“Në themel qëndron historia”/ Presidenti Meta uron homologun Mattarella për Ditën e Italisë: Na ndihmuat edhe pse në kohë pandemie, jeni avokat të Shqipërisë

Jun 2, 2021 | 14:12
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar homologun e tij italian, Sergio Mattarella me rastin e Ditës Kombëtare të Italisë.

META MATARELA

Në mesazhin e urimit, Kreu i Shtetit shqiptar ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa i shpreh mirënjohje edhe për ndihëm që Italia i ka dhënë Shqipërisë gjatë pandemisë.

“Jam shumë i gëzuar të konstatoj se, edhe në rrethanat shumë të vështira për të gjithë botën, të shkaktuara nga pandemia Covid-19, të dy vendet tona dhe popujt tanë, dëshmuam edhe një herë dashurinë, solidaritetin dhe miqësinë e tyre vëllazërore, duke qëndruar pranë njeri-tjetrit, për të lehtësuar dhimbjen dhe pasojat e kësaj pandemie mbarëbotërore. Ju jemi mirënjohës për ndihmën e sinqertë, që i dhatë vendit tim dhe popullit shqiptar në këto ditë të vështira, të cilat dëshmojnë për qëndrueshmërinë e sinqeritetin e marrëdhënieve tona dhe garancinë se ato do të jenë edhe më të mira në të ardhmen”, shkruan Presidenti Meta.

Presidenti Meta kujton se në themel të marrëdhënieve Shqipëri-Itali qëndron historia shekullore e komunitetit arbëresh e njëkohësisht emigracioni shqiptar i pas viteve ’90.

“Vetëm falë shpirtit mikpritës të popullit tuaj gjetën strehëzën e tyre të ngrohtë për t’u integruar e kontribuar, në të njëjtën kohë, në një shoqëri të vlerave të thella europiane, duke dhëne një shembull unik për ditët e sotme dhe për sfidat e dinamikat ndërkombëtare, me të cilat përballet njerëzimi sot”, tha Meta.

URIMI I PRESIDENTIT META

I nderuar President, Sh.T.Z Sergio Mattarella,
I dashur mik,
Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës Italiane, kam kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju dërgoj Juve dhe popullit mik italian urimet më të përzemërta dhe më miqësore!
Jam shumë i lumtur të vlerësoj sot marrëdhëniet e shkëlqyera historike e shumëdimensionale midis Shqipërisë dhe Italisë, të cilat, falë edhe partneritetit tonë strategjik, po pasurohen e fuqizohen në vijimësi, si në dimensionin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh, në kuadër të nismave ose organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.
Jam shumë i gëzuar të konstatoj se, edhe në rrethanat shumë të vështira për të gjithë botën, të shkaktuara nga pandemia Covid-19, të dy vendet tona dhe popujt tanë, dëshmuam edhe një herë dashurinë, solidaritetin dhe miqësinë e tyre vëllazërore, duke qëndruar pranë njeri-tjetrit, për të lehtësuar dhimbjen dhe pasojat e kësaj pandemie mbarëbotërore.
Ju jemi mirënjohës për ndihmën e sinqertë, që i dhatë vendit tim dhe popullit shqiptar në këto ditë të vështira, të cilat dëshmojnë për qëndrueshmërinë e sinqeritetin e marrëdhënieve tona dhe garancinë se ato do të jenë edhe më të mira në të ardhmen.
Në themel të këtyre marrëdhënieve, i nderuar President, qëndron historia shekullore e komunitetit arbëresh në Itali e njëkohësisht emigracioni shqiptar i pas viteve ’90, të cilët, vetëm falë shpirtit mikpritës të popullit tuaj gjetën strehëzën e tyre të ngrohtë për t’u integruar e kontribuar, në të njëjtën kohë, në një shoqëri të vlerave të thella europiane, duke dhëne një shembull unik për ditët e sotme dhe për sfidat e dinamikat ndërkombëtare, me të cilat përballet njerëzimi sot.
Jam i lumtur të pohoj sot se, edhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer të vendeve tona, si dy vende anëtare të NATO-s, për çështjet e sigurisë rajonale e më gjerë, ne shikojmë tek Italia avokaten e fuqishme ndaj procesit eurointegrues të Shqipërisë dhe u jemi shumë mirënjohës për këtë e për gjithë mbështetjen tuaj të pareshtur ndaj Shqipërisë dhe vendit që ajo duhet të meritojë në familjen e madhe europiane.
Duke ju ripohuar edhe një herë ndjenjat e miqësisë së thellë të popullit shqiptar, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, i nderuar mik, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura