Nga “Bolshoi” në New York, publiku në këmbë për Saimir Pirgun

Apr 13, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Nga “Bolshoi” në New York, publiku do të ngrihej në këmbë për Saimir Pirgun e do ta shoqëronte me duartrokitje të gjata. Me koncertin në Kaufman Center – Merkin Concert Hall, tenori shqiptar ka mbyllur turneun botëror, gjatë të cilit prezantoi albumin e tij të dytë “Il mio canto”.

Radhë në New York për t’i marrë autograf tenorit Saimir Pirgu
Radhë në New York për t’i marrë autograf tenorit Saimir Pirgu

Një turne i suksesshëm, i cili kaloi përmes Tokios, Firences, Tiranës, Vjenës, Berlinit, Parisit, Moskës e së fundi New Yorkut. Në të gjitha skenat ku do të ngjitej, Pirgu do të konfirmonte edhe një herë talentin e tij të padiskutueshëm, por edhe karizmën prej një artisti të vërtetë, që arrin ta bëjë për vete publikun me thjeshtësinë dhe buzëqeshjen e tij. Radhë të gjata spektatorësh kanë pritur pas koncertit, për t’i marrë një autograf, apo për të dalë me të në fotografi.

Ka ndodhur kjo në Tokio, te japonezët e heshtur që mbanin radhën me durim, ndodhi edhe në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit Tiranë, ku publiku tregoi një kulturë të admirueshme, në Théâtre du Châtelet, në Paris, e deri në New York, ku vihej re një padurim për të takuar tenorin. Çdo koncert i Saimir Pirgut ka gjetur një pasqyrim të gjerë në faqet e shtypit të huaj, si edhe në ekranet e televizioneve të mëdha dhe kudo është shoqëruar me superlativa.

“Një histori shprese dhe këmbënguljeje”, do të shpreheshin për të mediat italiane, “Gjithë edhe më lart!”, shprehen francezët… “Il mio canto” shënon një gur kilometrik në karrierën e tenorit, i cili do të pasohet edhe nga shumë të tjerë. MOSKA Brenda një periudhe shumë të shkurtër, tenorit iu desh të vizitonte dy herë Moskën e ftohtë.

Së pari (10 mars) do të ngjitej në skenën e Konservatorit “Tchaikovsky”, për të prezantuar albumin “Il mio canto”, për t’u rikthyer për më pak se një muaj (5 prill), në një tjetër shfaqje të jashtëzakonshme. Këtë herë do të ngjitej në një nga skenat më prestigjioze në botë, në një nga ëndrrat e gjithë artistëve, në “Bolshoi Theatre” me “Requiem” të Hector Berlioz, së bashku me Orchestre National du Capitole de Toulouse, nën dirigjimin e Tugan Sokhiev.

Pas interpretimit, e gjithë salla do të ngrihej në këmbë për tenorin shqiptar. Një ngjarje e rrallë në karrierën e 34- vjeçarit, të cilit do t’i duhej të udhëtonte drejt një tjetër kontinenti. Pas koncertit të New Yorkut, Pirgun e pret një tjetër sfidë në Chicago Symphony Center, ku do të interpretojë rolin e Fentonit në operën “Falstaff”, nën drejtimin e dirigjentit Riccardo Muti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura