Ngjela: Rama ka qeveri diletantësh, e tremb edhe Tom Doshi

Mar 1, 2015 | 18:04
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela kritikoi ashpër politikën e ndjekur kohët e fundit nga mazhoranca duke e quajtuar atë si “diletante”.

Spartak Ngjela

Në një koment të publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, avokat Ngjela shkruan se pasojat e keq qeverisjes vijnë nga mungesa e eksperiencës politike e kryeministrit Edi Rama dhe nga pamundësia e tij për të drejtuar zërat kundër partisë së tij.

Duke folur për konfliktin e nisur ditët e fundit mes deputetit të PS-së, Tom Doshi dhe Kryeministrit  të vendit, Ngjela shkruan se ligjvënësi socialist i ka dhënë shumë partisë së tij dhe se paratë i ka bërë para se të bëhej biznesmen.
Sipas Ngjelës, Rama duhet të kapërcejë ngërçin aktual duke “kaluar nga naiviteti i një kryebashkiaku afrikan në politikëbërjen e një kryeministri eurovian”.
 

Deklarata e plotë e Spartak Ngjelës në “Facebook”

Politika e maxhorancës aktuale, domethëne e qeverisë, është një politikë diletante

“Politika e maxhorancës aktuale është kryefund nje politikë diletante që, kështu siç është, nuk mund të premtojë asgjë për të ardhmen. Lidërshipi politik i maxhorancës, qeveria aktuale, e zgjedhur me naivitet nga kryeministri Rama, pa e përfillur fare historinë politike të këtij vendi, po e sjell rezultatin e saj negativ. Rama mendoi se, qenia kryeministër nuk ka nevojë për të qenë poltikan apo profesionist në një nga fushat e shtetit. Madje, saipas tij, ai nuk kishte as nevojë për eksperiencë parlamentare .(!) Por tani, ai po e sheh se si po i vjen “festja vërdallë”, dhe jo nga opozita, por nga ngërçi në drejtimin e shtetit dhe të Parlamentit. Veçse, koha nuk të pret. Rama nuk e njeh dot kohën politike dhe as akumulimin politik të pakënaqësisë, sepse, duke qënë në delir dhe pa eksperiencë, i kishte neveritur këta ingredientë, sepse nuk i njihte. Dhe shiheni: ende ai ka ngërç kur flet në Parlament, dhe ende s’e kupton dot ngase i vjen ai ngërç, sepse s’e njeh arsyen politike. Nuk bën dot debat me gazetarë kundërshtarë, sepse nuk është politikan.

Nuk di të artikulojë politikë, prandaj e tremb edhe Tom Doshi, i cili është një parlamentar që i ka dhënë shumë PS-së dhe vetë Ramës; sepse ajo ishte politika që njihte Rama. Por ngerçi nuk është te Doshi, por te Rama…kurse Rama, tani që e kuptoi se nuk ecën dot, në fakt s’lëviz dot se nuk e lë Meta. Dhe Mëtën vetë e zgjodhi, sepse nuk e njihte dhe s’e kuptonte dot se si mund të ishte një fitore politike në zgjedhje të lira. Prandaj tani, duket qenë i ngrirë midis Metës, dhe pakënaqësisë se Grupit të politikanëve të Partisë Socialiste, ka mbetur në ngërçin absolut të ecjes përpara… Dhe pandaj e ka shumë të vështirë që ta presë këtë Nyje Gordiane: ai ndërkaq është në frikën e pushtetit dhe brenda mungesës së arsyes politikë të forcës për të zgjidhur apo për të prerë Nyjen.

Por, ajo që të habit më shumë, është revolta e disa socialistëve dhe medias të majtë kundër deputetit Tom Doshi. A e dini ju se njeriun më të korruptuar e keni Kryetar Kuvendi? Doshi, zotërinj, i ka bërë paratë vetë si biznesmen, para se sa të ishte deputet. I dini pallatet dhe paratë e pista të Ilir Metës; madje i kapur në flagramcë duke abuzuar? Pse nuk jeni realistë? Çfarë dëmi mund t’i sjellë maxhorancës revolta e një deputeti që ka jehonë pozitive në zonën e tij, në krahasim me Metën, abuzues klasik dhe blerës dhe vjedhës votash? Rama duhet ta kuptojë se, kjo gjendje, politikisht quhet shpërthyese. Ai duhet të dijë të kalojë nga naiviteti i një kryebashkiaku afrikan, në politikbërjen e një kryeministri europian. Por, a e bën dot? Po s’e bëri, do të humbasë pafundësaisht kohë politike dhe do ta gjejë veten befas përballë falimentit, duke folur më shumë me xheste se sa me fjalë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura