Nga Gjirokastra në Kosovë, aktivitete për 80-vjetorin e Kadaresë

Jan 22, 2016 | 14:48
SHPËRNDAJE

Ekspozita, konferenca, por më së shumti aktivitete që nxisin leximin. Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës kanë hartuar një kalendar aktivitetesh, i cili do të nisë në datën 28 janar, pak ditë përpara ditëlindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare, për t’u mbyllur në muajin dhjetor.

Shkrimtari Ismail Kadare
Shkrimtari Ismail Kadare

Aktivitetet do të shtrihen kryesisht në vendlindjen e shkrimtarit, në Gjirokastër, e cila është bërë e njohur tashmë botërisht, jo thjesht për faktin se është pjesë e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s, por edhe sepse zë një vend të rëndësishëm në veprën e shkrimtarit më të përkthyer shqiptar. Nuk do të mbetet pas as kryeqyteti me ekspozita e konferenca, të cilat do të udhëtojnë edhe në Kosovë. Aktivitetet do të nisin me një maratonë leximi në 8 sheshe publike në Gjirokastër.

Titullohet “Gjirokastra lexon Kadarenë” dhe është konceptuar si një lexim i personazheve të gjallë të romaneve në hapësirat publike. Një nga ngjarjet, pa dyshim është përurimi i “Shtëpisë Kadare”, e cila tanimë nuk i përket më shkrimtarit, por është kthyer në një muze dhe në një qendër kulturore e turistike, që do të presë e do të përcjellë vizitorë e dashamirës të letërsisë. “Shtëpia Kadare” do të shërbejë si një qendër për promovimin e letërsisë, një pikëtakim shkrimtarësh dhe qendër aktivitetesh. Në Gjirokastër do të hapet një ekspozitë e piktorit Bashkim Ahmeti, ndërsa në Tiranë do të nisë shfaqja e dramës “Kush e solli Doruntinën”, me regji të Laert Vasilit, mbështetur mbi veprën me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë.

Seria e aktiviteteve do të vijojë në muajin shkurt me ekspozitën “Udhëtim në qytetin kadarean”, e cila ndërton një rrugëtim të kryqëzuar mes tekstit dhe imazhit, duke bërë të perceptueshëm për publikun një nga specifikat më interesante të veprës së Ismail Kadaresë: shkrimin e qytetit; që nga Gjirokastra e përjetshme e romaneve “Kronikë në gur”, “Breznitë e Hankonatëve”; “Çështje të marrëzisë”; “Darka e gabuar” etj., deri te Tirana me “bulevardin Broadway”; Stambolli me “Aya Sofinë”; Moska e flirteve dhe Parisi letrar. Në muajt në vijim, kjo ekspozitë do të udhëtojë drejt Kosovës, ku gjithashtu do të ketë aktivitete për të kremtuar 80-vjetorin e shkrimtarit të të gjithë shqiptarëve. Gjatë muajve të verës, Kadareja do të “kthehet” në shtëpi.

Ekspozita “Udhëtim në qytetin kadarean” vendoset gjatë periudhës së turizmit në “Shtëpinë Kadare” në Gjirokastër, duke e bërë pjesë edhe të jetës kulturore të qytetit dhe të guidave turistike. BKSH parashikon edhe një trajnim të shkurtër për personelin që do të shërbejë në Muze për të shpjeguar ekspozitën dhe disa të dhëna specifike mbi autorin dhe veprën e tij.

Si aktivitete satelite do të ketë koncerte, festivale, promovime autorësh dhe lexime në “Shtëpinë Kadare”. Këto ngjarje artistike do të organizohen nga Ministria e Kulturës, Bashkia Gjirokastër dhe skena e pavarur artistike.

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm është edhe konferenca shkencore “Ismail Kadare: leximi dhe interpretimi”, që do të bashkojë kontributet më të fundme mbi studimin dhe interpretimin e veprës së Ismail Kadaresë, përmes pjesëmarrjes së akademikëve, studiuesve, pedagogeve e shkrimtareve.

Kalendari i gjatë i aktiviteteve do të mbyllet në dhjetor të këtij viti, me albumin “Ismail Kadare dhe editimet”, i cili paraqet të skanuara dhe të pajisura me shënime bibliografike kopertinat e të gjitha botimeve të para të Kadaresë në shqip, të cilat kanë dalë nga vëmendja e publikut për shkak të largesës kohore, por edhe kopertina të librave të përkthyer në gjuhë të huaj, duke sjellë ndoshta për herë të parë në vëmendje shumësinë dhe pasurinë e përkthimeve dhe të gjuhëve në të cilat është botuar vepra e Ismail Kadaresë, së bashku me çmimet kombëtare e ndërkombëtare që kanë marrë vepra të veçanta.

Promovimi i albumit do të bëhet në mjediset e BKSH-së, bashkëshoqëruar me një ekspozitë të shumë botimeve në gjuhë të huaj të autorit, që gjenden aktualisht në Bibliotekën Kombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura