Nga shkëmbimi i energjisë te dietat për punonjësit/ KLSH publikon shkeljet e KESH: 5.8 milionë euro shpenzime pa eficiencë

Mar 14, 2024 | 12:40
SHPËRNDAJE

Një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka dalë në përfundimin se janë mbi 609 milionë lekë apo 5.8 milionë euro shpenzime të cilësuara pa ekonomicitet, efektivitet apo eficiencë.

KESHI

Peshën kryesore në këtë grup e zë shkëmbimi i energjisë, ku sipas audituesve është konstatuar se mosmarrja e një sasie energjie të depozituar në kohën kur çmimet arritën pikun në vitin 2022 gjatë krizës së energjisë ka sjellë një efekt negativ prej 2.77 milionë eurosh.

“KESH SHA ka shkëmbyer energji elektrike me Kompaninë “N” SHPK, sipas marrëveshjes së nënshkruar me nr. 2350/1 ptot., datë 04.05.2021.Deri me datë 31.12.2022, gjendja e shkëmbimit të energjisë elektrike paraqitet në dhënie sasia 149442 MẆh, ndërsa në marrje sasia 132002 MWh, me një diferencë në shumën 17440 MWh. Për vitin 2022, nga Shoqëria “N”, është marrë sasia 2546 MWh, nga e cila sasia 2398 MWh është marrë me date 01.04.2022. Brenda kësaj dite, sasia më e madhe e energjisë në shumën 2278 MWh, është marrë në periudhë jo piku, ku çmimi i energjisë në bursë është shumë i ulët.

Bazuar në të dhënat në dispozicion, KESH SHA për vitin 2022, ka blerë energji elektrike në sasinë 1,460,437 MWh, me çmim mesatar nga 209.6 Euro/MẆh deri në 482.2 Euro/MẆh.

Diferenca në sasinë 17440 MWh, duhet të merrej gjatë kësaj periudhe ku çmimi në bursë rezulton i lartë. Referuar bursës HUPX për vitin 2022, për të njëjtin profil, çmimi mesatar i tregtimit të energjisë elektrike ishte 271.6 Euro/MWh.

Referuar çmimit mesatar të blerjes së energjisë elektrike dhe çmimit të bursës për vitin 2022 (për profile të ngjashme), si pasojë e mos marrjes së energjisë elektrike të rezervuar pranë Kompanisë “N” SHPK për këtë vit, KESH SHA rezulton me humbje me vlerë 2,774,536 Euro [(271.6 MWh – 115.2 MWh) x 17740 MWh], vlerë e cila konsiderohet efekt financiar” thuhet në raport.

Një tjetër pikë që konsiderohet si shkelje nga ana e KLSH është trajtimi me dieta për punonjësit ku duhet të ishte respektuar kuota 300 lekë/vakt ditë pune ndërkohë që kanë vijuar të mbeten 500 lekë vakt/ditë pune.

“Nga auditimi i dokumentacionit të listë pagesave për periudhën 01.01.2021 – 31.12.2022 rezultoi se dieta për trajtim ushqimor është paguar në masën 500 lekë vakt/ditë pune, ndërkohë që duhet të paguhej 300 lekë/ditë. Nga llogaritja e listëpagesave të periudhës 01.01.2021 – 31.12.2022 rezulton se ky përfitim është në masën 170,018,888 lekë, nga 102,011,333 lekë që duhej të ishte pra është paguar më tepër shuma prej 68,007,555 lekë e cila konsiderohet shpenzim pa efektivitet për buxhetin e shoqërisë” thuhet në raport.

KLSH ka nënvizuar edhe dëmin që i ka ardhur KESH nga largimet nga puna ku një pjesë çështjesh janë fituar në gjykatë teksa ka të tjera që ende vijojnë.

“Nga auditimi konstatohet se lidhur me proceset gjyqësorë në të cilat shoqëria është palë, nga dokumentacioni i vënë në dispozicion konstatohet se për periudhën objekt auditimi janë humbur 81 çështje gjyqësorë në apel, nga ku janë humbur 3 çështje gjyqësorë në Gjykatat e Shkallës të Lartë dhe në Gjykatat e Apelit, duke e detyruar institucionin të paguajë vlerën 2,375,484 lekë si dëmshpërblim për ndërprerje të paligjshme të marrëdhënieve të punës dhe shpenzime përmbarimore.

Për periudhën objekt auditimi, janë në proces gjykimi 7 çështje gjyqësorë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, në vlerën 1,810,437 lekë si dëmshpërblim për ndërprerje të paligjshme të marrëdhënieve të punës dhe shpenzime përmbarimore. Në total, vlera 4,185,921 lekë, konsiderohet shpenzim pa ekonomicitet për buxhetin e shoqërisë” nënvizon KLSH./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura