Në pikun e sezonit dhe në mes të pandemisë, Borshi pa ujë. Avokati denoncon: Nuk lajmë dot duart e fytyrën, për dush s’bëhet fjalë

Aug 4, 2020 | 11:24
SHPËRNDAJE

Në pikun e sezonit turistik, por jo vetëm, teksa ndodhemi në valën e pandemisë nga koronavirusi, fshati i Borshit vuan nga mungesa e ujit.

Banorët dhe pushuesit që në këto javë janë të shumtë, janë gjendur përballë një situate të vështirë dhe prej kohësh kanë bërë ankesa në drejtim të institucioneve lokale, por pa gjetur zgjidhje.

Denoncimi këtë herë vjen në adresë të gazetës “Panorama”, me shpresën për të gjetur zgjidhje pas bërjes publike të situatës, nga një avokat.

92148609

Bashkim Asllani, i cili ndodhet edhe vetë me pushime në Borsh, thotë se “i ndodhur përpara një situate aspak normale dhe të paprecedentë, e gjej veten të detyruar që t’ju drejtohem me këtë ankesë, në pamundësi faktike të gjetjes së një zgjidhje tek institucionet lokale”.

“Prej disa kohësh, lagjia “Ixuar” në fshatin Borsh, ka probleme serioze të furnizimit me ujë. Nga ana e banorëve dhe pushuesve, në mënyrë të vazhdueshme i janë bërë kërkesa dhe ankesa drejtuesve të institucioneve lokale, por nga ana e tyre nuk është marrë asnjë masë.

Kjo është një situatë tejet serioze, jo vetëm për shkak të pandemisë së shkaktuar nga përhapja e infeksionit COVID-19, por edhe në dëm të turizimit. Për më tepër, Borshi është një fshat me burime të shumta ujore, me dy lumenj që e rrethojnë, veç detit, por pavarsisht kësaj furnizimi me ujë mungon. Në banesa, ku ka dhe pushues që qëndrojnë, nuk ka ujë as për të larë duart dhe fytyrën, pasi për dush as që diskutohet mundësia.

Çështja i është bërë disa herë prezent Z. Adi Boci, i cili është përgjegjës i Njësisë Administrative Lukov, nga varet edhe fshati Borsh, por nga ana e tij nuk është marrë asnjë masë. Banoët e fshatit kanë takuar edhe hidraulikun e fshatit, edhe drejtorin e ujrave në Bashkinë Himarë, por përsëri nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo të jetë zgjidhur diçka”, shkruan avokati në denoncimin e tij.

Sipas avokatit Asllani, pushuesit dhe banorët janë “shumë të shqetësuar dhe të revoltuar me administratën shtetërore qe edhe pse ka ujë te bollshëm lejon keq menaxhim e shpërdorim, nuk e kryen detyrën dhe lejon që uji të përdoret edhe për qëllime kriminale, sikurse ka zëra në fshat”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura