Në ç’drejtim po ecim?

May 21, 2015 | 12:09
SHPËRNDAJE

GJERGJ META

   Në botën globale, në të cilën po jetojmë aktualisht, mendoj se një nga trajtat që po mbizotëron, është ajo e dhunës dhe e konfliktualitetit. Konstatimi i kësaj gjëje nga njëra anë trishton pa masë e, nga ana tjetër, ngre pikëpyetje të mëdha për ecurinë e jetës njerëzore në planet. Po për çfarë lloj konfliktualiteti bëhet fjalë?Duket qartë se gjithnjë e më shumë pikat e referimit po zbehen e nuk ka më të tilla të vlefshme për të gjithë, nëse ndonjëherë ka pasur. Kjo zbehje e pikave të referimit ka sjellë në disa fenomene, të cilat janë bërë mbizotëruese dhe konfliktuale me njëra–tjetrën. Këtij kaosi, pra kësaj lëvizjeje pa bosht, e lënë në dorë të rastësisë apo amullisë, i jepen përgjigje të ndryshme.
Kemi një përgjigje që është ajo e një lloj ngurtësimi përballë të resë dhe ndryshimit. ISIS apo Boko Haram është një përgjigje e tillë. Ato lindin si përgjigje ndaj prishjes së standardeve apo modeleve të mëtuara nga një lloj interpretimi i librave të shenjtë. Gjithçka që vjen nga bota e ashtuquajtur perëndimore për ta është haram, që do të thotë se gjendet “jashtë menysë” së servirur prej një lloj interpretimi ideologjik të të vërtetave të fesë. Nëse ISIS me shokë janë një përgjigje ekstreme ndaj amullisë që ka krijuar prishja e sistemeve të referimit, nuk mungojnë as përgjigje të tjera afër një mendësie integraliste apo fundamentaliste të pranishme jo vetëm në qarqe fetare, por edhe tradicionaliste apo konservatore. Duket se kësaj pjese nuk iu pëlqen fare që gjërat në rrjedhën e tyre edhe mund të ndryshojnë e nuk shohin te ky ndryshim një “shenjë” që i fton edhe ata për ndryshim, por ngurtësohen, krijojnë barriera dhe barrikada, duke iu mbyllur ndryshimit dhe risisë.
Duke përdorur një gjuhë, të themi shpirtërore, do të thosha që përse e kemi kaq të vështirë të shikojmë te ndryshimet një mundësi apo një shpërfaqje të aftësisë krijuese të Zotit, e cila kalon nëpërmjet jetës së njerëzve? Përse duam t’ia mbyllim Zotit dhe gjinisë njerëzore aftësinë për të krijuar e rikrijuar? E di se mund të tingëllojë disi çuditshëm ky pohim, por shoh se si në shumë raste refuzohen ndryshimet në jetën njerëzore thjesht sepse prishin rehatinë apo dembelinë tonë në vend që të nxisin kërkimin dhe thellimin. Një “mea culpa” sigurisht do ta kërkoja edhe brenda Kishës Katolike, e cila gjithsesi falë Papa Françeskut dhe magjisterit të tij, është në kërkim të atyre formave të reja të qasjes ndaj realitetit dhe botës.
Nga ana tjetër, zbehja e pikave të referimit ka sjellë edhe në një bjerrje identitare. Nuk ka më asgjë të sigurt. Secili ka fenë e vet, secili mendimin e vet. Dalëngadalë po bie edhe modeli i martesës dhe i familjes e po krijohen gjithnjë e më shumë modele të reja martese dhe familjeje. Duket ky i fundit një proces i pandalshëm. Sigurisht nga diktatura e mendimit unik të shekullit XX si nazifashizmi apo komunizmi, po kalohet në një shoqëri e mendim pa asht, pa kurrfarë thellësie dhe argumenti. Mjafton t’u hedhësh një shikim publikimeve, tezave të studentëve universitarë, asaj çka mendohet e shkruhet nëpër gazeta. Çdo lloj mendimi ka marrë të drejtën e qytetarisë edhe kur është një mendim i marrë e pa asnjë lloj mbështetje, por secili del me shprehjen: kam mendimin tim. Duket që nuk ka mbetur asgjë në këmbë nga sistemet e dikurshme. Madje as Zoti! Është ajo që Nietzsche thotë në “Shkencën e hareshme” kur njeriu i marrë kumton vdekjen e Hyjit: “Çfarë kemi bërë kur e zgjidhëm tokën nga dielli i saj? Në ç’drejtim lëviz ajo tani? Në ç’drejtim lëvizim ne? Larg çdo dielli? Ne po precipitojmë gjithnjë e më shumë. Mbrapa, anash, përpara, nga çdo anë. A ekzistojnë ende një “sipër” e një “poshtë”? Ne endemi nëpërmjet një asgjëje të pambarimtë?”.
Arena botërore po përjeton pikërisht përplasjen ndërmjet këtyre dy mënyrave, apo të themi dy “qytetërimeve” e guxoj të them që kjo është përplasja e vërtetë e qytetërimeve. Po në këtë bahçen tonë të vogël çfarë ndodh? Edhe shoqëria shqiptare nuk bën përjashtim nga kjo gjë, pasi edhe ajo ndodhet në një efekt sandviç, d.m.th. ndërmjet shpërbërjes totale të pikave të referimit dhe rezistencave të fundit integraliste, që vijnë nga tradicionalizmi popullor e nganjëherë i ushqyer edhe nga besimet fetare. Kjo shihet qartë po ashtu në hendekun që krijohet, p.sh. ndërmjet një mbrëmjeje gala shumë të shtrenjtë për të drejtat e LGBT, deri në arrogancë, me pjesëmarrje ambasadorësh, ministrash apo zv.ministrash dhe një pjese tjetër, që është gati të marrë pushkët e të kundërshtojë gjithçka që ka të bëjë me një manifestim kundër homofobisë. Po ashtu, shihet qartë në hendekun që krijohet ndërmjet mendësisë së “Big brother”-it dhe mendësisë së atyre që nuk i lënë, jo vajzat, por as djemtë të shkojnë në një shëtitje me shokët e shkollës. Ky polarizim i shoqërisë shqiptare, e cila duket qartë ende fatkeqësisht edhe në jetën politike dhe në atë ekonomike (hendeku mes shumë të varfërve dhe të atyre që janë shumë të pasur), është pasojë jo vetëm e atyre viteve komunizmi që kaluam, por edhe transportim i kësaj mendësie konsumi, apo sikurse e ka quajtur dikush kohët e fundit, diktaturë konsumi. Kjo mendësi kërkon thjesht të konsumosh që dikush të fitojë, pak rëndësi ka se çfarë konsumon e çfarë efektesh anësore apo të drejtpërdrejta ka.
Nuk jam sigurisht këtu për të dhënë zgjidhje se si të dalim nga kjo përplasje, e cila do të bëjë rrugëtimin e saj, por mendoj se ka shumë nevojë që për disa çaste të ulim armët e konfliktit e të ndezim reflektorët, pra reflektimin të gjithë bashkë. Po asistojmë edhe në fushatën e fundit elektorale. Premtimet të gjitha shkojnë në një kah, atë të mirëqenies materiale. Sigurisht është themelore kjo gjë, por pikërisht pse zgjedhjet administrative janë zgjedhje, si të thuash në familje, pikërisht aty duhet të bëhen edhe strategjitë vlerore, krijimi i mendësisë komunitare, i shpirtit komunitar (jo rastësisht bashkësi dhe bashki kanë të njëjtën rrënjë). Shpirti komunitar është ai që qëndron midis një homologimi të shoqërisë dhe një individualizmi ekstrem pa asnjë pikë referimi.
Thjesht një sugjerim ky i fundit nga ana ime, për të qenë konkret në hartimin e mundësive të zgjidhjes së shumë konflikteve të mëdha sociale, që gjithmonë duhet të nisnin nga gjërat e vogla, nga qelizat e shoqërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura