Presidenti Bardhi “shkund” stafin dhe ekipin e Dinamos: Humbëm 2 pikë, jam i pakënaqur për barazimin me Laçin

Apr 29, 2024 | 9:09
SHPËRNDAJE

Dinamo ka humbur dy mundësi për të forcuar pozitat sa i takon pjesëmarrjes së mundshme në “Final 4”.

bardhi

Por nëse humbja në derbin me Partizanit pranohet, duke qenë se blutë humbën penallti dhe një pjesë luajtën me një lojtar më pak, barazimi me Laçin ka sjellë jo pak zhgënjim te drejtuesit e skuadrës kryeqytetase. Presidenti Adrian Bardhi, i cili vazhdimisht e ka mbështetur skuadrën dhe stafin teknik, këtë herë është i pakënaqur.

“Jam i pakënaqur nga dy ndeshjet e fundit. Sigurisht, prisja më shumë, sidomos me Laçin. Ishte një mundësi që duhej ta shfrytëzonim. Janë edhe 3 ndeshje dhe duhet të bëjnë më shumë të gjithë”, ka thënë shkurt presidenti i Dinamos për “Panorama Sport”. Kreu i klubit blu pret një reagim, duke nisur nga ndeshja e radhës me Vllazninë. Nga burime të gazetës mësohet se presidenti Bardhi ka kërkuar një takim me trajnerin Dritan Mehmeti një ditë pas ndeshjes me Laçin. Kuptohet qartë se ato dy pikë të lëna të shtunën mund të ketë kosto për Dinamon dhe presidenti i bluve ka bërë lëvizjet e tij, duke dashur të “shkundë” stafin teknik dhe skuadrën. Realisht, është një moment delikat i kampionatit për Dinamon, që ka shanset e veta për të shkuar në “Final 4”.

MEHMETI – Pas barazimit me Laçin, trajneri Mehmeti u shpreh: “Në të tilla ndeshje ndihet tensioni. U rritëm në pjesën e dytë, por duhet të jemi më të qetë. Kemi vështirësi në 20 metrat e fundit, krijojmë volum, prekim zonën kundërshtare me shumë forca, por duhet të ruash qetësinë që të shkosh te goli. Më vjen keq, sepse fitorja vjen nga minuta e parë në të fundit. I mirëkuptoj lojtarët, janë njerëz dhe ndjejnë presionin. Kjo sjell edhe gabime elementare. Pjesa e parë ishte me tension, e përjetuan si finale dhe ngarkesa psikologjike na pengoi të dilnim në lojën tonë. Derbi? Duhet të shoh ndeshjet e mia, nuk pres nga gabimet e të tjerëve. Duhet të përqendrohemi për javën tjetër, sepse e kemi të vështirë. Të mbledhim forcat për t’u ringritur dhe për të shkuar te rezultatet pozitive. Nuk kam një numër “10” dhe kam sakrifikuar Denison, ai bëhet pikë referimi. Zabërgja ka bërë shumë mirë, por mendova ta ndërroj, sepse kishte ngarkesë fizike. Prita më shumë te Tusha të ishte më afër portës. Laçi është skuadër simpatike, para dy javësh mundi Vllazninë. Duke pasur parasysh rastet dhe dominimin në pjesën e dytë, mendoj se humbëm dy pikë”.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura