demokracia u vendos në Shqipëri”, tha Presidenti.
Nishani ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit” edhe akademikët Mark Krasniqi, Matteo Manndala, Ali Aliu e Idriz Ajeti.

Dekoratat
Titulli “Flamuri Kombëtar”
Isa Boletini
Motivacioni: “Në shenjë nderimi të përjetshëm për veprën e tij atdhetare. Ndihmesën historike në ruajtjen e trojeve shqiptare dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë”.

Titulli “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Jonathan Moore
Abaz Kupi

Titulli “Nderi i Kombit”
Mark Krasniqi
Matteo Mandala
Ali Aliu
Idriz Ajeti
Ymer Dishnica
Hysni Lepenica
Safet Butka
Mustafa Gjinishi

Titulli “Dekorata e Artë e Shqiponjës”
 Mujo Ulqinaku
 Qemal Stafa

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura