Nga distanca 2 metra tek menyja elektronike, zbardhet udhëzimi për hapjen e ambienteve të brendshme të lokaleve dhe restoranteve. Ja çfarë duhet të kenë parasysh

Sep 28, 2020 | 14:31
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI /Pas 39 javësh mbyllje, baret dhe restorantet në ambientet e mbyllura do të mund të rifillojnë aktivitetin e tyre, duke nisur nga e enjtja e 1 tetorit.

covid lokaleDistanca 2 metra nga njëra tavolinë te tjetra, menyja elektronike apo e plastifikuar, prania e dezinfektantëve që në hyrje dhe mbajtja e maskës nga personeli janë vetëm disa nga rregullat e përcaktuara në udhëzimin e hartuar nga Komiteti i Ekspertëve. Rregulla janë përcaktuar edhe për punonjësit, të cilët do të kontrollohen çdo ditë. Udhëzimi përcakton qartë që nuk duhet të lejohen të vazhdojnë punën ata persona që paraqiten me temperaturë 37.5.

Nga ana tjetër, punonjësit vetë kanë detyrimin që të raportojnë nëse kanë pasur kontakt me persona të infektuar apo jo. “Çdo punonjës i bar kafeve ose restoranteteve është i detyruar të deklarojë ndaj personit përgjegjës nëse ka pasur kontakt me persona, të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitivë me COVID-1 9. Çdo punonjës i bar kafe ose restorant që vëren shenja klinike gjatë qëndrimit në banesë, nuk duhet të paraqitet në punë”, thuhet në udhëzim.

MINISTRJA

Një ditë më parë, teksa dha lajmin për hapjen e tyre, ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, paralajmëroi bizneset se do të përballen me penalitete nëse nuk respektojnë protokollin e hartuar. “Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e posaçme të sigurisë për rihapjen nga data 1 tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt. Task-Forca e inspektimit të protokolleve anti-COVID, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve, duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Por nëse duam që aktivitetet ekonomike të mos pengohen dhe ekonomia të ecë përpara, duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, duke nisur nga institucionet, biznesi dhe çdo qytetar”, tha Manastirliu.

udhezimi

UDHËZIMI

Dokumenti që mban firmën e drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, përcakton mënyrën sesi do të operojnë këto biznese, duke filluar nga data 1 tetor. “Në hyrje të subjektit bar kafe ose restorant duhet të ofrojë produktin higjienizues të duarve. Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60%. Në çdo rast të sigurohet ventilim (ajrimi) natyral të paktën 5 herë në ditë. Klienti dezinfekton duart në hyrje dhe dalje nga bari ose restoranti. Higjienizues me nivel përmbajtje alkooli 60%. Subjekti bar apo restorant duhet të garantojë dhe respektojë distancën prej 1,5 metra në çdo veprimtari gjatë shërbimit”, theksohet në dokument.

VENDIMI

Regjistrimi i rasteve të para me COVID-19 në vendin tonë solli futjen e vendit në karantinë. Për një periudhë gati 3-mujore, vendi thuajse u paralizua. Në 18 qershor qeveria doli me vendimin për të lejuar rihapjen e bareve dhe restoranteve, por vetëm ato që shërbenin në ambient të hapur. Përgjatë gjithë kësaj periudhe, ndër të paktat aktivitete që kishin vazhduar të qëndronin të bllokuara, ishin baret dhe restorantet në ambient të mbyllur. Por vendimi për rihapjen e tyre është një frymëmarrje për këto biznese të goditura jo pak prej pandemisë. Megjithatë, do të vijojnë të mbeten të mbyllura sipas Aktit Normativ të miratuar në muajin korrik, të gjitha klubet e natës, loungebar, pub-e, diskot apo veprimtari të këtij lloji.

Hapja e pishinave, rregullat e reja

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendimin edhe për hapjen e pishinave. Ndonëse në mbyllje të sezonit veror, është gjykuar nga ekspertët e komitetit rihapja e tyre. Megjithatë, që në nisje të udhëzimit për masat higjieno-sanitare ndaj COVID-19 për aktivitetin e pishinave përcaktohet se në rast evidentimi të një rasti të vetëm, do të bëhet mbyllja e aktivitetit, pavarësisht hetimit epidemiologjik. Krahas ambientit, rregulla janë përcaktuar edhe punonjësit, të cilët po ashtu nuk do të lejohet që të punojnë nëse janë me temperaturë 37.5. “Kapaciteti maksimal i pishinës në ambient të mbyllur do të bazohet në zënien e hapësirës 3 m për person në pishinë. Në çdo rast të sigurohet ajrim natyral të paktën 5 herë në ditë”, theksohet më tej në udhëzimin e Institutit të Shëndetit Publik.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura