Ndryshon ligji, Shehu: Si do testohen mjekët e farmacistët

Apr 14, 2015 | 16:41
SHPËRNDAJE

Drejtoresha e QKE, Entela Shehu

Mjekët, dentistët dhe farmacistët që janë vlerësuar me zero kredite në Programin e Edukimit në Vazhdim do të humbasin vendin e punës. 
Për të rifituar sërish të drejtën e ushtrimit të profesionit, ata do të duhet t’i nënshtrohen provimit të certifikimit. Kjo vlen edhe për ata që nuk kanë plotësuar numrin e krediteve, apo thënë ndryshe që kanë bërë pak përpjekje, por jo mjaftueshëm për të përditësuar njohuritë.

PROJEKTLIGJI

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, Entela Shehu, shpjegon disa nga risitë e paketës së re ligjore që ka kaluar në Komision për diskutim. Sipas saj, në projektligjin “Për disa ndryshime në shërbimin e kujdesit shëndetësor” është sanksionuar mënyra sesi do të procedohet me profesionistët e shëndetësisë që nuk kalojnë në programin e edukimit në vazhdim. Nga të dhënat mësohet se aktualisht 75% e mjekëve, dentistëve dhe farmacistëve kanë plotë- suar detyrimet. Ndërsa, pjesa tjetër që do të thotë rreth 2700 prej tyre rrezikojnë të humbasin licencën.

“Projektligji që u miratua nga qeveria për edukimin e vazhdueshëm mjekësor synon të përmirësojë kuadrin ligjor ekzistues, i cili është hartuar që në vitin 2009. Ishte e nevojshme të përcakt-ohej mënyra se si rifitohen të drejtat e humbura, siç janë e drejta e punësimit dhe rilicencimit pas vendosjes se sanksioneve, të cilat ishin të përcaktuara në ligjin ekzistues. Rifitimi i këtyre të drejtave do të bëhet përmes provimit të ricertifikimit për të gjithë profesionistët që nuk përmbushin detyrimet e edukimit në vazhdim”, tha Shehu. Në ligjin e ri thuhet qartë që nëse në fund të ciklit një profesionist shëndetësie nuk merr kreditet, urdhri përkatës ka të drejtë të bëjë pezullimin e tij.

PROGRAMI I RI

Ministria e Shëndetësisë së bashku me Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim janë në fazën e rishikimit të të gjithë programit të ricertifikimit. “Jemi në proces konsultimi me të gjithë aktorët e sistemit shëndetësor në mënyrë që përmirësimet eventuale të sistemit të marrin në konsideratë të gjithë shqetësimet dhe sugjerimet e grupeve të interesit”, shprehet më tej Shehu. Por çfarë ndryshimesh do të pësojë cikli i dytë i programit? Një nga çështjet që është tejet e diskutueshme është përfshirja e infermierëve, fizioterapistëve dhe laborantëve në programin e ardhshëm.

Pikë tjetër është numri i krediteve, pra nëse ky numër do të qëndrojë i tillë, duhet të rritet apo të ulet për kategori të caktuara, apo të jetë i diferencuar brenda kategorive. Psh me mjekët, pikëpyetja është nëse do të jetë uniform apo do të ketë diferencime sipas nivelit të shërbimeve, pasi ka zëra dhe sugjerime që për mjekët e kujdesit spitalor, apo ato që punojnë në shërbime terciare të jetë një numër më i lartë në raport me mjekët e familjes.

NGA ADA HAZIZOLLI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura