‘Nëse e ka nxjerrë notën, duhen më shumë’, zbulohet tjetër sekser te Bujqësori në Kamëz

Sep 9, 2016 | 10:50
SHPËRNDAJE

Emisioni Investigativ “Fiks Fare” vazhdoi edhe mbrëmjen e së enjtes publikimin e korrupsionit në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Tre ditët e para u publikua rasti i sekserit Besim Nasufi, i cili kërkonte para dhe seks me qëllim marrjen e provimeve në këtë universitet. Edhe në këtë puntatë u shfaq një tjetër filmim, ku sërish Besimi thotë se pinte kafe me pedagogët në fakultet, por që kishte frikë edhe se mund ta kapte “Fiksi”, pasi para dy ditësh, sipas tij, kishin qenë gazetarët në dy fakultete, në atë “Pyjor” dhe të “Zooteknikës”.

thumbnail_1 (2)

Por, përveç sekserit Besim Nasufi, i cili u arrestua para dy ditësh, doli në skenë edhe një sekser tjetër, i cili thotë të njëjtat çmime për provimet si Besimi. Ai njihet me emrin “Dine” ose “Kuqo”, megjithëse roja i fakultetit na thotë se e ka emrin Dardan. Dardani në fillim e pyet bashkëpunëtorin e Fiksit se kush e ka orientuar tek ai, pastaj i kërkon t’i çojë lendët që do t’i marrë notë kaluese.

Sekseri bie dakord në parim që të ndërhyjë për dy provimet ku studenti është vlerësuar me notën 4.

Ai i thotë se “Unë mund t’i marr këto dy lendë që keni sjellë”. Më tej shton se t’i lëmë shënimin tek roja.

Në shënim të shkruhet emri, mbiemri i studentit dhe data e provimit. Dy lëndët që zotohet të marrë janë “Drejtim Operacional” dhe “Statistikë”.

Në fakt, këto dy provime studenti i kishte dhënë para se të takonte sekserin, por ishte vlerësuar me notën 4. Kishin dalë notat para se të takonte sekserin e dytë. Sekseri thotë se tani është më e vështirë, pasi pedagogu ka nxjerrë notat.Për këtë arsye pazari është më i lartë. Po të mos i kishin nxjerrë pedagogët notat, as që bëhej fjalë që do t’i rregullonte notën kaluese.

thumbnail_2 (2)

Pas këtij takimi, biseda lihet e hapur për të vazhduar ndërhyrjen për notat kaluese.

Bashkëpunëtori i Fiksit pyet sërisht rojen që luan rolin e ndërmjetësit, për çmimin, meqë sekseri i tha flit me rojen. Ky i fundit i thotë gazetarit të Fiks fare se për të marrë një provim pagesa shkon 100 deri në 150 mijë lekë (të vjetra), por që varet nga pedagogu.

“Nëse e ka nxjerrë notën dhe ndërhyn për ta kthyer, atëherë duhen më shumë” thotë ai.

Bashkëpunëtori i Fiksit bën një tjetër takim me rojen, i cili i thotë se ka folur me sekserin dhe do 300 mijë lekë për të dy provimet. Studenti mori vesh që ka ngelur, ndaj bashkëpunëtori i Fiksit shkon sërish të takojë sekserin.

Ky i fundit i tha se do të flasë me zyshën që studenti të hyjë sërish në provim dhe të shkruaj si gjithë të tjerët, zhgarravina.

thumbnail_4

Studenti nuk u fut më në provim pasi u vërtetua sesi funksiononte zinxhiri i sekserëve dhe i marrjes së provimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura