“Ne shqiptarët i kemi qejf sherret dhe grindjet”- Polemikat me përkthyesin, Ismail Kadare vlerëson Arshi Pipën: Më bëri të njohur në botë

Jun 1, 2022 | 11:58
SHPËRNDAJE

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, ka vendosur të lërë Parisin, ku jetoi dhe punoi për dekada, vendin ku zhvilloi letërsinë e tij për t’u vendosur përfundimisht në Shqipëri.

Ismail Kadare në kafen “Rostand”
Ismail Kadare në kafen “Rostand”

Në një rrëfim të gjatë për jetën, veprën dhe rikthimin në Shqipëri, Kadare flet për raportet me përkthyesit pa fshehur mosmarrëveshjet me ta.

Por, shkrimtari vlerëson kontributin e Arshi Pipës në njohjen e veprës së tij në botë. Kadare dhe Pipa kanë pasur mosmarrëveshjet e tyre në të kaluarën, por që tashmë duken të tejkaluara nga shkrimtari i madh.

“Unë kam mendim të mirë për Arshi Pipën, megjithëse kjo mund të tingëllojë pak e habitshme, ngaqë ne, në shtypin letrar, kemi pasur acarime mes nesh.

Por, kjo është e zakonshme, nuk ka asgjë për t’u habitur. Zakonisht njerëzit presin që ‘të plasë ndonjë sherr mes shkrimtarëve e ta ndjekim sa është interesant’. Arshi Pipa ka bërë një përkthim që është shpërndarë kudo në botë. Falë këtij përkthimi, por edhe përkthimeve të tjera të shquara, vepra ime është njohur në shumë vende jo vetëm në ato anglofolëse, por në të gjitha vendet e botës”, shprehet Ismail Kadare.

Në intervistën për “A2 CNN”, gjeniu i letrave shqipe rrëfen se lexon vepra nga më të ndryshme të autorëve të huaj dhe pranon se po kaq shumë autorë kanë ndikuar në formimin e tij si shkrimtar.

Shkrimtari flet për privilegjet si shkrimtar, por pa fshehur se fama ka edhe telashet e veta. Kadare flet për sherrxhinjtë dhe ngatërrestarët, teksa paralajmëron surpriza: “Nga unë mund të prisni çdo gjë, mirë ose keq…”

LUELA MYFTARI

I-patitulluar

Z. Kadare, faleminderit për këtë mundësi të artë që na jepni për të zhvilluar këtë bisedë. Po e nis bisedën me përkthimet tuaja. Ju jeni përkthyer në 45 gjuhë të botës dhe pa diskutim një numër rekord i veprave tuaja të përkthyera në gjuhë të ndryshme, por kryesisht në gjuhë të mëdha, si anglishtja, frëngjishtja, spanjishtja, gjermanishtja, italishtja. Dua ta nis këtë bisedë me një gjuhë të madhe, anglishten. Ka tre përkthyes kryesorë vepra juaj në gjuhën angleze. Çfarë mendoni ju sot për këta përkthyes?

Është shumë e vështirë të pyetet shkrimtari se çfarë mendon për këtë… Zakonisht, për përkthyesit ka disa të thëna në formë proverbash, p.sh., që nga më ato të ashprat, që përkthyesi është një tradhtar. Ka njëfarë të vërtete, sepse vet fjala përkthyes në gjuhë të ndryshme, është ndërtuar në forma të ndryshme, por një nga format më të pranuara në të gjitha gjuhët është ajo që përkthyesi në njëfarë mënyre e ndryshon, e tradhton veprën. Ne shkrimtarët e dëgjojmë dhe e kemi të vështirë t’i japim përgjigje.

Disa herë na pëlqejnë përkthimet, disa herë fare, por ne nuk kemi të drejtë, sepse ne e kemi shkruar veprën për t’u pëlqyer njerëzve, për t’u afruar me njerëzit, për të komunikuar me ta dhe jo për t’u acaruar apo zemëruar me njerëzit, etj. Kështu që e kuptoni dhe vet. Më keni bërë një pyetje shumë të vështirë, së cilës do t’i përgjigjem në mënyrë pak a shumë të vështirë. Shkrimtarit edhe i pëlqen, por edhe nuk i pëlqen përkthyesi. Nuk duhet të habiteni as për njërën pamje as për tjetrën.

Ndaj nuk e kam të lehtë të përgjigjem, sepse nuk kam pasur ndonjë kërkesë nga ndonjë si të thuash që kam qenë në merak se si e ka përkthyer. Kam pasur një besim të habitshëm, një besim që një shkrimtar ka te vepra e vet, te gjuha e vet, te misteri i kësaj gjuhe, e cila ndryshon nga kontinenti në kontinent, nga populli në popull, nga kombi në komb.

Prandaj mund të them se këto tri personalitete kam pasur rastin t’i njoh, t’i vlerësoj, t’i çmoj. Ndoshta ju do t’ju vijë pak habi për njërën prej tyre, për Arshi Pipën. Arshi Pipa ka përkthyer përkthimin e parë “Kronikë në gur” në anglisht. Ne të dy jemi letrarë, shkrimtarë, shqiptarë. Kemi pasur marrëdhëniet tona të zakonshme siç janë mes shkrimtarëve. Këto marrëdhënie kanë qenë herë të mira, herë të mangëta që kanë pasur nevojë që nganjëherë të sqarohen, nganjëherë jo. Unë kam mendim të mirë për Arshi Pipën, megjithëse kjo mund të tingëllojë pak e habitshme, ngaqë ne, në shtypin letrar, kemi pasur acarime mes nesh. Por, kjo është e zakonshme, nuk ka asgjë për t’u habitur.

Zakonisht njerëzit presin që “të plasë ndonjë sherr mes shkrimtarëve e ta ndjekim se është interesant”. Arshi Pipa ka bërë një përkthim që është shpërndarë kudo në botë. Falë këtij përkthimi, por edhe përkthimeve të tjera të shquara, vepra ime është njohur në shumë vende jo vetëm në ato anglofolëse, por në të gjitha vendet e botës.

Keni jetuar për një kohë të gjatë në Francë, në lëvizje mes Shqipërisë dhe Francës. Si kanë qenë atje marrëdhëniet e autorit me përkthyesit në një gjuhë kaq të bukur sa frëngjishtja…? 

Helena dhe Ismail Kadare në Paris
Helena dhe Ismail Kadare në Paris

Kanë qenë marrëdhënie normale. Unë nuk kam pasur konflikte me përkthyesit e mi. Kam qenë i kënaqur që edhe një përkthyes si Arshi Pipa, me të cilin disa herë në botën letrare kemi pasur polemika, jo fort dakord me njëri-tjetrin për disa gjëra, nuk kam asnjë pakënaqësi që ai është marrë me veprën time, aq më tepër urrejtje. Përkundrazi, kam pasur falënderim që ky njeri i shquar i kulturës shqiptare i ka kushtuar një pjesë serioze të jetës së tij përkthimit të këtyre veprave.

Ju do të prisni që unë të bëja ndonjë vërejtje për të, ju them sinqerisht, nuk e kam për arsye mirësjelljeje ose humanizmi abstrakt… Përkundrazi, kam mirënjohje që ky zotëri është marrë gjithë këto vite me një nga romanet e mi më të komplikuara dhe më të njohura në botë. Dhe ia ka dalë. Nuk di ç’të them për vërejtjet që i janë bërë, për ato secili mund të japë mendimin e vet. Këtu nuk është puna për të treguar edukatë apo mirësjellje. Nuk kemi pse të ulim kokën ndaj njëri-tjetrit. Jo. Të dy jemi në një fushë të sinqertë, fisnike në të cilën lexuesit të gjithë janë dakord me ne, me shkrimtarë dhe përkthyesit.

Kur del një vepër e re, ju jeni i pari që e shijoni…?

Absolutisht jo.

Kujt ia besoni kënaqësinë e një botimi të ri? Unë ia besoj kënaqësinë e një botimi të ri, të një fati të ri si të thuash i cili mund të jetë i këndshëm, jo fort i këndshëm, i mrekullueshëm ose jo fort i mrekullueshëm. Sidoqoftë, përdora fjalën i mrekullueshëm disa herë, por kalimi nga një gjuhë e botës te tjetra është një mrekulli e botës, e planetit tonë se si shkrimtarët ato që kanë menduar në thellësi në trurin e tyre e shikojnë befas të shprehen me fjalë të tjera nga një popull tjetër se si shprehen me fjalë të tjera, në një gjuhë tjetër, nga një popull tjetër. Të gjitha këto na japin ndjenjën e mrekullisë para se të na japin atë të pakënaqësisë apo të grindjeve apo të sherreve, të cilat nganjëherë ne në Shqipëri i kemi shumë qejf.

Ndoshta kjo është në temperamentin tonë…?

I kemi qejf më shumë se ç’duhet, por edhe ato janë të nevojshme, sepse mendimet e ndryshme, polemikat e ndryshme, “sherret” janë të pranishme në jetën letrare, kulturore, artistike etj.

Bashkëshortja juaj Elena Kadare ju ka shoqëruar kudo në çdo vepër tuajën edhe si redaktore apo duke ju dhënë një mendim, duke e pasuruara apo pastruar një vepër ta sjellë sa më këndshëm atë. Çfarë ndodh në familjen tuaj kur del një botim i ri…?

Ndodh diçka shumë e këndshme me të cilin edhe kur ka telashe është një ngjarje, një episod luksoz. Ka luks brenda, luksi i letërsisë që u intereson të gjithëve. Të gjithë lexuesit do të donin të dinin se si është procesi i kapërcimit të një vepre nga një gjuhë në gjuhën tjetër. Është çështje e të gjithëve. Është misteri ynë i përbashkët. Është kënaqësia jonë e përbashkët. Prandaj do të ishte meskine, s’do të kishim të drejtë të acaroheshim për gjëra të tilla që janë vogëlsira të mjeshtërisë. Në raste të tilla unë kam shmangur polemikat, provokimet. Njëherë kam shmangur veten time për të mos qenë subjektiv, për të mos qenë i padrejtë, sepse autorit, shkrimtarit i kërkojnë shumë gjëra. Mes të tjerash i kërkojnë drejtësi. Madje i kërkojnë aq shumë drejtësisë sa ç’mund t’i kërkojnë një trupi gjykues. Shkrimtari nuk është gjykues. Shkrimtari është dëshmues i kohës. Ai krijon një vlerë në mënyra të ndryshme të çuditshme, të parritura. Unë jam një shkrimtar që krijon vlera të tilla, të cilat mund të mos jenë aq të mahnitshme siç mund të më jenë dukur mua në fillim apo admiratorëve të mi, por mund të mos jenë aq ngatërrestare, me aq mungesa, me të meta siç ne i quajmë në botën letrare sherrxhinjtë që nuk mungojnë kurrë.

Do të jenë gjithmonë aty…?

193588

Po do të ketë gjithmonë sherrxhinj dhe do të jetë bukur, sepse do të ishte një shkretirë e madhe në botë nëse kjo do të mungonte, në qoftë se mendimi botëror do të ndalej nga njëri kufij te tjetri dhe nuk do të ecte më tutje.

Numërohen rreth 10 mijë 301 botime në dijeninë time. Si ndjehet një autor i përmasave të tilla? Çfarë jete keni bërë duke qenë zoti Kadare…?

Duke qenë z. Kadare, unë jam qenë njëkohësisht shoku Kadare, kolegu Kadare dhe kam gëzuar të mira, privilegjet, gjërat e bukura që të jep kjo njohje, por jam shqetësuar disa herë gjithashtu edhe nga të këqijat që të jep fama. Sepse fama të jep o për mirë, o për keq. Ne shkrimtarët që pretendojmë, se shpërndajmë libra në të gjithë botën jemi mësuar që të dëgjojmë lavdërime, por jemi mësuar të dëgjojmë edhe acarime, vërejtje me të cilat jemi apo nuk jemi dakord për cilat në fund të fundit ne nuk kemi ndonjë detyrim para lexuesit. Ne nuk kemi ndonjë kontratë me të. Unë e kam thënë disa herë këtë gjë që të kënaqim disa kërkesa të lexuesit apo nuk kemi ndonjë detyrim që mos të kënaqim disa kërkesa të lexuesit. Prandaj shkrimtari nga kjo anë është edhe i lumtur edhe i palumtur. Është i lumtur pasi këta miliona lexues që thatë ju do të kërkojnë të lexojnë veprën e vet dhe sigurisht do të ketë ato telashe që sjell kjo njohje disa herë, keqkuptime të çuditshme, gjuhësore, psikike.

Kam lexuar një ese, punim tuajin ku ju e konsideroni artin si mëkat. Në të vërtetë, a është arti mëkat…? A e konsideroni atë mëkat në jetën tuaj…?

Janë disa teza të çuditshme që lindnin në botë. Fjala e çuditshme hyn te të gjitha fjalët që janë edhe të bukura, por edhe misterioze, të kuptueshme, por edhe të pakuptueshme gjer në fund. Prandaj unë do ta pranoja me kënaqësi këtë fjalë që të përdorej për veprën time qoftë për mirë, qoftë dhe me rezerva, për keq. Sepse arti është një gjë subjektive, një gjë që lind në brendësinë e njeriut dhe një gjë që zhvillohet përtej njeriut, por nga rrënjët më të thella të tij. Prandaj, s’ka asgjë të keqe që për artin të kemi mendime të ndryshme, të çuditshme, sepse kështu e do ky thesar, kështu e do lexuesi botëror.

E mendoni ju lexuesin teksa shkruani një vepër…?

Disa herë po dhe disa herë jo. Nuk ta them se sa herë e mendoj dhe sa herë e harroj. Dhe kjo është fatmirësia. Ky është fati i letërsisë se ajo krijohet disa herë jashtë merakut për lexuesin. Ti ke një ndjesi që po bën diçka me vlerë, diçka të habitshme, e cila vetvetiu i pëlqen lexuesit.

Çfarë veprash lexon Kadare sot…?

Sot, Kadare lexon gjithçka që mund të lexojë një lexues, gjithkund në çdo gjuhë e në çdo popull e në çdo vend.

Cila është ajo vepër që ka krijuar një pikë kthese në krijimtarinë tuaj apo që ju ka frymëzuar për të shkruar?

Këtë e kam të pamundur që ta them, sepse janë shumë, në çdo gjuhë e në çdo vend dhe është lumturi për ne që janë shumë. S’ka pse të bëhemi merak se vëmendja e lexuesve iku nga vepra ime për të shkuar te vepra e tjetrit. Jo. Gjithë thesari gjuhësor është i përbashkët. Është botëror.

Çfarë muzike pëlqeni…?

Unë dëgjoj muzikë të ndryshme. Të papërcaktueshme. Për shembull, letërsia është një art që ka lidhje me gjërat më të ndritura të njerëzimit, por edhe gjërat më të errëta të njerëzimit. Përdora dy fjalë që kanë burimin te drita, që është drita diellore dhe e errëta që gjëja më e errët në botë është vdekja. Letërsia nuk trembet nga asnjëra dhe as tjetra. I manovron të dyja, ajo i shfrytëzon të dyja, i bashkon të dyja dhe letërsia duhet të ndjehet e lumtur që ka të bëjë me të dyja.

Letërsia përkthehet edhe në film, në kinematografi… A ia humb veçantinë veprës…?

Kjo është një pyetje shumë e ndërlikuar. Nuk dihet fare. Mundet që të humbë diçka, të humbë shumë, të humbë në mënyrë të pakthyeshme, të humbë në mënyrë që nuk pëson asgjë. Letërsia kështu është krijuar. Ajo duron çdo gjë.

Keni pasur ju frikë ndonjëherë se mos e humbni letërsinë?

Pothuajse jo. Shkrimtari është i lumtur të pranojë se vepra e tij e krijon këtë mister. Me fjalën art përdoret shpesh diftongu i pavdekshëm dhe arti nga kjo anë është i pavdekshëm. Arti nuk pyet nga koha. Arti lufton me gjënë më të vështirë në botë siç është koha.

Z. Kadare, ju keni vendosur të jetoni në Shqipëri, por ndërkohë keni pasur edhe lëvizjet tuaja në Francë dhe në vendin tonë. Si e mbani mend Shqipërinë e atyre kohëve dhe Shqipërinë e sotme. A jemi ne më të rritur, më të mirë, me mendje më të pasur sot…?

Nuk di ta them. Disa herë besoj që jemi, disa herë jo. Por, koha do ta tregojë të vërtetën.

Ju pse zgjodhët përfundimisht që të ktheheni në Shqipëri? Rrënjët? Çfarë ju riktheu…?

Nuk ka qenë një zgjedhje e atypëratyshme. Ka qenë një zgjedhje e ngadaltë, e padallueshme mirë. Kështu ka qëlluar. Më është dukur se këtu do ta them më mirë atë që mund të thosha për çdo rast, për rastet pozitive apo negative të jetës. Për rastet e lumtura ose të dëshpëruara të jetës. Në të gjitha rastet më është dukur se do të isha i përshtatshëm në këtë formë që jam.

E ndjeni që njerëzit ju duan shumë?

Po e ndjej. Çdo shkrimtar e ndjen të vërtetën se sa e duan njerëzit dhe sa nuk e duan.

Po shkruani aktualisht apo po lexoni?

Po bëj diçka të mesme. Nganjëherë në letërsi është vështirë për të kuptuar se çfarë je duke shkruar, çfarë je duke kryer, çfarë je duke përkryer. Është vështirë të thuash. Unë jam në këtë tramvaji si të thuash…

Pra, mund të presim një vepër nga ju?

Nga unë mund të prisni çdo gjë, mirë ose keq.

© Panorama.al

Te lidhura