Nesër pritet njoftimi përfundimtar për “AstraZenecan”/ OBSH del me deklaratë: Të vazhdojë vaksinimi, nuk paraqitet rrezik për qytetarët!

Mar 17, 2021 | 16:52
SHPËRNDAJE

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se vaksina ‘AstraZeneca’ nuk paraqet rrezik për qytetarët dhe rekomandon që vaksinimet të vazhdojnë.

astrazeencea

“Komisioni ka vlerësuar me kujdes të dhënat e sigurisë për vaksinën AstraZeneca dhe sapo të përfundojë vlerësimi, Organizata Botërore e Shëndetësisë do të dalë me njoftim zyrtar”, thuhej në deklaratë.

Kujtojmë se përdorimi i kësaj vaksine është pezulluar nga disa vende europiane pas shqetësimeve se mund të shkaktonte mpiksje gjaku.

Vendet që kanë vendosur pezullimin e vaksinës janë: Gjermania, Spanja, Franca, Italia,Portugalia, Austria, Irlanda, Hollanda, Bullgaria, Norvegjia, Qiproja,  Danimarka, Luksemburgu, Estonia, Lituania, Islanda, Slloveni, Suedi dhe Letoni.

Norvegjia njoftoi vdekjen e një mjeku 50-vjeçar, të hënën e kaluar nga hemorragjia cerebrale. Ai u shtrua në spital për rreth një javë pasi mori dozën e vaksinës AstraZeneca. Përkundër këtij mobilizimi të shumë vendeve Agjencia Evropiane e Barnave njoftoi se vaksina ishte e sigurtë.

Përfitimet e vaksinës AstraZeneca janë më të mëdha sesa rreziqet tha Agjencia Evropiane e Barnave, por ia referoi vendimin përfundimtar një paneli ekspertësh, që pritet të bëhet publik nesër.

“Ne u kemi kërkuar ekspertëve të hetojnë nëse ekziston një lidhje midis vaksinave dhe rasteve të trombozës.  Në këtë kontekst, të gjitha rastet vlerësohen një nga një. Ekspertët do të arrijnë në një përfundim të Enjten dhe do të bëjnë një njoftim publik menjëherë pas përfundimit të takimit”, thuhej në njoftim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura